Primitivizmi në rrugët e Prishtinës

0

LIS BUKUROCA (NASER ALIU)

Patëm një një Qeveri, që nuk ishte në shërbim të popullit, por që ishte e bindur se gjendet në një vetëshërbim. Tani kemi një Kryeministër të stigmatizuar si tradhtar, por dhe utilitarist fund e krye, që zaptoi pozitën duke premtuar shpërblim për mishëruesin e tij. Ky Kryeministër që i drejtohet popullit nëpërmjet fb, nuk meriton të jetë në vendin ku gjendet, e as të udhëheqë partinë që kryeson. Ministrin që nuk ka guxim ta përjashtojë, nuk mund të thuhet se e mban pse i pëlqen atij, por pse pa pajtimin e Thaçit, nuk mund të bëjë asgjë. Mustafa për karrigen e vet do të kishte përjashtuar çdo Ministër, sikur të ishte zgjedhur me ndihmën e votës, jo siç u zgjodh, duke u shërbyer me intriga. Historia e karrierës së tij flet për këtë aftësi për t’ iu përshtatur kohës, kurse gjendja aktuale, për pamundësinë për të marrë vendime.

 

Gurët nëpër rrugët e Prishtinës dëshmojnë për një brez që nuk ka kulturë demokratike. Për një brez që ka mësuar dhunën nga pushtuesi i djeshëm dhe sillet me policinë e vet, ashtu si sillej policia e pushtuesit me ta. Apo, ashtu siç kishin dashur të sillen ndaj policisë serbe, por nuk kishin pasur guxim. Ky brez nuk kupton lirinë, nuk kupton paqen, nuk kupton demokracinë. Nuk njeh rendin dhe për një motiv të vogël, mund të egërsohet dhe kalojë në barbarizëm. Ky brez është arsimuar nëpër shkolla të improvizuara në vitet e 90 dhe ky është rezultati. Brezi sotshëm që arsimohet nga profesorë plagjiatorë nëpër fakultete, do t’ i vejë kapakun falimentimit të shtetit. Arsimin që kemi marrë dje, po e përjetojmë sot në rrugë. Atë që po e marrim sot, do ta përjetojmë nesër.

 

Masa pezmin nuk drejton drejt abuzuesve të pushtetit, por dëmton pronën publike, që vet nuk e ka blerë dhe nuk e ka paguar. Për t’ u fituar ato objekte qeveritare, Kosova ka derdhur gjak, është poshtëruar, është dëbuar dhe është masakruar. Objektet qeveritare janë objekte të Republikës, që e ëndërronim, që nuk e kuptojmë kur e kemi, që nuk e ruajmë si duhet dhe që e përbuzim siç do ta kishte përbuzur edhe armiku. Policia kosovare është ajo polici që dëshironim ta kishim, për të cilën luftuam, kurse sot me kërkesa në stilin e Millosheviçit, i dërgojmë ultimatum dhe i tregojmë se çfarë duhet të bëjë. Policisë së Kosovës sot iu dhanë urdhra nga rruga. Nga njerëz me gurë në dorë.

 

Gjendja në Kosovë është katastrofale: nëpër spitale, nëpër fakultete, nëpër institucione, ku janë punësuar ata që kanë merituar, por jo ata që janë ekspert në fushën e vet. Kosova i ngjan një republike fisnore, që dominohet dhe administrohet jo nga partitë, por nga prijësit e fiseve. Kosovën kanë braktisur 400 mjek dhe rinia është në arratisje e sipër, jo pse u mungon liria dhe buka, por pse mungon shteti ligjor dhe drejtësia. Qeveria e Kosovës është një improvizim, është kopje ilustruese e një shteti. Kosova nuk ka Qeveri të vërtetë, por Gjoja-Qeveri që merret me administrimin e kaosit, me administrimin e mjerimit dhe akomodimin e të afërmeve. Meritokracia e brohoritur, e toleruar dhe ushqyerë që nga lufta e këndej, ka dëmtuar si ekonominë, ashtu edhe shtetin e Kosovës.

 

Po si reagoi ajo Qeveri në duet? Gjuha u shkoi aty ku u dhemb dhëmbi. Thaçi dhe Mustafa konstatuan se po rrezikohej pushteti i tyre. Ata përligjën qëndrimin, ashtu siç bënte edhe Qeveria komuniste jugosllave. Mungonte vetëm nocionet irredentist dhe antirevolucionar.Protestuesit kishin ndërmend ta merrnin pushtetin me dhunë, thanë ata dy. Cilin pushtet? Kush posedon atë pushtet në Kosovë? Në cilën fushë ushtron Kosova politikë nacionale dhe në dobi të qytetarëve? Kur ka formuar kjo Qeveri një komision që do t’ i drejtohej me një akuzë Gjykatës për Krime të Rënda në Beograd për të kërkuar dhjetëra miliard dollarë dëmshpërblim për rrënimin e ekonomisë, për rrënimin e objekteve private, për vjedhjen e arkivit, për vrasjet dhe dhunimet si dhe pensione për invalidët. Jo, nuk e ka bërë, nuk ka ndërmend ta bëjë, sepse shteti serb në Kosovë ka pushtetin në dorë. Jabllanoviqi mund të rrëzohet, por vetëm pasi të jenë rrëzuar Thaçi dhe Mustafa. Serbia akoma nuk ka njohur Kosovën dhe kjo krijon mundësi për të kërkuar dëmshpërblim për vrasjen e qytetarëve nga shteti: së paku për vrasjen e fëmijëve, dhunimin e grave, rrënimin e shtëpive dhe deportimin e popullit. Kur Kosova nuk kërkon dëmshpërblim, pretendon Serbia Trepçën.

 

Objektet qeveritare janë objekte të shenjta për ata që kuptojnë shtetin dhe rolin e tij. Aty buron sovraniteti i popullit, i interesit nacional, e ruajtjes së pavarësisë dhe rendit ligjor. Ato objekte janë të popullit dhe pronën e popullit dhe nuk duhet ta dëmtojë ai që nuk do të lejonte t’ i dëmtohej prona private. Aty ku kuptojnë shtetin dhe demokracinë, ato objekte nuk preken, sepse kanë peshë nacionale dhe nuk lejohet të shndërrohet në cak të rrugaçëve. Çdo njeri mund t’ i thyejë dritaret e veta, por askujt nuk i lejohet të poshtërojë në atë mënyrë objektet aq të rëndësishëm për ekzistimin e një shteti. Atdheu nuk mund të duhet duke degraduar shtetin. Atdheun nuk duhet ta duaj askush, por vetëm shtetin që siguron, garanton paqen dhe lirinë e një populli. Atdheu është nocion për të manipuluar popuj tribal, por jo qytetarë të këtij shekulli. Atdhe është edhe Lugina, por nuk është shtet i jonë. Pa shtet të drejtë, atdheu është përrallë dhe këngë popullore. Atdheu tek popujt jo modern përdoret për të mashtruar dhe vjedhur popullin, jo për të ndërtuar shtetin, që garanton mbijetesën e atdheut.

 

Albin Kurti është një problem në vete. Asnjë protestë nuk ka bërë pa dëmtuar pronën publike apo pa i bashkangjitur veprimeve të tij edhe dhunën: brutalitet, ekstremizëm dhe kaos. Aftësia tij e madhe deri tani është dëshmuar në motivimin e një pjese të popullit: me manipulimin, me gurë në rrugë, me policë e protestues në spital dhe me pamje që i ngjajnë vendeve në luftë. Ai mashton njerëz duke u talluar me naivitetin e tyre. Ai gjoja dëshiron bashkimin, por Kosova nuk është në gjendje ta ushqejë, e aq më pak ta qeverisë veten. Ky fakt nuk përjashton nga përgjegjësia Thaçin që ka sjellë Kosovën në këtë gjendje të mjerë, por mjerimi nuk luftohet me qëndrime revolucionare. Protesta që nuk sjell mirëkuptim në popull, flet vetëm për arrogancën dhe mungesën e respektit të atyre objekteve të demoluar, ku ata ëndërrojnë të qeverisin.

 

Albin Kurti nuk është pjesëtar i një lëvizje popullore, sepse lëvizja popullore ka shumicën e popullit pas, por një grup ekstremist që nuk njeh asnjë vlerë shtetërore. Albini më shumë krijon përshtypje të një anarkisti me parulla patriotike se sa të një politikani. Fjalimet e tij janë folklorike, veprat janë konkrete. Ai sillet si Che Guevara në Bolivi gjersa përpiqej t’ u mësonte bujqve marksizmin, dhe në mungesë të rezultatit, i duhej lufta, ashtu siç i duhet Albinit dhuna dhe përdhosja e institucioneve të Republikës së Kosovës, për ta profilizuar veten. Kuvendi i Kosovës duhet të bëjë një debat dhe shqyrtojë të gjitha protestat e VV dhe në rast se tek të gjitha dëshmohet dhuna, atëherë t’ i ndalohen protestat. Nga historia dimë se vetëm grupet ekstremiste dhe fashiste nuk tregojnë respekt për objektet qeveritare. Ata që vërtetë duan atdheun, adhurojnë objektet e Qeverisë më shumë se shtëpinë e vet, sepse aty zhvillohen politikat nacionale e një populli të tërë, jo e një grupi. Nuk mund të merret me mend në Perëndim shkatërrimi i zyrës së Kryetarit apo Kryeministrit, sepse aty nuk preket dinjiteti i një politikani, por sovraniteti i popullit.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here