Prifti françeskan: “Mes shqiptarëve u ndjeva si në shtëpinë time”

0

Në një intervistë për AA Fra Lovro Gavran ka folur për shërbimin e tij tridhjetë vjeçar si françeskani i Provincës Bosna Srebrena në Kosovë dhe Shqipëri. Pikërisht muajin e kaluar Fra Lovro u kthye nga Shqipëria.

Para se të merrte detyrën e Provincialit të Provincës françeskane të Bosnjës dhe Hercegovinës (e quajtur ‘Bosna Srebrena’) Fra Lovro Gavran ishte françeskani i Bosnjës i cili pothuajse tre dekada kishte shërbyer në Kosovë dhe Shqipëri.

Madje dy herë, në dy dekada nga viti 1980 deri në 1991 dhe në periudhën 2001-2009, përkatësisht vitet para se të emërohej për Provincial ka kaluar në manastirin dhe shenjtëroren e Shën Antonit të Padovës dhe në famullinë e Shën Pjetrit e Palit në Gjakovë.

Ndërkohë, në kohën kur kanë ndodhur konfliktet në rajonin e ish-Jugosllavisë, nëntë vjet e gjysmë, nga viti 1991 deri në 2001 shërbente në Shqipëri, në Shkodër nga 1991 deri në vitin 1995, dhe në zonën malore Pukë, në famullitë, Ilalle, Berisha, Fierza dhe Dardha në periudhën 1995-2001.

Në një bisedë me gazetarin e Anadolu Agency (AA) Fra Lovro Gavran ka folur për shërbimin e tij tridhjetë vjeçar në kuadër të Provincës françeskane të Kryqit të shenjtë të Provincës Bosna Srebrena në Kosovë dhe Shqipëri. Pikërisht muajin e kaluar Fra Lovro u kthye nga Shqipëria.

“Të admirueshme zakonet, kostumet, mikpritja dhe besnikëria e shqiptarëve”.

Këto ishin vitet e gjallërisë rinore, entuziazmit dhe idealeve. Punohej me zemër dhe ishte mirë, sepse më pranuan shumë bukur edhe vëllezërit françeskanë në manastirin dhe njerëzit në famullin, si dhe priftërinjtë përreth në mbarë territorin e Kosovës. Në mesin e shqiptarëve të Kosovës jam ndjerë si në shtëpinë time. Madje kam admiruar zakonet e tyre të bukura, duke filluar me kostume të bukura, muzika popullore, mikpritja e madhe deri në besnikërinë e njohur të tyre ndaj mikut, veçanërisht për fjalën e nderit (besën). Janë të mirë edhe si besimtarë edhe si qytetarë. I janë besnikë Kishës dhe priftit. Priftin e çmojnë dhe e respektojnë jashtëzakonisht jo vetëm katolikët, por edhe myslimanët”, thekson Fra Lovro.

Me serbët ortodoks dhe malazezë, tregon, kishte shumë pak kontakt, sepse në Gjakovë kishte shumë pak ortodoksë.

Thekson se me mysafirët në shumë raste kishte vizituar manastirin në Deçan, ku Igumani ishte Ati Justin, për të cilin thotë se ishte një njeri shumë i mirë, po ashtu me prejardhje nga Bosnja dhe Hercegovina – Vishegradi.

“Nuk ka shqiptarë ortodoks në Kosovë. Por shqiptarët katolik nga Kosova dhe Shqipëria veriore ishin garantuesit dhe mbrojtësit e kishës në Deçan, që nga kohët e vjetra të turqve. Këtë Ati Justin e dinte, kështu që u angazhua për të kultivuar marrëdhënie të mira me fqinjët e tij shqiptarë”, thekson Fra Lovro.

Ai vë në dukje se në Shqipëri ka shkuar në vitin 1991 sapo ia lejoi këtë legjislacioni shqiptar. Ishte fratari i parë i Bosnjës i cili pas regjimit të Enver Hoxhës erdhi në Shqipëri për të riorganizuar Provincën françeskane shqiptare, e cila gjatë komunizmit ishte e ndaluar dhe pothuajse e shkatërruar. Aty, në Shqipëri e gjeti lufta në BeH, dhe lidhjet janë ndërprerë.

“Ishte e pamundur të udhëtohej. Nuk kishte telefona. Nuk ishte e lehtë të mos dini se çfarë po ndodh me të afërmit e tuaj në atdhe, por unë kam zgjedhur priftërinë, kështu që kam pranuar më parë gjithçka që mund të ndodhte”, tregon Fra Lovro për AA.

Ai thekson se në Shqipëri është kënaqur duke shijuar “ringjalljen fetare”, “pas dekadave të ndalimit të çdo aktiviteti fetar dhe ateizmit të dhunshëm”.

“Më gëzonte entuziazmi me të cilin ky popull vinte në kishë, për tu lutur, duke kënduar dhe duke dëshmuar besimin e tyre, i cili përkundër të gjithë persekutimeve arriti të mbijetojë”, thekson Fra Lovro duke shtuar se feja në Shqipëri ende “lulëzon” dhe jep fryte.

“Qajnë madje edhe më të pasurit sepse për shkak të luftërave dhe përçarjeve humbin miliarda”.

Françeskanët e Bosnjës dhe Hercegovinës madje edhe në periudhën e Perandorisë Osmane kanë vepruar në Bullgari, Rumani dhe Hungari. Aktualisht ekzistojnë vetëm tre manastire jashtë Bosnjës: një në Zagreb, në Beograd dhe në Gjakovë.

Përveç këtyre, fretërit e Bosnjës veprojnë edhe në Shqipëri, Malin e Zi, dhe në disa famullitë në Kroaci, Austri, Gjermani, Australi, Afrikë, dhe madje edhe në Kanada.

“Kemi 68 fretër në 16 vende të botës. Falë Zotit që kemi një numër dhe mund ta bëjmë atë. Serbia, Kosova dhe Shqipëria janë në situatë të ngjashme si Bosnja dhe Hercegovina. Të gjithë jemi në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Sa i përket Beogradit, katolikët janë pakicë atje, por manastiri jonë i Shën Antonit është qendra e njohur kulturore dhe fetare në Beograd. Katolikët janë pakicë edhe në Kosovë, numri më i madh i tyre është në komunën e Gjakovës. Aty kemi gjashtë manastire katolike, dhe 30 për qind të banorëve janë katolikë”, thekson Fra Lovro.

Thekson se “ajo që njerëzve nga trevat tona veçanërisht është e dukshme tek shqiptarët, si në Kosovë, ashtu dhe në Shqipëri është që kombi i tyre është më i rëndësishëm se feja, në kuptimin që ata kur e ndryshuan fenë nuk kanë ndryshuar kombin: gjuhën gjithmonë e kanë shqipe, kombi gjithmonë shqiptar, ndërsa fenë mund ta kenë katolike, ortodokse dhe islame varësisht nga besimi individual”.

“Me komb njeri lind, ndërsa besimin e fiton me edukimin familjar. Ata e duan gjuhën e tyre, kulturën dhe kombin e tyre, sepse kanë vuajtur shumë për shkak të ruajtjes së lirisë dhe identitetit kombëtar, dhe në atë plan bashkëpunojnë të gjitha religjionet. Ata e duan fenë e tyre dhe janë besimtarë të mirë, por nuk lejojnë që për shkak të ndryshimeve në fe të rrezikohen interesat kombëtare”, thekson Fra Lovro Gavran.

Provinciali aktual i Bosnjës Srebrene thekson se edhe në BeH njerëzit duhet të përpiqen më shumë rreth bashkëpunimit në sa më shumë fusha të interesit të përgjithshëm. Ai vë në dukje që situata ekonomike është shumë e vështirë, dhe jo vetëm në rajonin tonë, por edhe në botë në përgjithësi.

“Qajnë madje edhe më të pasurit sepse për shkak të luftërave dhe përçarjeve humbin miliarda. Shumë më pak qajnë ata që mezi ia dalin mbanë, por me ndihmën e Zotit arrijnë të fitojnë një copë buke për vetën dhe familjen e tyre”, konsideron Fra Lovro.

– Të mbrohet dinjiteti i njeriut-

Sot, tregon Fra Lovro, është më i rëndësishëm dinjiteti i njeriut si njeri dhe mbrojtja e tij. Thekson se “duhet mbrojtur të drejtën e tij për jetën, të drejta për ata në rrezik të abortit, si dhe ata në rrezik të eutanazisë. Pastaj duhet të mbrojmë identitetin, nderin, dhe dinjitetin e familjes, të bazuar në martesën e pastër dhe të përhershme të vetëm një mashkulli dhe vetëm një gruaje. Të gjitha definicionet e tjera të martesës degradojnë dhe shkatërrojnë martesën dhe familjen, në këtë mënyrë edhe shoqërinë, sepse familja e shëndoshë është djepi i gjithë njerëzimit”, thekson Fra Lovro.

Thekson se të gjitha problemet tjera janë “më të vogla se kjo, sepse këtu bëhet fjalë për të jesh apo të mos jesh”. Sepse, vlerëson Fra Lovro, aty ku dështon familja, dështon edhe kombi, shteti dhe njerëzimi. Ku është familja e shëndoshë, thekson ai, aty do të gjenden zgjidhjet edhe për ekonominë, shkollimin dhe për mirëqenien sociale, edhe për problemet kombëtare, por edhe ndërkombëtare, transmeton Express.

“Në këtë fushë duhet të bashkëpunojnë mirë, të gjitha fetë dhe kombet gjithkund në botë, e kështu edhe në Bosnje dhe Hercegovinë. Dashtë Zoti të jemi të suksesshëm në këtë bashkëpunim dhe ndërtimin e mentalitetit dhe marrëdhënieve të shëndosha shoqërore, e gjithçka tjetër do të rezultojë nga rrjedha natyrore e kësaj”, përfundoi Fra Lovro Gavran, provinciali i Provincës Bosna Srebrena.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here