Presidentja kroate e përkrahë anëtarësimin e shpejtë të Kosovës(dhe tërë rajonit)në NATO dhe BE

0

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, takimet e sotme në Kroaci i ka nisur me presidenten kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviq. Zëvendëskryeministri Thaçi dhe presidentja kroate Grabar-Kitaroviq bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë e kanë quajtur tradicionalisht të mirë.
Sipas tyre, pas anëtarësimit të Kroacisë në BE dhe konsolidimit të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, ky partneritet duhet të thellohet më shumë dhe të bëhet më strategjik ndërmjet vendeve tona.
“Dy vendet tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera të cilat nuk janë të fokusuara vetëm në nivelin politik, por edhe në atë ekonomik, arsimor, kulturor dhe ushtarak”, ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi.
Kroacia për Kosovën mbetet një partner shumë i rëndësishëm edhe në përpjekjet për integrim në bashkësinë ndërkombëtare, është shprehur Thaçi.
“Mbështetja juaj e fuqishme në Kombet e Bashkuara, NATO, BE dhe në organizatat rajonale ka kontribuar në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.
Presidentja kroate Grabar-Kitaroviq, duke folur për marrëdhëniet dypalëshe Kroaci-Kosovë, ka thënë se komuniteti shqiptar në Kroaci dhe ai kroat në Kosovë kanë shërbyer gjithnjë si ura lidhëse ndërmjet popujve dhe shteteve tona.
“Përkrahja e shtetit kroat për Kosovën është e parezervë dhe ne do të punojmë së bashku për t’i shikuar edhe mundësitë e tjera të anëtarësimit të Kosovës nëpër institucione dhe organizata të tjera”, ka theksuar presidentja Grabar-Kitaroviq. “E përkrahim anëtarësimin e shpejtë të tërë rajonit në NATO dhe në BE”.
Në Kroaci, sipas të dhënave të fundit jetojnë 17,513 shqiptarë dhe këta qytetarë sipas presidentes Grabar-Kitaroviq janë një pasuri shumë e rëndësishme për shoqërinë kroate.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here