Presidentja ka një lajm të jashtëzakonshëm

0

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, nëpërmjet një deklarate për media ka bërë të ditur se ka marrë një lajm të rëndësisë së veqantë nga agjencia qeveritare amerikane MCC.

 

Deklaratë e Presidentes Jahjaga:

 

Kam kënaqësinë të ndaj me ju një lajm të jashtëzakonshëm. Kosova është përzgjedhur nga agjencia qeveritare amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) për të përfituar grant të gjerë investimi nga kjo agjenci.

Në një bisedë telefonike me shefen ekzekutive të MCC-së, Dana J. Hyde, sapo m’u kumtua se vendimi për zhvillimin e programit të ndihmës për Kosovën është marrë sot në takimin e Bordit të kësaj agjencie, që udhëhiqet nga sekretari amerikan i shtetit, John Kerry.

Kosova është përzgjedhur të zhvillojë të ashtuquajturin programin ‘Kompakt’, grant disa vjeçar dhe i gjerë i investimit, që do të mundësojë transformimin e disa sektorëve ekonomik të vendit, krijimin e vendeve të reja të punës, uljen e varfërisë dhe luftën kundër korrupsionit. Në të kaluarën, shtetet e përzgjedhur për programin kompakt kanë përfituar disa qindra milionë dollarë. Shuma të cilën do ta përfitojë Kosova do të varet nga bashkërendimi i institucioneve për të prezentuar planprograme për sektorë të caktuar që përmes këtij granti për zhvillim duam t’i reformojmë.

Procesi i kualifikimit të Kosovës për fondet e MCC-së është udhëhequr nga Zyra e Presidentes prej shkurtit të këtij viti. Programi dhe synimet e asistencës do të përcaktohen në muajt në vijim ndërmjet Kosovës dhe MCC-së.

Dëshiroj të falënderoj popullin dhe qeverinë amerikane për ndihmën e vazhdueshme dhe të pakursyer për zhvillimin dhe përparimin e Kosovës.

Falënderoj gjithashtu kongresistin dhe mikun e madh të Kosovës, Eliot Engel, dhe zyren e tij për përkrahjen që i ka dhënë kualifikimit të Kosovës për ndihmën e MCC-së.

Mbes e përkushtuar në thellimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe MCC-së që do të ofrojë mundësi të jashtëzakonshme për gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe rritje të qëndrueshme ekonomike.

Përzgjedhja e Kosovës për Programin Kompakt të investimeve ka qenë e mundur falë përparimit që vendi ynë ka treguar në zhvillimin demokratik, qeverisjen e mirë dhe reformat në sundimin e ligjit. Vazhdimi i kësaj ndihme në vitet në vazhdim do të varet ekskluzivisht nga indikatorët pozitiv të vendit tonë, zhvillimi demokratik dhe luftimi i korrupsionit.

Vendimi i sotëm vjen si rezultat i raportit të muajit të kaluar të MCC-së, ku Kosova për herë të parë ka kaluar shumicën e indikatorëve, duke shënuar përparim të theksuar në reforma prioritare dhe qeverisje demokratike.

Kosova këtë vit ka përparuar në rangimin e të drejtat demokratike, kryesisht si rezultat i mbarëvajtjes së mirë të zgjedhjeve të vitit 2013 dhe 2014. Në luftën kundër korrupsionit, përmirësimi i bashkërendimit të agjencive të sundimit të ligjit i ka mundësuar Kosovës që më në fund të kalojë indikatorin e kontrollit të korrupsionit. Sipas ‘Treguesve Botëror të Qeverisjes’ të Bankës Botërore, Kosova këtë vit ka përmirësuar kontrollin e korrupsionit për 16%, krahasuar me vitin e kaluar.

Në muajt në vazhdim, Kosova, në partneritet me MCC, do të fokusohet në hartimin e programit të asistencës dhe përzgjedhjen e projekteve që mënjanojnë pengesat për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Procesi i kualifikimit të Kosovës për fondet e MCC-së:

Shkurt-Shtator 2015: Presidentja Jahjaga vendos si prioritet kualifikimin e Kosovës për fondet e MCC-së. Presidentja themelon Grupin Punues të udhëhequr nga Zyra e Presidentes, në përbërje të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Arsimit, Entit të Statistikave të Kosovës dhe agjencive të specializuara të OKB-së në Kosovë si UNDP, UNICEF, OBSH, UNKT, që do të grumbullojnë të dhënat dhe përmirësojnë performancën në indikatorët e kërkuar nga MCC.

Tetor 2015: Presidentja Jahjaga pritet në Uashington nga zëvendëspresidentja e MCC-së, Beth Tritter. Në këtë takim, zyrtarët e MCC-së vlerësojnë punën që është bërë dhe bashkëpunimin e deritanishëm me ekipin kosovar.

Tetor 2015: Kosova i dorëzon MCC-së raportin e fundit komplementar.

Nëntor 2015: MCC publikon vlerësimet për secilin shtet. Kosova për herë të parë pas pesë viteve kalon vlerësimin e MCC-së, nga 7 indikatorë në vitin 2014, në 13 indikatorë në vitin 2015, duke i hapur rrugë përfitimit të fondeve nga kjo agjenci amerikane.

Dhjetor 2015: Bordi i MCC-ës në takimin vjetor përzgjedh Kosovën si përfituese e programit Kompakt, që i hap rrugë fillimit të hartimit të programit investiv.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here