Presidentja Jahjaga: “Gjithë elanin tonë ta orientojmë në zhvillimin e shtetit”

0

Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga ka qëndruar sot në vizitë në Komunën e Rahovecit. Ajo ka vizituar së pari Krushën e Madhe ku ka qëndruar në shkollën e fshatit, si dhe në punëtorinë e grave në këtë fshat. Në bashkëbisedim me gratë, aty ajo është njoftuar për punën që ato bëjnë dhe për problemet me të cilat ballafaqohen. Presidentja e ka vizituar edhe kompaninë “Stone Castle”. Në një deklaratë bërë gjatë vizitës, Presidentja ka thënë se ka shkuar në Krushë që të shpreh respektin e saj personal por edhe institucional, për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. “Veçanërisht jam e kënaqur për një punë shumë të mirë e cila është bërë këtu në korporatën e znj. Fahrije Hoti, që është një sukses, një tregim i suksesit të një biznesi. Para dy viteve, kur kam qenë për herë të parë, ka filluar me dy-tre gra punëtore, me një vend jashtëzakonisht të vogël, kurse tani ka mbi 25 gra, të cilat punojnë këtu dhe ky është jashtëzakonisht një mesazh i mirë i një pune dhe një përkushtimi të një gruaje sikurse është zonja Fahrije, por edhe shumë grave këtu për të cilat unë shpeshherë kam thënë se janë simboli i rezistencës dhe i sakrificës. Ato, gjithë atë vuajtje dhe gjithë atë mundim që e kanë pasur sidomos gjatë vitit 1998 dhe 1999, e kanë kthyer në energjinë e zhvillimit së pari të familjeve të tyre, së dyti të komunës dhe të vendit tonë”, ka theksuar Presidentja Jahjaga, duke shtuar se ajo e ka përkrahur dhe do ta përkrahë në vazhdimësi zonjën Fahrije. “Jemi në prag të 8 Marsit, që njihet si ditë e sakrificës së grave duke kërkuar të drejtat e tyre dhe nga këtu të përçoj mesazhin, duke ju uruar festën e 8 marsit. Tani është një sakrificë tjetër e grave, të cilat duhet të ngrihen dhe ta avancojnë veten përmes proceseve të bizneseve”, ka theksuar Presidentja Atifete Jahjaga. Pas Krushës së Madhe, Presidentja Jahjaga në Rahovec ka zhvilluar një takim me kryetarin e komunës, Idriz Vehapi. E shoqëruar nga kryetari i komunës, Jahjaga e ka vizituar Teqenë në Rahovec, ndërsa më pas, gjatë ecjes nëpër qytet, ka biseduar me qytetarët. “Kosova ka potenciale të jashtëzakonshme, resurse të jashtëzakonshme, duke përfshirë këtu edhe komunën e Rahovecit. Potenciali më i madh për neve është rinia e Kosovës, janë djemtë dhe vajzat e shtetit tonë, që janë potenciali dhe pasuria më e madhe. Gjithë atë energji dhe gjithë atë potencial, gjithë atë elan, ne duhet ta orientojmë në zhvillimin e gjithmbarshëm të shtetit tonë, sepse perspektiva jonë është e hapur. Ne tanimë e kemi orientuar vetveten drejt procesit të integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe në këtë rrugë ne, përkundër reformave të domosdoshme dhe të dhimbshme që i kemi, na duhet një punë e përbashkët në mes të qytetarëve tanë dhe institucioneve të vendit”, ka thënë presidentja Jahjaga. “Ne nuk kemi kohë të humbim besimin ndaj institucioneve, por ne duhet të ndërtojmë besimin e institucioneve, kurdo që është për të lavdëruar, të lavdërohemi, kurdo që është të kritikohemi duhet të bëhen kritika, por neve duhet të orientojmë gjithë elanin tanë në zhvillimin e shtetit tonë”, ka theksuar Presidentja Atifete Jahjaga.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here