Presidentja Jahjaga e vizitoi komunën e bashkëshortit të saj pa praninë e “zotëriut të parë”

0

Duket se presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka vendosur defintivisht që të mos e përziejë punën zyrtare me relacionet private. Ajo ndonëse sot e ka vizituar komunën e prej nga e ka origjinën bashkëshorti i saj Astrit Kuçi, nuk është parë në shoqëri të tij. “Nusja e Suharekës”, megjithatë mund të thuhet se është pritë më mirë nga qytetarët në këtë komunë ku për dallim nga disa komuna ku pësonte fiasko, kjo nuk ka ndodhur. Presidentja Jahjaga e shoqëruar nga zëdhënësi i saj Arbër Vllahiu dhe një pjesë tjetër e stafit fillimisht është takuar me kryetarin e Suharekës Sali Asllanaj nga i cili i ka marrë informatat mbi gjendjen në komunë. Ajo ka vendosur më pas lule tek lapidari i 500 viktimave civile të luftës, e ka vizituar vendin e masakrës mbi familjen Berisha nga forcat serbe dhe fabrikën “Solid”.  “Procesi i shtetndërtimit nuk është një proces që ka përfunduar, por është një proces i vazhdueshëm dhe ne si institucione kemi shumë punë për të bërë. Ne e dimë që kemi ende punë për të bërë sa i përket gjenerimit të vendeve të punës, rimëkëmbjes ekonomike së shtetit tonë, tërheqjes së investimeve të huaja, por këtë punë ne duhet ta bëjmë së bashku me qytetarët tanë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta çojmë zhvillimin e shtetit tonë në rrugën e duhur”, ka thënë Presidentja Jahjaga në fund të vizitës. Presidentja e ka vequar vizitën e saj tek vendi i krimit mbi familjen Berisha duke e quajtur atë si një nga dhimbjet më të mëdha të popullit tonë, “një çmim i paguar që ne sot të jemi një popull i lirë, një popull sovran dhe me një perspektivë të hapur drejt integrimeve euroatlantike”. “Jam thjesht këtu që të ofroj përkrahjen time institucionale dhe personale këtyre familjeve dhe të vendosim në kujdesin institucional objektet e tilla”, ka thënë Presidentja Jahjaga.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here