Presidentja bashk me zyrtarin gjerman kërkojnë në Mitrovicë të ndalet migrimi

0

MITROVICË, 19 SHKURT – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka zgjedhur të dal sot në Mitrovicë në kontakt me qytetarët e shoqëruar nga Ernst Reichel, i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Turqinë dhe vendet e EFTA-s në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë. Ata kanë provuar t’i bindin qytetarët që të mos emigrojnë drejtë vendeve të BE-së por kanë ndeshur në një realitet të hidhur të qytetarëve. Një qytetar u ka thënë hapur presidentes dhe zyrtarit të shtetit gjerman se i ka ditët e numëruara në Kosovë. “E kam biletën e gatshme për udhëtim, nëse ma siguroni një punë, po e shqyejë atë”, është shprehur ai. “Nuk kam asnjë zgjidhje këtu, i kam 5 fëmijë, nuk kam para, ata duan mbajtë”, është shprehur tjetri. “Janë dhënë miliardat dhe duhet ditur ku shkuan ato, unë nuk i kam hangër, ti jo, ku shkuan ato”, i është drejtuar presidentes një qytetar i moshës së mesme. “E di gjendjen sepse edhe unë e jetojë këtë realitet por ikja nga vendi nuk është zgjidhja”, është shprehur presidentja Jahjaga. “Ne e dimë që Kosova nuk është shteti që ne kemi dëshiruar ta kemi. Por, ne 15 vite më parë kemi dalë nga një luftë e tmerrshme, që ka lënë pasojë shumë të mëdha. Ne pardje kemi bërë 7 vite të shpalljes së pavarësisë së Republikë së Kosovës. Procesi i shtetndërtimit është proces, i cili merr kohë dhe kërkon një bashkëpunim të fuqishëm në mes të institucioneve të vendit dhe qytetarëve të vendit tonë”, ka theksuar ajo duke i ftuar qytetarët që të mos bien pre e grupeve kriminale. “Unë këtu jam sot e shoqëruar me ambasadorin Reichel, që është nga Republika e Gjermanisë, që është përgjegjës për pjesën e Ballkanit. Ne e dimë që mesazhi është që të gjithë qytetarët tanë të cilët kanë marrë rrugën e tyre drejt rrugëve ilegale, azili i tyre do të refuzohet dhe ata do të kthehen në Kosovë”, ka shtuar ajo duke e shpjeguar praninë e zyrtarit të lartë gjerman. Ambasadori Ernst Reichel u ka thënë qytetarëve se migrimi ilegal nuk do të thotë se ata që ikin mund të sigurojnë azil. Ai i ka ftuar qytetarët që të qëndrojnë në vendin e tyre dhe ka thënë se Gjermania po përpiqet që edhe me ndihma direkte në para të ndihmojë në përmirësimin e jetëve të tyre.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here