Presidentja Atifete Jahjaga priti një delegacion rumun

0

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga e ka pritur sot një delegacion rumun që po qëndron në Kosovë për t’u njohur me procesin e shtetndërtimit dhe zhvillimet politike e ekonomike në vend dhe rajon.
Presidentja Jahjaga e ka njoftuar delegacionin nga Rumania për përpjekjet e institucioneve të Kosovës që të forcojnë demokracinë dhe sundimin e ligjit, të ndërtojnë një ekonomi të tregut të lirë dhe të konsolidojnë praninë e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke nënvizuar njohjet e pavarësisë së saj.
Presidentja Jahjaga po ashtu ka folur për perspektivën evropiane të Kosovës dhe rëndësinë që kjo agjendë unifikuese bart për stabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit. Në këtë mes, Presidentja Jahjaga ka përmendur edhe rolin konstruktiv që ka luajtur Kosova për të qenë faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon.
Delegacioni rumun, në përbërjen e të cilit ishte senatorja e Senatit rumun, Gabriela Cretu dhe këshilltarë të kryeministrit dhe Parlamentit të Rumanisë, po qëndron në Kosovë nën organizimin e British Council dhe Fondacionit për Shoqëri të Hapur, në kuadër të përpjekjeve për të krijuar raporte mes Kosovës dhe shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here