Presidenti Thaçi: FSK edhe si ushtri do të vazhdojë t’u shërbejë qytetarëve pa dallime etnike

0

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka siguruar qytetarët e Kosovës me etni serbe se FSK do të vazhdojë t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallime etnike.

Vetëm një ditë para votimit të Ushtrisë së Kosovës nga Kuvendi i Kosovës, Thaçi ka inspektuar ushtarët e FSK-së dhe ka mbajtur një fjalim para tyre. Por, e veçanta e këtij inspektimi, ishte veshja ushtarake e Presidentit të Kosovës. Si komandant Suprem  i  Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidenti Thaçi ka parakaluar para ushtarëve të FSK-së.

“I siguroj të gjitha komunitetet në Kosovë, veçanërisht komunitetin serb, se FSK do të vazhdojë t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallime etnike”, ka thënë ai.  

“Ne i sigurojmë të gjithë partnerët tanë strategjikë se dëshirojmë paqe në këtë pjesë të botës”.

Ai I ka quajtur ushtarët e Kosovës “krenari e vendit”.

Thaçi ka thënë se ushtarët këto ditë po i përjetojnë më ndryshe dhe me emocione të fuqishme. Kjo, sipas tij, është e kuptueshme, sepse kanë mbetur vetëm edhe disa orë deri tek momenti dhe vendimi i shumëpritur.

“Ky proces po rrjedh natyrshëm si rezultat punës dhe përkushtimit tuaj të jashtëzakonshëm. Ju, me mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës, për kohë të gjatë keni punuar për themelimin e ushtrisë sonë. Ushtria e jonë do të jetë gjithmonë e gatshme për t’i shërbyer kultivimit dhe forcimit të paqes në vend, rajon dhe botë”, ka thënë Thaçi. 

Kjo ka ndodhur të enjten në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here