Presidenti Meta: Me Kryemadhin jemi një familje por me agjenda të ndryshme politike

0

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka sqaruar mbrëmë arsyen pse nuk e firmosi menjëherë propozimin e kryeministrit Rama për shkarkimin e Ditmir Bushatit nga detyra e ministrit të Jashtëm.

Meta tha se “përsa i takon ministrit të Jashtëm ky është një pozicion tepër i rëndësishëm dhe delikat. Çdo pozicion ministri është i tillë, por arsyet rreth përfshirjes së Shqipërisë në disa iniciativa mjaft të rëndësishme si në Trojkën e OSBE-së, kërkon që të ketë vazhdimësi.

“Posti i ministrit të Jashtëm është një pozicion i rëndësishëm dhe delikat, për arsyen e vetë përfshirjes së Shqipërisë në trojkën e OSBE-së, ndaj duhet të ketë një lloj vazhdimësie dhe Shqipëria nuk mund të jetë asnjë sekondë pa ministër të Jashtëm, – tha Meta në emisionin “A show”. – Nuk është çështje Vettingu ndaj emërimit të ministrit të ri, por ky proces do të kërkojë kohën e tij që nuk varet nga unë, por nga përgjigja e institucioneve për ato kërkesa që i kemi dërguar”.

Ai htoi se për të gjithë ministrat e pa dekretuar, Presidenca do të bëjë verifikimet e duhura në bazë të ligjit.

“Ne do bëjmë të gjitha kërkimet dhe verifikimet tona për të gjithë ministrat. Nuk ka arsye pse Rama të reagojë. Ne biseduam bashkë këtu në Presidencë, nuk kam asnjë ankesë ndaj sjelljes së kryeministrit… Është bashkëpunues me mua, nuk ka momente servilizmi nga ana e tij, takimet janë tepër korrekte”.

Presidenti më tej sqaron se shqetësimi i tij i vetëm pas shkarkimit të ministrave, është e ardhmja e Shqipërisë drejt integrimit në BE.

“Ajo që më shqetëson në këtë fillim janari është se në këto 6-7 muaj s’kemi atë klimë përgjegjshmërie mes aktorëve kryesore, të qeverisë e opozitës dhe funksionimit të Kuvendit për të dhënë ato garanci para partnerëve ndërkokombëtarë se Shqipëria do mund të çelë negociatat në qershor”.

Sa i takon protestave të studentëve, Meta i clësoi ato si “një lajm të mirë. Shqipëria nuk ka vuajtur nga protestat, por nga largimi i njerëzve nga vendi, protestat i shërbejnë vendit për të përmirësuar qeverisjen dhe që të zgjojnë ndërgjegjen qytetare për kërkesat e tyre për një jetë të mirë”.

I pyetur nëse Presidenti ndikohet nga bashkëshortja e tij, kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, për të marrë vendime në favor apo kundër opozitës, Meta u përgjigj: “Monika ka karrierën e saj që është e jashtëzakonshme, të gjithë ata që na njohin, thonë se jemi dy njerëz të ndryshëm edhe pse kemi një familje, por kemi dy agjenda të ndryshme, që përplasen dhe secili ka rrugën e tij, – nënvizoi kryetari i shtetit. – Ne prej kohësh kemi pasur dhe kemi mendime të ndryshme politike, por për shumë çështje koha i ka dhënë të drejtë asaj… Por, vendimet si president, unë i marr si rezultat i bindjes sime, në përputhje me Kushtetutën dhe i pandikuar nga asgjë”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here