Presidenti e amniston italianin që vrau shqiptarin

0

Presidenti italian Serxhio Mattarella ka firmosur dekretin e faljes ndaj sipërmarrësit Antonio Monella i akuzuar për vrasjen me armë zjarri të shqiptarit 19-vjeçar Ervis Hoxha.

Ngjarja ka ndodhur më 6 shtator të vitit 2006 kur në vilën e tij në qytezën e Arzago D’Adda në provincën e Bergamos, sipërmarrësi italian qëlloi për vdekje me armë zjarri shqiptarin Ervis Hoxha i cili po tentonte t’i vidhte automjetin e tij të tipit Suv.

Dekreti i faljes i firmosur nga Presidenti i Republikës redukton në pak më shumë se dy vjet dënimin e sipërmarrësit italian me mundësinë e shlyerjes së kohës së mbetur jashtë mureve të burgut. Ato pak kohë vuajtje dënimi që i ka mbetur pas faljes, sipërmarrësi italian do ta shlyejë duke punuar në shërbimet sociale që do t’i caktojë shteti.

Italiani Antonio Monella doli nga burgu këtë pasdite duke u shprehur se ndjehet i mrekulluar.

“Krishtlindja për mua ka ardhur më shpejt, tha ai. Jam i kënaqur të kthehem në shtëpi e falënderoj të gjithë ata që bashkëpunuan që kjo mrekulli të bëhej e mundur.”

Mbrojtje legjitime apo vrasje e qëllimshme?

Kjo është pyetja që e shoqëroi për disa vjet procesin gjyqësor deri më vitin 2014 kur Gjykata e Kasacionit dënon Antonio Monella me 6 vjet e 2 muaj heqje lirie me akuzën e krimit të vullnetshëm, duke përjashtuar aktin e qëllimshëm.

Prej këtij vendimi deri më sot kjo ngjarje qe kthyer në një simbol të betejës politike të Lidhjes së Veriut kundër kriminalitetit të emigrantëve, duke e konsinderuar vrasjen e shqiptarit si një reagim legjitim të sipërmarrësit italian për të mbrojtur pronën e familjen e tij.

Vendimi i faljes për italianin Antonio Monella është miratuar fillimisht nga Ministria e Drejtësisë , nga Gjykata e Mbikqyrjes dhe është firmosur sot përfundimisht nga Presidenti i Republikës Serxhio Mattarella, i cili ka vlerësuar dhe sjelljen pozitive të sipërmarrësit gjatë vuajtjes së dënimit, si dhe mundësinë e aplikimit të mundshëm të masave alternative siç është puna pranë shërbimeve sociale. /Tema/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here