Presidente, leje krejt…

0

AVNI ZOGIANI

Presidente, mjaft u lodhët; mos e mundo veten edhe ne. Leje krejt… Shko në shtëpi, merru me xhim, apo thjesht dil shëtitu në Gërmi. Përnjëmend, nuk ka për të ngelur gjë keq, ju siguroj. Nuk bëhet më keq Kosova, as më mirë ç’është e vërteta, por së paku e kurseni publikun prej përpjekjeve të pasuksesshme për t’ju kuptuar. Po e le krejt, disi na nxer të gjithëve nga mundimi, se mundim është, me të vërtetë. “Proces kredibil”? Të lutem! Leje krejt!

Edhe ashtu emërimi juaj si presidente ka qenë thjesht një insistim i ish-ambasadorit Dell për t’i themeluar institucionet nga të cilat varej ajo puna e tij në Bechtel, edhe ai milionëshi si ryshfet për kontraten e autostradës. Prej kur janë vendosur në binarë këto “procese kredibile”, thjesht keni qenë e panevojshme dhe pa asnjë rol. Prandaj është mirë t’ia shkurtoni mundimet vetes dhe opinionit kosovar.

Ju mund t’i vazhdoni përpjekjet e pasuksesshme, por tërë kjo kohë ka treguar se ato po ngelin vetëm përpjekje. Edhe nuk ka problem, me të vërtet, merre rrogen, e mos dil në punë hiq. Edhe lulet e tetë mijë eurove bleji. Po, mos mbaj takime, as fjalime, asgjë. Autorizoje dikënd ta plotësojë atë rubrikën e nënshkrimit të ligjeve, ose thjesht dil ndonjëherë në zyre sa për t’i nënshkruar, por mos fol, mos tako media, mos tako qytetarë, mos jep intervista. Leja Hikmetes ndonjë obligim për t’iu përgjigjur ndonjë e-maili kur është e domosdoshme, edhe rehatohu.

Në paraqitjet e juja gjithmonë jepet përshtypja se dëshironi të recitoni dicka, por e vërteta është se nuk po shkon. Përveç atyre deklarimeve tërësisht sipërfaqësore, inflamatore e të rrezikshme tuajat për “ekstremizmin islamik” dhe për shamitë, nuk ka pasur ndonjë gjë me të cilën opinioni publik ka krijuar idenë çfarë thoni. Po, e dijmë që ke mësuar të thuash integrime evropiane, e thua korrekt fjalën prokurori, edhe regjimi i vizave, por pjesët e fjalive përpara dhe pas këtyre shprehjeve, thjesht janë të panevojshme ose të pakuptimta. Prandaj, nxirreni veten nga sikleti, e dorëzohuni, ose ma saktësisht mos e quaj dorëzim, thjesht pusho. Merreni një pushim aq të gjatë sa e keni mandatin, edhe ju siguroj që asgjë s’do të ndryshojë.

Me të vërtet, nuk e kam për ndonjë kursim buxheti a diçka të ngjashme, se edhe ashtu buxheti nuk po shfrytëzohet për zhvillim, përkundrazi. Mirëpo, është momenti për ta kuptuar se opinioni Kosovar ka konsumuar mjaftueshëm porosi te menqura tuajat. Nuk ia vlen barra qiranë, më beso. Sepse mundimi është tepër imadh për atë që bën dhe thua dhe nuk është se po mundoheni vetëm ju, por po mundohet i tërë opinioni publik. S’ke çka i bën, kur s’e don, s’e don. Me zor nuk bëhen këto punë.

Nuk ka mbetur shumë kohë, me sa e di tani e keni edhe diçka më shumë se një vit, por kam përshtypjen se ka arritur kulmi. Ju edhe ashtu politikisht nuk përfaqësoni dikë, apo diçka. Dihet si keni ardhur, thjesht për ta mbushur një vakuum, e ky vakum mund të mbushet edhe thjesht me pagesën e rrogave për juve dhe stafin tuaj. Të tjerat janë të panevojshme. Shyqyr, po ka kush merret me politikat prapa-shtyese për Kosovën, kurse për temat që ju përpiqeni të flisni, apo më sakt, për temën që ju flisni, integrimet evropiane, po flasin të gjithë. Prandaj, nuk shkaktohet ndonjë vakuum, ju siguroj. Veq hajr do të ketë nga pushimi juaj i merituar.

Edhe ashtu nuk është Kosova as në horizonte të integrimeve evropiane, përkatësisht të temës suaj ekskluzive, prandaj ka për të pasur kohë të mjaftueshme në të ardhmen për një president tjetër dhe një sufler tjetër, për të folur për këto gjëra. Sepse ato janë dhe shumë komplekse, nuk janë thjesht tri fjali.

Është e domosdoshme ta leni krejt, seriozisht. Në fillim ishte interesante. Kjo loja e mediave dhe njerëzve në rrjetet sociale me deklarimet tuaja, ishte pakëz argëtuese. Edhe pse kur e kujton mënyrën si qe turpëruar institucioni i presidentit, me mesazhet kërcënuese në kuvend, me zarfat, e gjërat tjera, edhe kishte vend për të gjithë të ndjeheshim të fyer. Mirëpo, po kam përshtypjen që edhe këto tashmë janë tejkaluar. Po në anën tjetër, edhe argëtimi me deklaratat tuaja tashmë është konsumuar dhe nuk është se po i jep ndonjë kënaqësi kujt. Pranda, më dëgjoni mua, bëjeni një akt qytetar dhe lejeni krejt.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here