Pranvera ’81, angazhim e besnikëri ndaj Republikës

0

“11 marsi i vitit 1981 shënon fillimin e demonstratave gjithëpopullore për të drejtat e popullit shqiptar në Jugosllavi. Filluar nga rinia studentore, e mbështetur nga punëtorët e fabrikave dhe masat e gjera popullore Pranvera ’81 lëkundi themelet e ngrehinës së padrejtë jugosllave”, ka përshkruar Lëvizja VETVENDOSJE në një adresim opinionit me rastin e përvjetorit të demonstratave që kishin nisur me 11 mars 1981. “Nisur nga një gjest demonstrues lidhur me kushtet e rënda të studentëve në mensë protestat morën përmasa gjithëpopullore. Ato kulmuan me artikulimin e qartë të kërkesave për barazi politike. Pranvera ’81 prodhoi Ngjarjen që ende na thërret për angazhim e besnikëri ndaj Republikës”, ka shtuar LVV.  Parullat “Trepça punon-Beogradi ndërton”, “Kosova si vend, por edhe si kombinat është e jona” sipas këtij subjekti tregojnë më së miri se kërkesa për barazi sociale është pashkëputshëm e lidhur me kërkesën për barazi midis popujve. “Shovinizmi serb nuk mund të kuptohet deri në fund pa shpjeguar edhe shfrytëzimin kolonialist”, është theksuar nga LVV. “Potenciali emancipues dhe karakteri historik na mundëson që jehona e Ngjarjes të jetë aktuale edhe sot. Protestat e vitit 1981 duhen lexuar përkundër përpjekjeve të pushtetit jugosllav për të amortizuar përpjekjet çlirimtare përmes zgjidhjeve gjysmake. Siç i thurin lavde sot Kosovës pa sovranitet e integritet territorial atëbotë thuhej ‘është Republikë, veç emrin nuk e ka’. Por ngjarjet morën rrjedhën e kthimit pas deri në suprimimin e autonomisë pikërisht sepse nuk e kishim Republikën. E, nëse ka një mësim nga historiku i këtyre ngjarjeve ai është këmbëngulja deri në realizimin e plotë të qëllimeve’, ka përmbyllur VETVENDOSJE.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here