Pranimi në UEFA dhe FIFA kërkon punë

0

VJOSA BAFTIU

Federata e Futbollit të Kosovës ka kohë që po vazhdon të kërkojë të jetë pjesë e familjes Evropiane me të drejta të plota.
Inciativat për antarsim në UEFA dhe FIFA kanë nisur që moti, por shumë faktor po na ndalojnë të përmbushim këtë synim, e tashmë kur pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në atë Ndërkombëtar dhe pranimit të një morie federatash tjera tona në ato ndërkombëtare presioni është rritur edhe më shumë.

Mirëpo, duke parë infrastrukturën që ende po vazhdon të jetë larg nivelit të dëshiruar, vërehet se është pikërisht kjo ajo që po na penalizon me mosnjohje të plotë nga krerët e këtyre institucioneve. Investimet e bëra nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në stadiumet tona, ende po vazhdojnë të jenë larg standardeve të dëshiruara, ku shumica prej tyre madje nuk plotësojnë as kushtet elementare për zhvillim të ndeshjeve ndërkombëtare, i tillë ishte rasti në ndeshjen e Kupës së Kosovës ndërmjet Llapit dhe Prishtinës, ku si pasojë e reshjeve atmosferike fusha ishte e mbuluar me baltë e vende vende e mbushur me ujë, ku futbollistët u detyruan të zhvillojnë ndeshjen në një fushë që vetëm e tillë nuk mund të quhej.

E nëse duam të përmirsojmë dhe ngrisim kualitetin, duhet filluar me renovimin e gjithëmbarshëm dhe modernizimin e stadiumeve, që njëherësh ky do të ishte edhe hapi i parë konkret për pranim të plotë në instancat më të larta ndërkombëtare të këtij sporti.

Krahas kësaj, mangësi tjetër është edhe mungesa e financimit tek klubet në vendin tonë, ku kemi shembullin e ekipit të Hysit që duke mos i bërë ballë kësaj gjendje u shua komplet apo rasteve kur futbollistët nuk marrin paga me muaj të tërë, andaj gjithë kjo situatë po vazhdon të mbetet një nga problemet që duhet gjetur zgjidhje adekuate para kërkesave tona për njohje ndërkombëtare.

Pastaj, shumë ndeshje tek ne nuk sjellin vetëm futboll por ato përcjellen edhe me dhunë, ku shumë nga futbollistët tanë demonstrojnë shembuj të mosrespektimit të rregullores dhe shkeljës së saj, ku këtu përfshihen reagimet ndaj vendimeve të arbitrit apo sulmet fizike ndaj kundërshtarit që janë dëshmi e gjallë që jo vetëm po i’a ulin bukurinë dhe vlerën këtij sporti, por edhe po krijojnë një imazh aspak të pëlqyeshëm dhe sportiv.
Brengosëse është edhe fakti që ngadalësimi i këtij procesi si pasojë e mospërmbushjes së këtyre kritereve nga ana e

UEFA-s dhe FIFA-s po arrinë të na privoj edhe nga mundësia e prezantimit të sportistëve tanë dhe vlerave tona sportive në arenën ndërkombëtare. Izolimi shumëvjeçar i futbollit,na ka kushtuar me shumë gjenerata të cilët talentin e tyre nuk kanë pasur mundësi ta shfaqin jashtë kornizave të vendit tonë.

Vetëm lobimi dhe dëshira nuk mjafton që futbolli të pranohet ndërkombëtarisht, por duhet së pari plotësuar kriteret thelbësore sepse po kërkojmë që të ballafaqohemi me shtete dhe sportistë të mëdhenj, ku në fund imazhi i vendit tonë do jetë ai më i rëndësishmi. Andaj, para se të kërkojmë që kjo ëndërr e kahmotshme të bëhet realitet, duhet së pari “të shtrijmë këmbët sa na mbërrin jorgani”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here