Pozita kërkon miratimin e speciales, opozita e kundërshton atë duke e quajtur “monstrum ligjor”

0

Në seancën e Kuvendit të Kosovës për amandamentimin e Kushtëtutës rreth themelimit të Gjykatës Speciale, kryeministri Isa Mustafa e ka bërë arsyetimin e nismës për ndryshimet kushtetuese duke i ftuar deputetët t’i votojnë këto ndryshime pasi që, sipas tij, ato nuk prekin Kushtetutën. Derisa Albulena Haxhiu si kryetare e komisionit përkatës ka refuzuar të lexojë dokumentin e këtij Komisioni duke e quajtur “të turpshme” atë që ka ndodhur me këto rekomandime, rekomandimet e komisionit i ka lexuar Selvije Halimi e PDK-së, në cilësinë e zëvendës kryetares së këtij komisioni.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë se sot Kuvendi gjendet para një vendimi “shumë të rëndësishëm” për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës.

“Ne duhet ta pastrojmë veten para atyre pretendimeve (të raportit të Dick Matyt). Ne nuk duhet të frikësohemi para askujt. Ne jemi ata që duhet ta mbrojmë luftën tonë dhe shtetin e Kosovës në mënyrë të argumentuar”, ka theksuar Grabovci.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se votimi i ndryshimeve i ndihmon zbardhjes së të vërtetës për atë që ai e quajti “luftë e drejtë” e UÇK-së.

“Duke i marrë parasysh obligimet tona shtetërore dhe duke qenë të vetëdijshëm se zbulimi i së vërtetës nuk dëmton, ne i japim mbështetje këtyre ndryshimeve”, tha Beqiri.

Glauk Konjufca nga Vetëvendosje e ka kundërshtuar ashpër idenë për themelimin e Gjykatës Speciale.

“Drejtësia është universale, jo speciale”, është shprehur ai. “Unë për vete nuk do ta votoj këtë gjykatë sepse nuk do të kem fytyrë për t’i dalë përpara familjes Deliaj nga Abria”, tha Konjufca duke theksuar se me asnjë kusht nuk do ta votojë Gjykatën Speciale.

Deputeti Ramush Haradinaj duke folur në emër të AAK-së ka thënë se Kosova me këtë Gjykatë Speciale po bëhet rast i veqantë.

“Në asnjërin nga vendet që luftuan në ish Jugosllavi nuk u ngrit një gjykatë e tillë dhe ne duhet ta kundërshtojmë këtë”, është shprehur ai duke e quajtur gjykatën “një monstrum ligjor”.

Edhe Valdete Bajrami nga Nisma e ka kundërshtuar në foltoren e Kuvendit nisëm për themelimin e Gjykatës Speciale.

Askush nga Lista Serbe në Kuvend nuk e ka marrë fjalën rreth themelimit të Gjykatës Speciale.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here