Portreti i Ukshin Hotit në pullën postare

0

Posta e Kosovës ka promovuar dhe lëshuar në qarkullim pullën postare që i kushtohet veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare Ukshin Hoti. Filatelia e Postës është pasurua me pullën postare në ditën kur është edhe ditëlindja e 72-të e Ukshin Hotit. Drejtues të Postës së Kosovës nga ky promovim simbolik i pullës postare, shtruan pyetjen: Ku është Ukshin Hoti?

Kryeshefekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha tha me këtë rast se këtë pullë postare po e lëshojmë në qarkullim në ditëlindjen e 72-të të profesor Ukshin Hotit.

“Sot Filatelia e Postës së Kosovës, po pasurohet edhe me një pullë postare shumë të çmueshme, me portretin e Ukshin Hoti, intelektualit dhe veprimtarit i cili kurrë nuk u ndal së punuari për çështjen kombëtare, lirinë dhe të drejtat e njeriut. Këtë pullë postare po e lëshojmë në qarkullim sot, në ditëlindjen e 72-të të profesor Ukshin Hotit”, tha kryeshefi Hoxha.

I pari i Postës së Kosovës theksoi se sa herë që emetojnë një pullë të re postare, është procedurë e zakonshme që të tregohet dhe të jepet arsyetimi se përse i kushtohet një personaliteti të caktuar.

“Profesor Hoti u burgos disa herë. Së fundi në vitin 1994. Sot e kësaj dite nuk dimë gjë për fatin e Ukshin Hotit. Zhdukja e tij në maj të vitit 1999 vazhdon të jetë enigmë që rëndon mbi ndërgjegjen e klasës politike shqiptare në Ballkan, bashkësisë ndërkombëtare, si dhe organeve të drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare. Edhe nga ky promovim simbolik i pullës postare me portretin e tij shtrojmë pyetjen: Ku është Ukshin Hoti?”, tha Hoxha.

Ai shtoi se janë të nderuar dhe krenar që Posta e Kosovës lëshon sot në qarkullim këtë pullë postare për intelektualin, filozofin, diplomatin dhe luftëtarin e paepur të çështjes kombëtare.

Kurse, djali i Ukshin Hotit, Andin Hoti ka falënderuar Postën e Kosovës për idenë dhe angazhimin e krijimit të pullës postare me fotografi të Ukshin Hotit.

“Unë nuk kam çka me shtua më shumë për babin, mirëpo falënderoi shumë idenë dhe angazhimin për krijimin e pullës postare me fotografi të Ukshin Hotit. Për mua ka rëndësi të veçantë kjo pullë postare duke ditur faktin se sot është ditëlindja e Ukshin Hotit. Ju si institucion keni treguar kujdes që keni ndaj personalitetit të babit. Njëkohësisht unë mendojë se zarfi shkon aty ku nuk shkon as media. Andaj, konsideroj se përmes kësaj pulle postare do të arrihet sa do pak të kemi sensibilizim për fatin e babit”, tha Hoti.

Ai në emër të tij dhe të familjes Hoti ka falënderuar Postën e Kosovës për promovimin dhe lëshimin në qarkullim të pillës postare me portretin e Ukshin Hotit. /Rahoveci24/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here