Portieri i Kosovës, Muriç priti 2 penallti, kualifikoi City-n në gjysmëfinale

0

Një kualifikim nën shenjën e Arijanet Muriç. Portieri i talentuar i përfaqësues së Kosovës i aktivizuar për herë të tretë si titullar nga Pep Guardiola në Kupën e Ligës, rezultoi përcaktues për Citiziens që kaluan në fazën gjysmëfinale falë dy 11-metërshave të pritur nga 20-vjeçari kosovar.

Manchester City shkoi në gjysmëfinalet e Kupës së Ligës ose siç quhet ndryshe EFL Cup, pasi mposhti pas goditjes së 11-metërshave Leicester City-in në çerekfinale. Në King Power Stadium koha e rregullt përfundoi në barazim 1-1 me Albrighton që iu përgjigj 17 minuta para kohës së rregullt, golit të të rikthyerit të madh te City Kevin De Bruyne në minutën e 14-të.

Te penalltitë kampionët e Anglisë u treguan më të saktë duke triumfuar 3-1 me Leicester-in që humbi tre 11-metërsha, teksa goditjet e Maddison dhe Soyuncu u ndalën në mënyrë perfekte nga Muriç.

20-vjeçari po kalon një moment vërtetë të artë në karrierën e tij, pasi vetëm pak kohë më parë debutoi edhe me dardanët në ndeshjen ndaj Azerbajxhanit, ndërsa te Manchester City ka përfituar edhe nga dëmtimi i Claudio Bravos për tu shndërruar në zgjedhjen e dytë të Guardiolës pas portierit titullar Ederson.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here