Pornokracia e medias online/tradicionale si diskot e drekës

0

SILVI BAKIRI

Ju ka qëlluar të shihni së fundmi portalet online me brande serioze në krye? Me siguri po. Është e pashmangshme të mos vësh re një portal kur lajmi flet gjerë e gjatë për seksin. Shoqëria shqiptare që mesaduket e ka mbllaçitur keq dhe kapërdirë shpejt gjithçka që ka lidhje me seksin, shpesh, rezulton shumë e interesuar për lajme që flasin ta zëmë në orën 2 të drekës për: “Njerëz që kryejnë marëdhënie seksuale me kafshë”, “Pozicionet më hot gjatë një akti”, “Si të çmendim partnerin me dy lëvizje” etj. Ndërsa, ai që më rezultoi më shastishës mbante titullin: “Me kë e ka bërë për herë të parë filan këngëtare”. Natyrisht që lajme të tilla janë bombastike dhe të klikuara nga audienca. Përfytyroj këtu manjakët e matjes së audiencës që fërkojnë barkun për superklikimin e lajmeve të tilla, edhe pse 75 % e audiencës në atë orë mund te jenë nën 18! Po ç’rëndësi ka. Fundja, kujt i intereson të thellohet në detaje të tilla. E rëndësishme është që ai lajm bën scoop dhe njerëzia derdhet me epsh të madh ndër rreshta, foto e video. Për t’i hyrë vetë pak më thellë këtij problemi, larg qoftë të perfytyroni se ka ndonjë konotacion seksual kjo më lart, do më pëlqente ta ilustroja desgustimin që pëson audienca normale, ose ajo qe nuk “vuan” nga çaste erotomanie apo ndonjë eksitimi të skajshëm gjatë këtyre ‘lajmeve’ me një shprehje të Pierre- Joseph Proudhon- it fanatikisht kontroverse dhe njëkohësisht korrekte: “Qenia inteligjente dhe e lirë ndjen ndot kundrejt gjithçkaje që i kujton kafshërinë dhe e degradon në nivelin e brutëve”. E thënë më thjeshtë: Gjithçka që qenieve të pazhvilluara, ose me perceptim të mangët i kujton civilizimin, pjesës tjeter, më të vetëdijshme, i vjen erë primitivizëm. Kështu, për të dalluar njërën palë nga tjetra mjaft t’i vëmë përpara një “lajm” të tillë dhe të vëmë re reagimin. Nëse ky reagim shoqërohet me zgjerim pupilash, që pra tregon kuriozitet dhe interes, atëherë kemi te bëjmë me llojin e parë të audiencës.

*

Problemi i lajmeve “hot” në drekë është po aq shqetësues sa edhe problemi i nxjerrjes së pjesëve të ndryshme të trupit nga këngetaret pornokrate. Pra, do të hiqja në këtë rast pa frikë një drejtëz paralele mes Shkendijes që bën një selfie/belfie në orën 11 të paradites dhe ua shpërndan atë qindra e mijëra fansave në rrjetin e saj duke marrë edhe plot likes, me dikë që poston/raporton lajmin se Shkëndija sapo bëri një veprim të tillë. Madje, ekzibicionizmi i të dytit e kalon striptizmin e të parës. Kështu, postuesi zëre se “zhvishet” edhe vetë, madje bën edhe veprime të tjera… gjatë kohës që poston/raporton lajmin. Situata e mësipërme të kujton paksa diskot e para që u hapën në vitet ’90 në Shqipëri e që organizonin party në çdo orë të ditës. Gjimnazistët e kohës, për të shmangur ndonjë llogaridhënie të mundshme në shtëpi, zgjidhnin gjithmonë orën 2 të drekës, që “ngatërrohej” paksa me orarin e mësimit… Kështu edhe media online, tërheq ndjekës (të çdo moshe) në drekë.

*

Por, problemi nuk është vetëm media online. Fundja, kjo e fundit, shpesh, s’është veçse një zgjatim i medias tradicionale. Identikisht me të njëjtën qasje, mbushen edhe panelet e formateve televizive. Merr pjesë në panel këngetarja Enca- jo për këngën e saj të fundit, jo, por për gjoksin e saj të ri. Në mënyrë të ngjashme, ftohet këngëtarja Çiljeta për një video të re, por edhe për të shprehur dëshirën e saj se ka ndërmend të zvogëlojë gjoksin. Dhe ja ku “video” del në plan të fundit! Pornokratët- drejtues emisionesh, edhe këtë herë i kanë diktuar audiencës se lajmi kryesor këtu është: gjoksi! E thënë ndryshe: Pornokrati ‘mëson’ audiencën se si të shohë më shumë “mishin” se përmbajtjen, më shumë formën se intelektin, më shumë sipërfaqen se thelbin e me radhë. Media tradicionale dikton në të njëjtën mënyrë edhe median online. Lajmi që qarkullon është i njëjti: “Çiljeta me gjoks te ri!”

*

Per ta mbyllur, përsëri, po them një shprehje te P. J. Proudhon, që për hir të së vërtetës edhe pse nuk është më “i buti” në qasjet ndaj gruas, qasjet ndaj shoqërisë i ka te sakta: “Një komb vdes atëherë kur epshi bëhet kult masiv”. (…)

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here