Politologu Shenasi Rama: Qeveria që del kundër popullit s’e ka jetëgjatësinë të sigurtë

0

Politologu Shenasi Rama mendon se një Qeveri që u del kundër interesave të popullit nuk mund ta ketë jetëgjatësinë të sigurtë . Ai ka dashur ta shohë Qeverinë e koalicionit LDK-PDK në Prishtinë më të përgjegjshme në raport me situatën e krijuar së fundmi. Sipas tij, protestat e organizuara në Kosovë kundër ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq, dhe për kombinatin “Trepça”, janë të drejta.  Ai e ka përjashtuar mundësinë që në Kosovën e vitit 2015 të ngjajë Shqipëria e vitit 1997.  Në një intervistë për portalin Online, Rama, ka thënë se ngritja apo rënia e lëvizjes Vetëvendosje është në varësi të sjelljes së saj në rrethanën e krijuar. Rama aktualisht është profesor në Departamentin e Politikës në New York University në SHBA.
Si i shihni protestat e fundit në Kosovë kundër ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq, dhe për kombinatin “Trepça”?

Qëllimi i këtyre protestave është i qartë, i drejtë dhe moralisht i drejtë. Në çdo vend të botës do të kishte reagim qytetar për një sjellje si ajo e Jabllanoviqit, aq më shumë në një shtet ku plagët e konfliktit janë ende të freskëta. Nuk mundesh me pasë ministër dikë që nuk e respekton popullin e Kosovës, me kenë ai i biri i Skenderbeut, dhe prandaj Jabllanoviqi duhet me u dorëheqë. Koha e mbajtjes së protestave është e diskutueshme, dhe e përcaktuar politikisht, sepse problemi i “Trepçes” nuk ka lindë sot, dhe mund të ishte protestuar gjithë kohën për atë problem. Gjithsesi kjo protestë është një shprehje e shqetësimit të qytetarëve të Kosovës për një problem jetik për shtetin.

A ka reaguar si duhet Qeveria e Kosovës gjatë menaxhimit të protestave, si në kuptim të reagimit me Polici e poashtu edhe përmes deklaratave të krerëve të saj?

Jo. Mendoj se me reagimin e tyre kanë lënë shumë me dëshëirue. Shteti për ne shqiptarët në Kosovë ka kënë gjithnjë milici, e tash nuk duhet me kenë polici. Qeveria duhet me kenë e gatshme me pranue qe me diskutue për këtë punë. Protesta kishte një qëllim politik që nuk mund të kritikohet. Qeveria përbëhet nga ata që thonë se kanë luftue për integritetin e Kosovës e me çlirue, me metoda rugoviste apo me armë në dorë dhe që tash duket sikur po e ndrrojnë cdo gja për një post. Qeveria nuk duhet me e pa këtë protestë si një përpjekje të opozitës me i marrë pushtetin, pavarësisht se deri ku është e motivuar opozita nga ky qëllim i rrëzimit të qeverisë. Çështja është se qeveria është edhe e opozitës, sepse është e gjithë popullit dhe duhet me mendue me përgjegjësi tjetër. Ashtu si qeveria i kupton kufizimet që ka në pushtetin e vet kur jep e merr me EULEX me autoritete e tjera etj., që i tregojnë se deri ku duhet me shkue, ashtu duhet me kenë me e përvuajtur dhe me tregue kuptim për opozitën sepse opozita ka prek një nerv jetik, një problem që e shqetëson shumë popullin shqiptar të Kosovës, të cilin e përfaqësojnë të dy palët.

Pozita thotë se opozita po do që ta marrë pushtetin me dhunë dhe se nuk do te lejohet në Kosovë viti 1997 i Shqipërisë. E shihni ju se opozita ka të tilla synime dhe se a ka rrezik që të përsëritet viti 97?

Jo, nuk ka 97 në Kosovë e nuk mundet me pasë. 97-ta është një periudhë e marrëzisë kombëtare e ne Kosovë shqiptarët janë shumë më të mençur se mendojnë këta që flasin kështu. Qeveria të dalë e të thotë se cili është qëndrimi i saj në lidhje me këto pika jetike. Në se pajtohet se këto janë problem e duhet me u zgjidhë, atëherë të tregojë se si mendon me i zgjidhë këto probleme. Nëse nuk pajtohet, atëherë të tregojë se cila është rrugëzgjidhja e pse nuk duhet me i ngritë këto probleme. Nuk ka asnjë dyshim se këto janë probleme që i shqetësojnë shumë njerëzit. Jabllanoviqi ka prekë dinjitetin e nderin e shqiptarëve, njëlloj si me ti ra shpullë nuses në shtëpi tande. Trepça shihet dhe është si një rrugëdalje për zgjidhjen e krizës ekonomike. Është mirë me diskutue me qetësi për këto probleme dhe me e kuptue se opozita është edhe ajo garant i vullnetit të popullit.

A i konvenojnë PDK-së si subjekt këto protesta?

Jo, nuk besoj. PDK po don me marrë ato rroga e me ndenjë ne qeveri edhe do vjet. Duket që e kanë harrue se çka kanë thanë e për cka kanë thënë se janë në politikë. Mirëpo pyetja që duhet me ba është a i kovenon Kosovës. E për me u kthjellue uji kajherë po duhet me u turbullue. Qeverisë nuk i kuvenon, por Kosovës i duhet me u përballë me këto problem.

A po fiton mbështetje apo po humb lëvizja Vetëvendosje përmes organizimit të protestave?

Varet se si do të sillen tash e tutje. Protetsta janë një mjet i pranuar dhe i justifikuar i përdorur nga të gjithë strukturat e opozitës dhe të shqoërisë civile në cdo vend demokratik. Përpjekja me e detyrue qeverinë me zgjidhë problemet delikate të integritetit terrotirial te sovranitetit e të dinjitetit, për të cilat nuk është bërë gjë tash sa vite, nga këta që janë në qeveri, është e mirë dhe e lavdërueshme. Nëse kjo teknikë përdoret për të ndarë popullin nga qeveria dhe për të mos lejuar asnjë lloj qeverisje dhe e tejkalon kufirin e pranuar të sjelljes në një demokraci, atëherë është e papranueshme. VV i ka mjetet ligjore e demokratike me kërkue me mobilizue njerëzit e me ngritë problemet e tilla që janë tepër shqetësuese

Po akterët e tjerë në këtë situatë: Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn – si i vlerësoni?

Të dy janë figura me peshë e me respekt në popull, pavarësisht akuzave për korrupsion etj. që janë publike. Ama, tash janë në opozitë dhe opozita duhet me e ba punën e vet në Parlament, me shoqërinë civile dhe me një agjendë që tregon se këta po punojnë për shqiptarët. Si politikanë në opozitë dhe si figure me peshë, duhet me e kuptue se kur ngre probleme politike do të shkaktosh pakënaqësi diku. Ka politikanë që mendojnë për vete e ka që mendojnë për popullin. Këta duhet me tregue se ku e kanë qëllimin e tyre. Nëse duan të bëjnë shërbimin publik që duhet atëherë duhet me kenë kritikë konstruktivë të qeverisë por edhe me luftue për të mirën, të drejtën e të dobishmen.

A e parashihni jetëgjatë Qeverinë Mustafa?

Këta e kanë da flinë dhe po duen me hangër secili në sahanin e vet, dhe i kanë mbyllë punët e veta për këtë mandat, me ndarje postesh. Mirëpo qeveria vlerësohet jo nga jetëgjatësia por nga ajo që do të bajnë, dhe programi politik që duhet të kishte qeveria është pikërisht kjo që po bën opozita. Një qeveri që i del kundër popullit të vet, e interesave të popullit të vet nuk e ka jetëgjatësinë shumë të sigurtë. Më e keqja është se në përplasjen me popullin e vet dhe me opozitën po krijohet një mur ndarës që është i rrezikshëm e që nuk duhet lejuar me u ngritë midis shqiptarëve e strukturave qeverisëse të shtetit të Kosovës, si qeveria Mustafa-Thaçi, si ata që kanë pushtetin real aty.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here