Politikani gjerman, Martin Shulc u kërkoi ndjesë shqiptarëve për masakrën e Hitlerit

0

Politikani nga Gjermania, Martin Shulc si kryetar i Parlamentit Europian foli në seancën e posaçme plenare të Kuvendit në Tiranë ku theksoi gjithashtu kujtimin e përjetshëm ndaj shqiptarëve për mbrojtjen e hebrenjve, raporton Illyria.

Shulc e tregoi se “turpi” do të jetë i përgjithmontë në kujtesën e masakrës së ushtarëve të Gjermanisë Naziste në Borovë të Korçës.

Politikani nga Gjermania, Martin Shulc (Schulz) kishte një fjalë ndjese ndaj Shqipërisë për masakrën e 72 vjetëve të shkuara të ushtarëve nga vendi i tij që pushtoi asokohe Shqipërinë.

Trupat gjermane udhëtonin nga Serbia, në Greqi dhe hynë në Korçë, mandej në Ersekë dhe në Borovë ranë në pritë në Barmash, andaj u kthyen dhe vranë 107 banorë (të Borovës), përfshirë fëmijë, gra dhe pleq.

Zoti Shulc si kryetar i Parlamentit Europian foli në seancën e posaçme plenare të Kuvendit në Tiranë.

“Masakra e Vermahtit gjerman në Borovë përpara 72 vitesh më 7 korrik 1943 ishte një akt ku ushtarët gjermanë në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmeve partizane vranë barbarisht gratë dhe fëmijët. Ky akt do të na mbushë përgjithmonë me turp. Ne do ta mbajmë gjallë kujtimin e viktimave të kësaj masakre”.

Eurodeputeti gjerman Shulc çmoi mbrojtjen që shqiptarët si komb u bënë hebrenjve nga shfarosja prej nazizmit:

“Nuk do të harrojmë kurrë guximin dhe humanizmin e të gjithë shqiptarëve që i shpëtuan fqinjët e tyre hebrej nga deportimi”.

“Mijëra hebrej në arrati, nga deportimi gjetën strehim dhe mbrojte në vendin tuaj. Një popull, i cili udhëhiqet nga parimi se është e vetëkuptueshme t’i hapësh portën e shtëpisë njerëzve që kërkojnë mbrojtje, madje edhe duke vënë në rrezik jetën e vet. Një parim që ju shqiptarët në vendin tuaj e quani “BESA”, një populli të tillë mund t’i shpreh vetëm respektin tim më të thellë”-tha ai.

Deputetëve zoti Shulc u bëri një pasqyrë të historisë në emër të ripajtimit dhe ndërtimit të demokracisë duke nisur nga datat përkujtimore, ndonëse pa përmendur Srebrenicën, por Sarajevën.

“Përpara një shekulli Lufta e Parë Botërore jo larg prej këtu filloi me atentatin e Sarajevës. Le të kujtojmë se miliona e miliona burra të rinj, me besimin e tyre në vlera si nderi, fisnikëria dhe besnikëria dhe në vdekjen heroike në fushën e betejës, u nxitën drejt fushëbetejës, drejt teknologjive ushtarake të shekullit të 20-të dhe për të vdekur në një vrasje masive industriale”-tha ai.

Për zotin Shulc, gjatë Luftës së Parë Botërore, në luftën e parë të industrializuar, epoka moderne shfaqi fytyrën e saj të shëmtuar, ndonëse theksoi se “shkatërrimi që do të pasonte do të ishte më i madh”:

“Fashizmi. Para treçerek shekulli, Gjermania naziste duke pushtuar Poloninë do të bëhej shkak për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Lufta e Dytë Botërore përshkoi Europën porsi një ortek zjarri”.

Andaj, ai theksoi se duhet “të mbajmë gjallë kujtesën e historisë sonë e ngjarjeve të hidhura dhe të gëzuara kanë një rëndësi të veçantë, sepse nuk mund të ketë pajtim pa kujtesë”.

“Pajtim mund të ketë vetëm nëse vuajtjet e përjetuara dhe dhimbja e kaluar pranohen. Nëse kujtojmë se si retorika helmatisësh dhe thirrjet populiste i hapin rrugë e mizorisë”-tha Martin Shulc.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here