Politika islamiste kosovare është huazim i dhembjes së huaj

0

Shkruan Ballsor Hoxha

Edhe mendimtar të Islamit më kanë quajt sot, bile bile se po e paraqes veten si të tillë. Kur ankthi përfshinë realitetin, e kjo ndodh kur e mohon atë, apo kur e harxhon atë, apo kur e zëvendëson me diçka tjetër, fillon paranoja dhe njerëz të zakonshëm kalojnë dhe marrin fuqi mbinatyrore, etj.

Në Kosovë ka shumë më shumë agresion nga islamistët ndaj të tjerëve se e kundërta. Kjo është një prej fakteve kryesore të – lirisë së shprehjes – së myslimanëve në Kosovë, sot, për dallim prej kohës së Millosheviçit e ish-Jugosllavisë. Dhe në anën tjetër, kur sheh mobilizimin, frymëzimin dhe agresionin që vjen prej disa prej tyre, të bën të pyetesh, të shprehesh e edhe të zhytesh në këtë.

Një gjë është shumë e qartë, huazimi i përvojës së myslimanëve refugjatë në perëndim, për të shpjeguar përvojën kosovare. Që i bie si këngëtarët kosovar të Hip-Hop-it që po e shprehin revoltën kosovare përmes përvojës afrikano – amerikane. Apo njëjtë si të huazosh filmin Godfather për të vërtetën e luftës së UÇK-së.

Islami në Kosovë, besoj se kam një konfirmim të kësaj që po dua të them duke qenë se kam mbiemrin Hoxha, dhe numër shumë të madh të hoxhallarëve që kanë dalë nga kjo familje, ka qenë e vetmja zgjidhje për të mos u asimiluar, Por asnjë nga hoxhallarët në fisin tim, me dhjetëra, nuk ka predikuar për fenë para shqiptarisë, në të vërtetë e ka përdorur fenë për të arritur tek secili për të motivuar ndjenjën kombëtare.

I tërë islami kosovar, për aq së mund të dëshmoj historia e familjes time së paku, ka qenë zgjidhja më pak e dëmshme, vetëm pse është konsideruar si zonë e përjashtimit të shqiptarit nga pjesmarrja në realitetin rajonal. Por më e rëndësishmja është se Islami ka qenë mekanizëm për të forcuar bindjen shqiptare.

Sot është e kundërta, Islami është mekanizmi për të shpërbërë të vërtetën tonë shqiptare, apo dhembjen tonë kosovare, në një dhembje që është krejtësisht e panjohur dhe e papërkitshme me ne. Jo aq shumë pse Islami ka nj program të urdhëruar nga dikush, por sepse po shpërfytyrohet revolta shqiptare në një revoltë më të përhapur, dhe me këtë është njëlloj strategjie. Por strategji për çka, për të drejtën e mbetjeve më të dyshimta shoqërore të perëndimit.

Në Kosovë (dhe në Shqipëri) nuk ka asnjë libër më të zakonshmin dhe serioz për tërë përvojën shqiptare në islam, nuk ka asnjë debat serioz të mendimit Islam kosovar, nuk ka asnjë filozofi dhe as shpjegim, dhe besimtari i zakonshëm është i lënë të vuaj një revoltë të huaj. Përkundrazi, tërë ai organizim dhe përcjellje e çdo shkrimi në fb lidhur me islamin, pak po të orientohej do të sillte gjëra të mrekullueshme mu sikur përshkruhen në librat e shenjtë.

Dhembja është gjëja më e vështirë në këtë botë, dhe i kuptoj këta njerëz që duan ta transformojnë dhembjen e të qenit kosovar në diçka më të lehtë, diçka ekzotike dhe globale, por është edhe i vetmi realitet i mundshëm për kosovarin, për një kohë shumë të gjatë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here