Policia: Nuk ka rrezik nga kërcënimet e shqiptarëve të ISIS

0

Institucionet e sigurisë në vend dhe ekspertë të fushës së sigurisë vlerësojnë se video kërcënuese e publikuar nga organizata terroriste ISIS, ku kërcënohen qytetarë jo besimtarë të Ballkanit, përfshirë edhe ata të Kosovës, është vazhdimësi i e propagandës së kësaj organizate, dhe si e tillë nuk duhet të merret seriozisht.

Polica e Kosovës vlerëson se vendi aktualisht nuk është i kërcënuar nga ndonjë sulm terrorist.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë se Policia e Kosovës në vazhdimësi bënë vlerësime të rreziqeve të mundshme të sigurisë në vend dhe se, tani për tani, nuk paraqitet rrezik për ndonjë sulm terrorist.

“Bazuar në misionin dhe kompetencat që ka, Policia e Kosovës në vazhdimësi bënë vlerësime të rreziqeve të mundshme të sigurisë në vend dhe, në këtë kuadër edhe të vlerësime për rreziqet që mund të vijnë nga terrorizmi apo grupet terroriste”.

“Policia e Kosovës vlerëson se tani për tani nuk paraqitet ndonjë rrezik i lartë nga terrorizmi në Republikën e Kosovës, megjithatë Kosova nuk mund të jetë imune, sikurse nuk janë edhe shtetet me te zhvilluara ne Evropë e me gjere”, ka thënë Hoxha në një prononcim për lajmi.net.

Ai ka thënë se në bazë të kompetencave dhe Strategjisë Nacionale Kundër Terrorizmit dhe planit të veprimit i cili buron nga kjo strategji, policia vazhdon monitorimin e çdo aktiviteti të personave fizik dhe juridik për të cilën siguron informata se mund të paraqesin rrezik për rendin kushtetues në të ardhmen apo mund të kryejnë ndonjë vepër penale.

“ E gjithë kjo bëhet me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të ndonjë vepre penale të mundshme, duke përfshirë veprat e terrorizmit dhe ekstremizmit fetar”, ka thënë Hoxha.

Por, ekspert të çështjeve të sigurisë vlerësojnë se kjo video është vazhdimësi e propagandës që bënë ISIS me anë të rrjeteve sociale.

Skënder Perteshi nga Qendra Kosovare për Siguri ka thënë se vet përcaktimi i Kosovës si shtet sekular dhe që nuk i përfaqëson idetë e grupeve ekstremiste të ISIS, tregon se vendi ynë është i kërcënuar nga grupet ekstremiste.

Ai, ka thënë se video si kjo e fundit nuk duhet të merren shumë seriozisht, por vet kërcënimet që paraqesin grupet ekstremiste duhet të vlerësohen në bazë të rrethanave.

“Kjo është vetëm një vazhdimësi e propagandës që e përdor ISIS në media sidomos ato sociale dhe, çdo komentim i bërë, i shton rëndësinë të veçan këtyre videove dhe i bëjmë favore këtyre personave”.

“Këto nuk duhet merren shumë seriozisht, por vet kërcënimet që vijnë prej ISIS-it dhe grupeve të tjera ekstremiste, duhet të vlerësohen në bazë të rrethanave siç kanë vepruar deri më tani”, ka thënë ai.

Perteshi ka vlerësuar si shumë të domosdoshme qasjen e shtetit dhe të shoqërisë për luftimin e fenomeneve ekstremiste, duke përjashtuar arrestimet si strategji të vetme të luftimit të kësaj dukurie

“Nuk duhet të jetë vetëm strategjia e forcës dhe arrestimet, si mjet kryesor për luftimin dhe parandalimin e ekstremizmit, por ne duhet të merremi t’i gjejmë arsyet që po ndikojnë që qytetarët tonë që tu bashkohen këtyre grupeve ekstremiste”.

“Komunitet mysliman dhe shteti duhet të jenë faktorë kryesor për parandalimin e ekstremizmit në Kosovë”, ka thënë Perteshi.

Ndryshe, dje në rrejtët sociale është publikuar një video nga organizata terroriste ISIS, në të cilën dy pjesëtarë të kësaj organizate, në gjuhë shqipe, kanë kërcënuar qytetarët jo besimtarë të Kosovës dhe Shqipërisë, duke thënë se po vijën ditë te zeza për ta. /lajmi.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here