Policia nuk e përjashton as mundësinë e vrasjes së Klea Shytit

0

Rënja e Klea Shytit nga kati i 11-të në zonën e ish-Parkut të Autobusëve, mbart në vetvete shumë mistere, ndërsa motivi i këtij akti ekstrem mbetet ende enigmë. Viktima, me origjinë nga qyteti i Fierit, ishte njëra ndër studentet më të mira të vitit të dytë në Fakultetin Ekonomik në Tiranë. Para vetëflijimit, vajza ka lënë çantën në shesh-pushimin e pallatit dhe ka marrë vetëm kartën e identitetit dhe celularin e saj.

Asnjë nga banorët e pallatit nuk e kishte pikasur vajzën në momentin e hedhjes, madje ata theksojnë se ishte shumë e vështirë identifikimi i saj, pasi nuk ishte banuese e zonës së tyre. “Ne u tmerruam kur dëgjuam një zhurmë të fortë poshtë në bodrum. Shkuam menjëherë aty, po ç’të shikonin, vajza e re ishte e larë e gjitha në gjak. Njoftuam menjëherë policinë dhe më pas, ata bënë të mundur edhe identifikimin e saj”, tregon një banore e katit të katërt, të pallatit ku ndodhi akti ekstrem. Policia nga ana tjetër nuk përjashton mundësinë e vrasjes, ku në trupin e viktimës është gjetur një plagë e thellë në pjesën e kurrizit, plagë që dyshohet se është bërë me thikë.

Hetimi

Pista që po hetohet deri tani është ajo e vetëflijimit, pasi Klea Shyti, mund të jetë ndarë nga i dashuri i saj dhe kjo e ka rënduar gjendjen psikologjike të saj. Dje në vendin e ngjarjes ishin edhe 3 prokurorë të Prokurorisë së Tiranës, të cilët ende nuk kanë një përgjigje përfundimtare, lidhur me arsyet e vërteta të kësaj ngjarje të rëndë. Nga kqyrja e trupit në morgun e Tiranës, ekspertët e krimeve të rënda pohojnë se, e ndjera kishte një të çarë në pjesën e pasme të kurrizit, fare pranë qafës. Plaga dyshohet se është bërë me mjet prerës (thikë) dhe dëmtimi ka qenë i thellë 3 deri 4 centimetra. Këto dyshime e kanë bërë grupin hetimor që të mos e klasifikojnë ngjarjen vetëm si vetëvrasje por nuk përjashtohet mundësia e një vrasjeje të mundshme.

Pavarësisht se telefoni i viktimës është dëmtuar pothuajse plotësisht nga hedhja, së bashku me viktimën nga kati i 11-të, ekspertët e dërguan në laboratorin e Policisë Shkencore për të bërë të mundur zbulimin e të gjitha telefonatave që ka bërë Klea Shyti përpara aktit makabër. Një tjetër pistë që po heton policia lidhet edhe me gjendjen psikologjike të 20-vjeçares, ku janë marrë në pyetje njerëz me lidhje më të ngushtë me Klean, për të hedhur sado pak dritë mbi të vërtetën. Po kështu, në komisariatin nr. 2 të policisë janë thirrur për të dhënë dëshminë e tyre edhe shoqet e ngushta të 20-vjeçares Shyti, për të ditur se kush ka qenë i dashuri i viktimës, i cili nuk është identifikuar ende nga uniformat blu. Më të tej, shoqet e Kleas kanë pohuar se ajo ishte një vajzë e turpshme dhe e ndjeshme, por nuk kishin dëgjuar që e ndjera të kishte pasur ndonjë lidhje dashurie gjatë kohës që shoqëroheshin në fakultet.

Banorët

Për fqinjët e Klea Shytit, ngjarja e rëndë e largimit të shpejtë nga kjo jetë është thjesht e pabesueshme. Murati, i cili e njeh familjarisht 20-vjeçaren shprehet se, nuk ka mundësi që ajo vajzë të vdesë në këtë mënyrë. “E di si jam tani, njësoj sikur kjo ngjarje të më ketë ndodhur mua. Nuk dua ta besoj se Klea nuk jeton më! Ajo ishte një vajzë e ndjeshme, e kulturuar dhe mbi të gjitha një vajzë që të bënte krenar. Nëna e saj e ka rritur vetëm, së bashku me vajzën tjetër. Prindërit e Kleas u divorcuan kur ajo ishte shumë e vogël, por nëna i ka qëndruar pranë, duke u munduar që fëmijët e saj të mos e ndjejnë mungesës e babait. Vetëm pak ditë më parë më tha mamaja e Kleas, e cila punon si sekretare në Prokurorinë e Tiranës, se: “vajzën e kam me të gjitha 10-ta, në mësime”. Me të thënë të drejtën m’u bë shumë qejfi për të. Dëgjova disa hipoteza që 20-vjeçarja, mund ta ketë vrarë veten për një djalë, por unë për vete nuk e besoj. Kurrë në jetën time nuk e kam parë që të shoqërohet me djem, madje edhe kur donte të dilte nga shtëpia gjithmonë do të ishte e shoqëruar nga të afërmit e saj. Prandaj më duket e dyshimtë kjo histori. Pavarësisht se çfarë piste do të dalë më vonë, përsëri largimi i Kleas nga kjo botë më duket i pabesueshëm” mbyll rrëfimin e tij Murat Shehu.

Lamtumira

Familjarët, të afërmit, shokët dhe shoqet i dhanë dje lamtumirën e fundit nga kjo botë e Kleas. Të gjithë ishin të pikëlluar nga ikja tragjike e vajzës më shembullore si në familje po ashtu edhe në shkollë. Studentët e vitit të dytë të Fakultet Ekonomik, kishin përgatitur një kurorë me lule, ku sipër tyre ishte shkruar edhe një dedikim për të ndjerën: “Ti ike nga kjo jetë, por kurrë nuk do të largohesh nga zemrat tona e bukura Klea”. I pranishëm në varrimin e djeshëm ishte edhe babai i viktimës, i cili prej shumë vitesh ishte divorcuar nga nëna e saj. Ai jeton jashtë shtetit, por me të marrë vesh lajmin e hidhur të vdekjes së vajzës së tij, u nis menjëherë për të qenë i pranishëm në ceremoninë mortore. Shumë miq të 20-vjeçares, nuk gjejnë arsye për ta besuar se, përse Klea duhet ta bënte një akt kaq të tmerrshëm për veten e saj.

Klea, në shoqërinë e një djali dhe e ndjeshme ndaj poezisë

Nga vëzhgimi i rrjeteve sociale, Klea ndodhet në disa fotografi në shoqërinë e një djali, që dyshohet se mund të ketë qenë i dashuri i saj. Emri i tij nuk figuron nëpër foto, por nga komentet të gjitha gjasat janë që të jetë pikërisht ai. Në dy foto të ndryshme në Instagram, Klea shkruante për djalin me të cilin duket në foto në anglisht: “Dhe në fund, dashuria që merr është e barabartë me atë që jep…”. “Lumturia nuk është një zotërim që duhet çmuar, është një cilësi mendimi, një gjendje mendore”.

Në muajin tetor Klea kishte publikuar këtë poezi në profilin e saj në “Facebook”: Sa nevojë kemi për një tjetër shpirt ku të kapemi, Një tjetër trup që të na mbajë ngrohtë. Ku të pushosh dhe të kesh besim; ku ta japësh shpirtin tënd me mirëbesim: Kam nevojë për këtë, kam nevojë për dikë ku ta derdh trupin. -Sylvia Plath “Gëzuar ditëlindjen për një prej poeteve të mia të preferuara!! Edhe pse ajo nuk ia arriti kësaj dite…”, shkruante Klea./Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here