Policia i fton protestuesit që nesër të shmangen nga çfarëdo forme e dhunës

0

Në lidhje me protestën e cila pritet të mbahet nesër me 18 prill 2015 në orën 14:00 në Prishtinë, Policia e Kosovës e ka hartuar urdhrin operativ për mbarëvajtjen e kësaj proteste. Si pjesë e planit operativ, PK ka njoftuar se i ka bërë planifikimet për ri-orientimin e trafikut në rrugë alternative përgjatë kohës sa protestuesit shfrytëzojnë kalimin e tyre në rrugë, ku ka kërkuar mirëkuptim dhe apelon tek qytetarët që të shmangin vozitjen gjatë kohës së protestës në akset rrugore ku zhvillohet protesta, si në vijim:
1. Rruga “Garibaldi”;
2. Rruga “Gjorgj Bush”;
3. Rruga “Luan Haradinaj”;
4. Rruga “Robert Doll”;
5. Rruga “Kosta Novakoviq”;
6. Rruga “Bill Klinton”;
7. Rruga “Eqrem Çabej”;
8. Rruga “Agim Ramadani”;
9. Rruga “Xhemajl Prishtina”;
10. Rruga “Ilaz Agushi”;
11. Rruga “Ilir Konushevci”.

Qëllimi strategjik i këtij urdhri operativ sipas PK-së është:

*Siguria e përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit.
*Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas protestës.
*Ndërmarrja e masave të nevojshme operative policore, për të siguruar që protesta të kalojë pa ndonjë incident dhe të mundësohet shprehja e lirë e qytetarëve gjatë protestës.
*Ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimi i të gjitha dukurive negative që mund të shkaktojnë jostabilitet, që në çfarëdo mase do të rrezikonte rendin dhe qetësinë publike para, gjatë dhe pas protestës.
“Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit, do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës si dhe krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve”, është theksuar në njoftimin e Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë, protesta e manifestime, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi”, ka tërhequr vërejtjen PK.
Zbatimi i ligjit, garantimi i rendit dhe qetësisë publike, lëvizja e lirë dhe mbarëvajtja e qetë e kësaj proteste është prioritet i planit të Policisë së Kosovës. “I ftojmë qytetarët që të shmangen nga çfarëdo forme e dhunës dhe sjelljeve të kundërligjshme, për t’i kontribuar stabilitetit, rendit dhe qetësisë si dhe mbarëvajtjes së protestës në përgjithësi. Policia e Kosovës beson në kulturën e lartë të qytetarëve dhe shpreson se protesta do të kalojë e qetë pa incidente”, është përmbyllur komunikata e PK-së.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here