Policia e Kosovës thotë se i bastisi 38 lokacione, i intervistoi 11 persona në operacionin “për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike”

0

Policia e Kosovës-Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda, sot në orët e hershme të mëngjesit, ka realizuar planin operativ të koduar “Kontrolla”, ku në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, është ekzekutuar Urdhëresa e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për realizimin e operacionit të gjerë në nivel të vendit, i cili ndërlidhet me dyshimet për vepra të rënda penale.
“Ky operacion policor është ndërmarrë duke vlerësuar rëndësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend, si dhe parandalimin e çfarëdo lloji të veprave kriminale dhe ka përfshirë gjashtë (6) rajone të Kosovës si në; Prishtinë, Gjilan, Pejë, Gjakovë, Ferizaj dhe Prizren”, ka bërë me dije Policia e Kosovës përmes një komunikate të përbashkët me Prokurorin e Shtetit.
Gjatë realizimit të këtij operacioni policor sipas njoftimit janë shoqëruar për intervistim 11 persona, si dhe janë bastisur 38 lokacione të ndryshme, kryesisht shtëpi banimi. Ndërsa në cilësi të provave materiale sipas njoftimit janë konfiskuar armë dhe municion të llojeve të ndryshme, duke përfshirë pajisje dhe dëshmi tjera që ndërlidhen me rastin, si:
• Tri armë të gjata,
• Dy armë të shkurtra,
• Një armë e ftohtë thikë,
• Një sasi e municionit të kalibrave të ndryshëm si dhe
• Dëshmi tjera që ndërlidhen me rastin.

“Institucionet kompetente duke u bazuar në mandatin ligjor, do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend, si dhe parandalimin e të gjitha akteve kriminale, duke përfshirë edhe rastet e armëmbajtjeve pa leje”, ësht tërhequr vërejtja në komunikatë.

Ndonëse komunikata përshkohet me një vello misterioziteti, burimet thonë se këto bastisje dhe shoqërime në polici ndërlidhen me rastin Kumanova.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here