Policia e Kosovës parasheh dhunë dhe persona të armatosur në protestën e nesërme

0

PRISHTINË, 3 SHKURT – Policia e Kosovës ka njoftuar sot pasdite përmes një komunikate shtypi se bazuar në informacionet policore dhe vlerësimet e bëra të protestave të mëhershme, protesta e nesërme e organizuar nga Lëvizja Vetvendosje dhe e mbështetur edhe nga AAK e Nisma “pritet të jetë e dhunshme, ku në mesin e protestuesve mund të ketë edhe persona të armatosur, të cilët kanë për qëllim destabilizimin e situatës dhe shkaktimin e incidenteve, qoftë ndaj zyrtarëve policorë apo edhe ndaj vetë protestuesëve”. Për këtë arsye Policia e Kosovës ka apeluar tek të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë. Policia e Kosovës ka apeluar edhe tek prindërit dhe tek personeli arsimor, që të ndikojnë tek nxënësit, që të mos jenë pjesë e protestës dhe shfaqjes së mundshme të dhunës. Policia u ka bërë apel edhe qytetarëve dhe bizneseve të cilët nuk janë pjesë e protestës, por janë në afërsi të ambientit ku mund të zhvillohet kjo protestë, “të jenë të kujdesshëm për shkaqe sigurie”. Policia ka thënë se ka provuar të vë kontakte me organizatorët e protestës së 4 qershorit por ka theksuar se nuk ka hasë në përgjigje nga ata. “Policia e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës si dhe krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve” është shprehur Policia e Kosovës përmes një komunikate shtypi sot pasdite.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here