Mesfushori i Manchester Unitedit, Paul Pogba, ka zbuluar se ai inspirohej për stilin e tij të lojës nga “Djajtë e kuq” dhe Barcelona kur ishte i vogël, mirëpo tani frymëzohet nga mesfushorët e Manchester Cityt dhe Real Madridit.

Në fillim të karrierës së tij, mesfushori francez kishte dashur të bëhej sulmues dhe i kishte idhull disa lojtarë të cilët njiheshin për aftësitë e tyre si golashënues. Megjithatë, shumë shpejt u bë e qartë për të se aftësitë e tij përshtateshin më shumë me pozitën e mesfushorit, transmeton Gazeta Express.

Si rezultat i kësaj, dhe pasi që e kishte filluar formimin e karrierës së tij në akademinë e Manchester Unitedit, Pogba frymëzohej nga ish-mesfushorët legjendarë të këtij klubi, Paul Scholes dhe Michael Carrick.

Ai ishte gjithashtu tifoz i Xavit dhe Andres Iniestas, pasi që sipas Pogbës, ata ndihmuan që ta bënin skuadrën e Pep Guardiolës njërën ndër ekipet më të suksesshme në futboll. Megjithatë, këto preferenca tanimë kanë ndryshuar për francezin.

“Kur isha i vogël, unë i shikoja sulmuesit, mirëpo tani jam mesfushor dhe i shikoj mesfushorët. Unë mësoj nga Yaya Toure, Xavi, Iniesta, Paul Scholes, Michael Carrick. Më pëlqen t’i shikoj mesfushorët që ta përmirësoj veten sa më shumë”, ka thënë Pogba.

“Tani jam duke i shikuar Kevin De Bruynen, Modricin, Toni Kroosin. Të gjithë këta lojtarë i shikoj me shumë kënaqësi dhe tentoj të mësoj nga ta. Kjo është gjithmonë një gjë shumë e mirë për mua”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here