Plisat: “Të mos biem në provokimet e serbëve, po duan të mos na lënë të kualifikohemi”

0

Grupi i tifozëve, Plisat, përmes një komunikate për media, kanë reaguar rreth ndeshjes Shqipëri-Serbi, për të cilën kanë thënë se e “ndiejmë për obligim të deklarohemi për interesat, shqetësimet dhe kërkesat tona për këtë përballje”.

Përmes kësaj komunikate për media, grupi i tifozëve Plisat kanë bërë të ditur se do të jenë prezent në ndeshjen e 8 tetorit, Shqipëri – Serbi. Ata kanë kërkuar nga gjithë tifozët shqiptarë që të jenë të qetë në stadiumin Elbasan Arena dhe të mos bien pre e provokime të Serbëve.

Sipas Plisave, serbët do ta kërkojnë një gjë të tillë, mirëpo tifozët kuqezi duhet të jenë të qetë pasi që në këtë mënyrë mund të realizohet ëndrra për të marr pjesë në Euro 2016.

Kjo është komunikata e plotë e plisave për ndeshjen Shqipëri – Serbi:

Në prag të ndeshjes me Serbinë, ne grupi i tifozëve Plisat nga Prishtina, e ndiejmë për obligim të deklarohemi për interesat, shqetësimet dhe kërkesat tona për këtë përballje. Ky reagim bëhet i domosdoshëm duke e pasur parasysh që çdo lëvizje e Plisave pritet dhe shihet me kërshëri nga opinioni shqiptar. E duke i shtuar kësaj edhe rëndësinë e këtij takimi, nuk ka se si të mos sqarohemi për të gjithë.

Plisat ndonëse janë përballë me rrethana shumë të vështira, e kanë pasur të qartë rreshtimin prapa Kombëtares KUQ E ZI. Ky rreshtim i yni është bërë për shumë arsye. Në konsiderojmë se Kombëtarja KUQ E ZI është e vetmja kombëtare që na përfaqëson të gjithë shqiptarëve, të cilët megjithëse të ndarë, kanë qëllimet dhe idealet e njëjta. Kombëtarja duke përfshirë lojtarë nga të gjitha trevat shqiptare, konsiderojmë se e len shumë mirë të përfaqësuar secilin shqiptar.

Duke e pasur parasysh rëndësinë e ndeshjes së 8 Tetorit, ne me të drejtë shprehim shqetësimet tona për mbarëvajtjen e këtij takimi. Ne në Kosovë, e tashmë pas ngjarjeve të fundit pas ndeshjes në Beograd besojmë që të gjithë shqiptarët, jemi shumë të vetëdijshëm për të gjitha propagandat që shteti, mediat dhe publiku serb janë të gatshëm t’i bëjnë në mënyrë që nëpërmjet të vetë- viktimizimit të tyre, të shuajnë ëndrrën tonë për kualifikim.

“Duke pasur parasysh që përtej asaj që shihet në TV si një lojë sportive, futbolli është shumë më tepër se aq dhe rrjedhimisht ne i bëjmë thirrje çdo shqiptari në stadium që përkundër çdo provokimi nga ana e tyre, të kontrollojmë vet situatën dhe t’i mundim ata edhe në fushë, ashtu siç i kemi mundur edhe në çdo betejë tjetër”.

Në Beograd, ata edhe njëherë e dëshmuan se janë qendra e shovinizmit e racizmit në Ballkan. Ndërsa ne në Elbasan duhet të dëshmojmë se dashuria jonë për atdheun nuk nënkupton urrejtje dhe racizëm për tjetrin.

Në fund, duam t’ju bëjmë me dije të gjithëve që pjesëmarrja e Plisave në këtë ndeshje është vetëm vazhdimësi e pjesëmarrjes sonë në të gjitha ndeshjet e Kombëtares, sikurse brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Për më tepër, duam t’iu rikujtojmë se Plisat i mbesin besnik Kombëtares Kuq e Zi tani, sikurse edhe më parë kur ajo nuk ishte edhe aq popullore dhe në trend siç është tani, edhe kur rruga deri në Tiranë ishte 18 orë dhe kur përballeshim me të gjitha llojet e kritikave. Biletat për këtë ndeshje Plisat i kanë siguruar nëpërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit, dhe ne i jemi shumë mirënjohës dhe falënderues asaj.

Prishtina gjithmonë do të frymojë KUQ E ZI. Asgjë tjetër nuk e mobilizon kryeqytetin. E përjetshme është Shqipëria.

Plisat, Prishtinë

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here