Pikëpjekja e tre krizave

0

REVA BHALLA

Gjatë dy javëve të fundit, një marrëveshje e përkohshme u arrit në Bruksel për të mbajtur Greqinë në Eurozonë, një marrëveshje armëpushimi u arrit në Minsk dhe negociatorët iranianë bënë përparime në Gjenevë, për një marrëveshje të mundshme bërthamore. Skuadronët e diplomatëve kanë parandaluar njërën krizë gjeopolitike pas tjetrës. Megjithatë, do të ishte e pamatur të pranonim që tashmë vijat ndarëse që përcaktojnë këto çështje janë të qëndrueshme. Të kuptojmë se sa të ndërthurura mes tyre janë këto kriza është hapi i parë drejt vlerësimit se kur dhe ku do të shpërthejë kriza e radhës.
Gjermania dhe kriza e Eurozonës
Gjermania është bërë edhe një herë viktimë e fuqisë së saj. Si kredidhënësja më e madhe e Europës, ajo ka hapësirë politike manovrimi të konsiduerueshme mbi vendet huamarrës si Greqia, e gjithë jetesa e të cilëve varet tashmë nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe gatishmëria e saj për të firmosur një tjetër check për shpëtimin. Të mos harrojmë që Gjermania eksporton më shumë se gjysmën e GDP-së së saj, dhe shumica e atyre eksporteve konsumohen në Europë. Kështu që, institucionet ku Gjermania mbështetet për të mbrojtur tregjet e saj të eksportit janë të njëjtët institucione ndaj të cilëve Berlini duhet të luftojë për të mbrojtur pasurinë kombëtare të Gjermanisë.
Shumëkush e ka konsideruar marrëveshjen e fundit në Bruksel si një fitore për Berlinin ndaj Athinës, pasi ministrat e financave të eurozonës, përfshirë atë të Portugalisë, Spanjës dhe Francës, mbështetën Gjermaninë në refuzimin që kjo i bëri Greqisë për të anashkaluar detyrimet e saj. Por Merkel nuk është se do të vërë bast një sasi të pakufi fondesh të taksapaguesve gjermanë, mbi zotimet joseriozë të Greqisë për ulje të kostove dhe imponim të reformave strukturore ndaj një popullsie që, për momentin, vazhdon ta shohë partinë Syriza në pushtet si shpëtimtaren nga masat e shtrëngimit. Brenda katër muajsh, Greqia dhe Gjermania do të jenë sërish ballë për ballë, dhe me gjasë Greqisë do i mungojnë kredencialet që i nevojiten Berlinit, për të bindnur edhe euroskeptikët e tij, se e ka peshën institucionale për t’i imponuar nikoqirllëkun gjerman pjesës tjetër të Europës. Sa më shumë kohë që “blen” Gjermania, aq më jofleksibël bëhen pozicionet e gjermanëve dhe grekëve në negociata, dhe aq më seriozisht do e marrin rrezikun e një daljeje të Greqisë nga Eurozona tregtarët, biznesmenët dhe politikanët. Do të ishte i pari në një zinxhir ngjarjesh që do të copëtonin eurozonën.
Roli i krizës në Ukrainë
Me qëllim që të udhëheqë Gjermaninë nëpër një krizë që sa vjen e përshkallëzohet në Eurozonë, Merkeli ka nevojë të qetësojë frontin e saj lindor. Kështu që, nuk është për t’u habitur që kancelarja ndenji disa netë pa gjumë dhe udhëtoi me mijëra kilometra, vetëm e vetëm që të hidhte në letër një tjetër marrëveshje me Rusinë në Minsk. Marrëveshja ishte me të meta që në krye të herës, sepse ajo shmangte pranimin e përpjekjeve në vazhdim të separatistëve të mbështetur nga Rusia për të ndryshuar vijën e demarkacionit, duke futur edhe xhepin e Debaltseves në zonën e tyre të kontrollit.
Pas edhe disa ditësh përleshje, gjermanët e shtynë në heshtje presidentin ukrainas, Poroshenko (sërish duke shfrytëzuar statusin e tyre të huadhënësit), që të pranonte realitetin e fushëbetejës dhe të ecte përpara me zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit. Por edhe pse Gjermania nga njëra anë, dhe Rusia nga ana tjetër, ishin në gjendje të sillnin një qetësi relative në Ukrainën lindore, në fund të fundit kjo do të bëjë shumë pak për të ulur tensionet mes SHBA dhe Rusisë.
Lidhja mes Ukrainës dhe Iranit
Përkundër mendimit mbizotërues në Perëndim, Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk udhëhiqet prej ambicieve të marra territoriale. Ai sheh hartën, ashtu si kanë bërë paraardhësit e tij për shekuj të tërë, dhe përpiqet të gjejë një mënyrë për të mbrojtur Rusinë, përmes krijimit të një rripi të sigurtë territori, mes tij dhe një shteti kufitar që bie gjithnjë e më shumë nën ndikimin e një fuqie të madhe perëndimore. Sic ia ka shpjeguar disa herë SHBA Moskës gjatë ditëve të fundit, Shtëpia e Bardhë ruan të drejtën për të furnizuar me armë të rënda Ukrainën. Bashkë me armatimin e rëndë vijnë stërvitësit, dhe bashkë me stërvitësit vijnë edhe ushtarët në terren.
Nga këndvështrimi i tij, Putini mund të shohë që tani SHBA që zgjaten përtej kufijve të NATO-s, për të rekrutuar dhe bërë aleatë përgjatë periferisë së Rusisë. Edhe pse në Ukrainën lindore firmosen armatime kohëshkurtër, nuk ka asgjë që të parandalojë një ndëërfutje të mëtejshme të SHBA në rajon. Ky është hamendësimi që do të nxisë veprimet e Rusisë në muajt e ardhshëm, teksa Putini shqyrton zgjedhjet e tij ushtarake, që përfshijnë krijimi i një ure tokësore drejt Krimesë (një lëvizje që gjithësesi do ta linte të ekspozuar kufirin e Rusisë me Ukrainën), një shtytje më ambicioze drejt perëndimit për të kapur edhe Lumin Dnieper, si edhe aksione në shtetet Balltike, për të testuar besueshmërinë e NATO-s.
SHBA nuk e ka luksin që të përjashtojë asnjë prej këtyre mundësive, kështu që duhet të përgatitet si duhet. Por fokusimi në teatrin Euraziatik kërkon pikësëpari zgjidhjen e cështjeve të hapura në Lindjen e Mesme, duke nisur me Iranin. Dhe kështu vijmë në Gjenevë, ku Sekretari i Shtetit, John Kerry dhe Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif u takuan përsëri në 22 shkurt, për të shqyrtuar pikat e mbetura të një marrëveshje bërthamore përpara 31 marsit, dita kur supozohet se presidenti amerikan, Barack Obama, do të duhet të demonstrojë para Kongresit se është bërë përparim i mjaftueshëm, për ta penguar pra Kongresin që të vendosë sanksione të mëtejshëm ndaj Iranit. Nëse SHBA do të duhet të shqyrtojë realisht skenarë ku forcat ushtarake vihen përballë Rusisë në Europë, atëherë duhet të jetë në gjendje që të tërheqë me shpejtësi forcat që në dhjetëra vitet e fundit kanë shuar vatrat e konflikteve në emiratet xhihadiste dhe janë përgatitur për një konflikt të mundshëm në Gjirin Persik. Për të lehtësuar disi barrën në Lindjen e Mesme, SHBA do të shohë nga fuqitë rajonale me interesa të fortë dhe shpesh herë të rënë ndesh mes tyre, për të marrë pak më shumë përgjegjësi.
Një mirëkuptim SHBA-Iran shkon përtej dakordësimit se sa uranium do të lejohet të pasurojë dhe depozitojë Irani dhe sa lehtësim sanksionesh do të ketë Irani për kufizimin e programit të tij bërthamor. Do të vizatojë konturet rajonalë të një sfere iraniane të influencës, dhe do të lejojë hapësirë për Uashingtonin dhe Teheranin që të bashkëpunojnë në fusha ku interesat e tyre përkojnë. Këtë gjë mund ta shohim në veprim në Irak dhe Siri, ku rreziku që paraqet Shteti Islamik ka detyruar SHBA dhe Iranin të bashkërendojnë përpjekjet për të frenuar ambiciet e xhihadistëve. Ndonëse është e kuptueshme se SHBA do të jetë më e kujdesshme në deklaratat publike, teksa përpiqet të kufizojë ankthin e Izraelit, zyrtarët amerikanë thuhet se kanë bërë deklarata pozitive në lidhje me rolin e Hezbollahut për luftimin e terrorizmit, kur kanë folur privatisht me interlokutorët e tyre libanezë, gjatë takimeve të fundit. Në sipërfaqe mund të duket një hollësi e vogël, por Irani e sheh një afrim me SHBA si mundësi për të kërkuar pranimin e Hezbollahut si një aktor politik legjitim.
Një afrim SHBA-Iran nuk do të përfundojë deri në mars, qershor apo këdo afat tjetër që vendos Uashingtoni. Marrëveshjet kuadër për cështjen bërthamore dhe lehtësimi i sanksioneve do të zbatohen domosdoshmërisht në faza për t’i shtrirë negociatat deri në vitin 2016, kur Kongresi të lejojë skadimin e Ligjit bazë të sanksioneve ndaj Iranit, pasi të ketë testuar për disa muaj veprimet e Iranit dhe pasi në Iran të jenë zhvilluar zgjedhjet parlamentare.
Gjatë rrugës mund të dalin faktorë frenues, si për shembull vdekja e Udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, por këto nuk do ta pengojnë SHBA për hapjen e një rruge drejt normalizimit të marrëdhënieve me Iranin. SHBA, pavarësisht se cila parti kontrollon Shtëpinë e Bardhë, do ta vendosë rrezikun e një konflikti Euraziatik shumë më lart se sa konfliktin në zbutje me Iranin, në listën e vet të prioriteteve. Edhe nëse do të firmoset një marrëveshje për një mirëkuptim SHBA-Iran, Uashingtoni do të mbështetet në fuqitë rajonale si Turqia dhe Arabia Saudite për të “lëmuar” disi qoshet e sferës iraniane të influencës, duke nxitur rivalitetet e natyrshëm në rajon për të krijuar një ekuilibër të fuqive, me kalimin e kohës.
Rikthimi
Gjermania ka nevojë për një marrëveshje me Rusinë për të qenë në gjendje që të menaxhojë një krizë ekzistenciale për eurozonën; Rusia ka nevojë për një marrëveshje me SHBA për të kufizuar rrethimin amerikan në sferën e saj të influencës; dhe SHBA ka nevojë për një marrëveshje me Iranin për të rifokusuar vëmendjen e saj mbi Rusinë. Asnjë konflikt nuk është i ndarë nga tjetri, ndonëse gjithësecili mund të jetë në një shkallë të ndryshme. Gjermania dhe Rusia mund të gjejnë mënyra për të sheshuar dallimet mes tyre, ashtu sikurse dhe Irani dhe SHBA. Por një krizë e zgjatur në eurozonë nuk mund të shmanget, as edhe një mosbesim i thellë i rusëve ndaj qëllimeve të SHBA në periferinë e tyre.
Të dy këto cështje e rikthejnë SHBA në Eurazi. Një Gjermani e shpërqëndruar do të detyrojë SHBA që të shkojë përtej kufijve të NATO-s për të rrethuar Rusinë. Të jeni të sigurtë që Rusia – edhe pse në kushte ekonomike jo të mirë – do të gjejë mënyrën për t’u përgjigjur.
e.gj./www.bota.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here