Përtej grupimeve politike…

0

SALAJDIN SALIHU

Kam refuzuar që të jem pjesë e grupimeve politike, përkundër disa ofertave të sinqerta, që i respektoj. Refuzimi nuk është nxitur nga mendjemadhësia apo mungesa e respektit. Janë shkaqe të tjera, disa të natyrës subjektive.

Së pari: jam individualist. Adhuroj vetminë, madje ndjehem i vetmuar edhe në turmë. Suksesi apo dështimi varen prej punës personale. E sajon një botë të përfytyruar, i vetëm, nëpërmjet gjuhës. Me punën tënde e përfaqëson vetveten, askënd tjetër. Krijimtaria është akt individual. Nuk kërkon mandat dhe as e dëshiron. Flet në emrin tënd dhe jo në emrin e të tjerëve. Askënd s’e fajëson për dështimin dhe askush nuk vuan për shkak të këtij dështimi.

Dikush këtë refuzim mund ta quaj frikë, por në fakt është zgjedhje jetësore. Çdo njeri ka të drejtë të bëjë zgjedhjen e vet.

Politika, ndërkaq, kërkon bashkëpunëtorë në misionin që i vë vetes. Të jesh pjesë grupimesh politike duhet të ushtrosh edhe shtirjen. Je zotuar se do të respektosh një program të caktuar, prandaj duhet që të bësh kompromise e të humbësh paqen me mendimet tua për shkak të po këtij programi.

Individualisti vështirë bën kompromise për qëllime pragmatike, që janë në kundërshtim me bindjet ose më saktë me obsesionet e tij.

Së dyti: jam natyrë e brishtë. Politika kërkon gjakftohtësi dhe ndrydhje vullnetesh. Ka raste kur duhet ta pranosh të imponuarën dhe të heshtësh për diçka që nuk e përtyp dot. Në situata të këtilla, një natyrë si e imja, mund të bëjë diçka të paparamenduar.

Së treti:  kam ndërgjegje të lëndueshme. Dua paqe me ndërgjegjen time. Druaj nga dënimi i saj, që shkakton vuajtjet më të tmerrshme nga çdo vuajtje e jashtme. Stefan Cvajgu, në veprën “Viduka“, thotë:“Ai që nuk do të bëjë mëkat le t’i ngrys ditët në vetmi”. Kam frikë nga mëkati, prandaj dua t’i ngrys ditët në vetmi. Në politikë përligjen mëkatet.

Së katërti: kam bindje të një antipolitikani, që nuk është qenie apolitike. Antipolitika nuk është refuzim i politikës. Sipas Konradit, antipolitikani rebelohet individualisht, por nuk mund të organizohet në avangardë ose në grupime politike. Ai rebelohet i vetëm kundër një sistemi të egër dhe të gënjeshtërt shtetëror, por është kundër pasivitetit të njeriut apolitik. Qenia apolitike është pasive dhe beson se për të mendon dikush tjetër, ai “lart”, “i madhi”. Antipolitikani është qenie rebele, që mendon me kokën e vet, kurse rebelimi i tij është personal, i bazuar në bindjet individuale. Ai është njëfarë refuzuesi estetik i së keqes. Antipolitikani, sikurse thotë Tismaneau, zbulon vlerat e qytetarisë në kushtet e një robërie të plotë mendore dhe dhune të pareshtur ndaj autonomisë së individit, pavarësisht çmimit që duhet ta paguajë…

Refuzoj që të jem pjesë grupimesh politike, sepse dua të besoj se erdha në këtë botë për të kënduar këngën time, e cila nuk pëlqehet nga shumica; sepse nuk dua të mburrem për gjërat që s’i kam bërë, nuk dua që të flas për “veprat” që do t’i bëj apo të premtoj atë që s’do mund ta bëja. Nuk dua t’i fsheh mëkatet e mia dhe as të përligj mëkatet e të tjerëve. Nuk mund t’i duroj mitet e rrejshme. Më tmerron shija e turmës, e cila është sasi e jo cilësi dhe duartroket symbyllur ngase i mungon gjykimi kritik. Nuk i duroj servilët, lolot, hienat, që janë të pakursyer në lëvdata e pas çdo lëvdate e fshehin një intrigë apo një qëllim utilitar. Nuk mund t’i duroj padronët dhe nuk më duhen robërit. Shpirti i lirë nuk i duron princat. Nuk i duroj makutët dhe nuk mund të bëhem makut. Nuk i duroj mashtrimet e gënjeshtrat dhe nuk dua të mashtroj e të gënjej. Nuk e duroj gjuhën e zhveshur e të thatë dhe nuk dua të flas me gjuhën e kuptueshme nga shumica, pra me një gjuhëre, e cila i duhet politikanit për t’u lartësuar në kulmet e pushtetit. Dua ta lartësoj emrin tim me dështimet dhe dilemat e mia dhe nuk dua të më lartësojnë të tjerët me besimin e tyre të verbër.

Megjithatë, nuk jam kundër politikës. Pa politikë asnjë popull nuk e ka fituar lirinë. Politika është edhe pajtim i njeriut me shoqërinë, kurse politikanët e tanishëm kanë krijuar tension ndërmjet njeriut dhe shoqërisë. Besoj se ka shumë njerëz, veçanërisht nga brezi i ri, që mund të jenë politikanë të zotë. Nëse duan të kontribuojnë si politikanë, atëherë nuk guxojmë t’ua demonizojmë politikën. Politika nuk është privilegji për keqbërësit dhe mashtruesit, por detyrim i njerëzve të përgjegjshëm, që kanë ndjenjë për jetën e përbashkët.

Unë jam për reformë shpirtërore të njeriut. Si individ jam aktiv për të mirën e jetës komunitare. Me punën që di ta bëj më mirë: nëpërmjet shkrimeve. Megjithatë, nuk jam “Analfabeti politik“, për të cilin Bertold Brecht-i shkruan (në përkthim të  Skënder Buçpapajt): “Analfabeti më i keq është analfabeti politik. Ai nuk dëgjon, nuk flet, nuk do t’ia dijë për ngjarjet politike. Ai nuk e di se kostoja e jetës, çmimi i fasuleve, i peshkut,i miellit, i qirasë, i këpucëve e i ilaçeve varen nga vendimet politike. Analfabeti politik është kaq gomar sa krekoset dhe e fryn gjoksin duke thënë se e urren politikën. Nuk e di hajvani se nga injoranca e tij politike lind prostituta, fëmija i lënë rrugëve, grabitësi me thyerje, lind më i keqi i të gjithë banditëve, që është politikani mashtrues, mafiozi i korruptuar, lakeu i sipërmarrjeve kombëtare shumëkombëshe.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here