Perspektiva e një “lufte totale”, që tmerron kancelaritë e BE-së

0

IAN TRAYNOR

Në Bruksel dhe kryeqytetet e tjera evropiane, frika ndaj Vladimir Putinit po bëhet e dukshme. Gjendja ka ndryshuar brenda pak javësh, nga pafuqia për t’i dhënë një dorë ndihmë Ukrainës, tek një parandjenjë e keqe. Ankthi u shfaq edhe tek nxitimi i papritur drejt Moskës i Angela Merkelit dhe Fransua Holondit.
Për figurat kryesore diplomatike dhe afër negociatave mbi Ukrainën, oferta franko-gjermane për  paqe është më shumë një akt dëshpërimi, sesa një shenjë shpresëdhënëse për një armëpushim. “Nuk ka asgjë të re në planin e tyre. Është vetëm një përpjekje për të ndalur një masakër” – tha një zyrtar i lartë.
Ish-ministri i Jashtëm suedez, Karl Bild thotë se një luftë midis Rusisë dhe perëndimit aktualisht është shumë më e mundur. Duke iu referuar planit të BE-së mbi këtë çështje, një diplomat i lartë në Bruksel, u shpreh se armatosja e ukrainasve do të thotë në mënyrë të qartë, fillim i luftës me Rusinë, një luftë që Putini mund ta fitojë.
Duke njoftuar misionin e papritur në Kiev dhe Moskë, Holond u shfaq para kamerave si i rëndë dhe solemn. “Kriza ukrainase – tha ai – filloi me dallimet, më pas u shndërrua në një konflikt, më tej në një luftë, dhe tani rrezikon të bëhet një “luftë totale”.
Ish-kryeministri danez Anders Fog Rasmusen, deri kohët e fundit kreu i NATO-s, shprehu publikisht frikën se Putini mund të zgjerojë atë që ai e sheh si revizionizmin sovjetik në vendet që aktualisht janë anëtare të NATO-s dhe BE-së. “Në vendet balltike, Putin mund të rrezikojë provokimin e një stërvitje të vogël përmes një ‘lufte hibride’ – tha Rasmusen – vetëm për të provuar sesi do të reagonte ndaj saj aleanca perëndimore”.
Shkuarja e vetë kancelares gjermane Merkel në Moskë, flet në vetvete për seriozitetin e papritur të situatës. Kancelarja rusisht-folëse gjermane ka biseduar me Putinin gjermanisht-folës, më shumë se 40 herë gjatë vitit të shkuar, si ndërmjetësja kryesore perëndimore mbi krizën në Ukrainë.
Megjithatë deri të premten e shkuar ajo nuk kishte shkuar kurrë në Moskë. Vetëm pak javë më parë, Merkel anuloi pjesëmarrjen në samitin e Kazakistanit ku merrte pjesë edhe Putini, sepse ajo besonte se nuk kishte pikë kuptimi për të negociuar me dikë, të cilit ajo nuk i besonte më.
Putini po kërkon një marrëveshje të gjerë mbi Ukrainën Lindore, e aneksuar me forcë në javët e fundit nga separatistët e mbështetur prej tij, pra t’i jepet një autonomi e njohur ndërkombëtarisht dhe që një linje e re frontit të njihet si një bazë për arritjen e një armëpushimi të mundshëm.
Krahasimi mund të gjendet në vitin 1991 në Kroaci, kur serbët pushtuan një të katërtën e vendit dhe pastaj e konsoliduan kontrollin e tyre, prapa linjave që patrulloheshin nga paqeruajtësit e OKB-së. Ajo praktikë e gjymtoi dhe e destabilizoi më tej Kroacinë. Politikëbërësit evropianë thonë se ky është qëllimi i vërtetë i Putinit në Ukrainë.
Në Kroaci, aneksimi i territoreve zgjati plot 4 vite, deri kur Zagrebi, i armatosur gradualisht nga amerikanët dhe evropianët, arriti t’i mposhtte shpejt serbët. Asokohe, dallimi i madh ishte se serbët ishin të përfshirë në një luftë tjetër më të madhe në vendin fqinj Bosnjën, ku përfundimisht NATO i “bombardoi” ata në tryezën e bisedimeve. Kjo nuk do të ndodhë me rusët.
Ndërkohë armatosja e ukrainasve do të krijojë përçarje të mëdha mes amerikanëve dhe shumicës së evropianëve. Putin po luan mbi këto ndarje, sikundër ai po luan edhe me ndarjen që ekziston mes vetë evropianëve. Ai nuk ka nevojë të përpiqet të jetë shumë i ashpër. Ndarjet kanë qenë gjithnjë të pranishme, gjatë sanksioneve që perëndimi i ka vendosur Moskës. Të hënën BE-ja do të vendosë më shumë sanksione, duke e zgjeruar listën e zezë me një numër prej 19 zyrtarësh që janë shprehur pro-separatistëve. Këto dënime, janë gjithësesi tejet të papërfillshme.
Zgjerimi i sanksioneve, që jane aktualisht në fuqi kundër bankave ruse dhe kompanive, janë sigurisht masa më serioze. Nëse nuk shtyhen nga të gjitha qeveritë e BE-së, sanksionet skadojnë në muajin korrik. Vitin e kaluar, kundërshtari më i madh i tyre ishte kryeministri italian Mateo Renci si dhe ministrja e jashtme, Federika Mogerini, që tashmë koordinon politikën e jashtme të unionit.
Qeveria e re e së majtës pro-ruse në Greqi mund të jetë problemi i kësaj vere. Politika e sanksioneve deri tani i ka rezistuar presioneve, megjithatë tani po dëshmon rritjen e tyre në nivele akute. Diplomatët kryesorë të qeverive të BE-së thonë rregullisht se sanksionet po e dëmtojnë Rusinë, por nuk po funksionojnë plotësisht, përsa kohë nuk kanë arritur të ndryshojnë sjelljen e Putinit.
Tanimë BE-ja është e ndarë në dy pjesë, me Britaninë që kryeson grupin që është pro-sanksioneve dhe një grup tjetër të konsiderueshëm, që ankohet se ato i kanë kushtuar unionit reduktimin me përafërsisht 15 përqind të eksporteve drejt Rusisë. Gjermania është strumbullarja, ajo që mban ritmin e pushtetit.
Putin po shihet gjithnjë e më tepër si një lojtar i pamatur, që luan bllofe dhe merr në sy rreziqe të shumta, që është i padepërtueshëm, paranojak dhe i paparashikueshëm.
Të përpiqesh të gjesh se çfarë dëshiron ai, është thjesht supozim. Evropianët duken të frikësuar. Ukraina është një problem i madh për Evropën, por jo më pak realizimi i rimëkëmbjes së saj, që do të kushtojë dhjetëra miliarda euro e që do të marrë një kohë shumë të gjatë. Por për Europën po bëhet e qartë se makthi i vërtetë nuk është Ukraina, por Rusia e Putinit./“The Guardian”/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here