Përmbytje në Jug të Shqipërisë,lumi Vjosa del nga shtrati

0

Prej dy ditësh vendi po përballet me një situatë të rëndë për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Pasojat po shihen në disa prej rretheve të vendit, ku më i prekur mbetet jugu. Reshjet e shumta vazhdojnë të përbëjnë kërcënim dhe të shkaktojnë përmbytje, rrëshqitje dheu dhe prishje të rrjetit elektrik. Ja situatat e qyteteve gjatë orëve.

Vlora nën ujë, evakuohen familjet në Novoselë

Dhjetëra hektarëve tokë janë përmbytur në Novoselë, nga reshjet e dendura të shiut. Banorët e kësaj zone janë evakuuar, pasi të paktën 14 shtëpi janë të përmbytura nga uji.

Vendimi u mor pas një mbledhje herët mëngjesin e sotëm të Shtabit të Emergjencave Civile. Mungesa e energjisë elektrike në hidrovorë solli përmbytjen e zone. Dalja nga shtrati i lumit Vjosa dhe prurjet që vijnë nga Tepelena, Përmeti dhe Gjirokastra kanë rënduar më tepër situatën.

Edhe kryetari i komunës së Novoselës, Kanan Dhakaj i konsideroi përmbytjet masive deri në Fratar të Fierit.

Problemet në këtë zonë vazhdojnë prej ditës së djeshme, të cilën e vëzhgoi nga afër situatën vetë ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti. Ai parapriu një ditë më parë që nëse nuk do të rikthehej energjia elektrike në hidrovorë, do të kryhej evakuimi i banorëve.

Prefektura është duke hedhur thasë me rërë atje ku rreziku është më madh. 16 shtëpi në fshatin Novoselë janë nën ujë për shkak të shkak të reshjeve intensive dhe prurjeve. Po ashtu, të bllokuar janë fshatrat Bishan dhe Poro.

Berat, përmbyten 30 shtëpi

Lumi Vjosë ka përmbytur 30 shtëpi në Urën Vajgurore dhe po kërcënon disa lagje edhe të Beratit, ndaj forcat e ushtrisë dhe zjarrfikësit kanë nisur sot në orën 9:00 të evakuojnë menjëherë banorët nga shtëpitë e tyre.

Memaliaj, përmbyten banesat përreth lumit Vjosa

Situatë e rënduar paraqitet në Memaliaj, ku lumi Vjosa ka dalë nga shtrati dhe ka “pushtuar” të gjitha banesat përreth lumit. Ditën e sotme u njoftua se një shtetas, Fatos Fernuzi, ka mbetur i bllokuar nga uji në një lokal prej ditës së djeshme. Pas tentativës së zjarrfikësve për ta nxjerrë, shpëtimi i tij nga toka ishte i pamundur. Pritet që shtetasi të shpëtohet nga ajri, ku është thirrur një helikopter.

Tepelenë, përmbytja vë në rrezik banorët

Dalja e lumit Vjosë nga shtrati ka krijuar një situatë të rrezikshme në qytetin e Tepelenës. Nënprefekti i Tepelenës ka urdhëruar banorët e lagjes “Gurrë” të lënë shtëpitë, sepse përmbytja mund të ketë pasoja për jetët e tyre, jo vetëm për shtëpitë. Në fshatin Dragot, përmbytja është evidente. Rrugët drejt Përmetit janë të bllokuara.

Gjirokastër, mungon energjia elektrike

Ky qytet është gdhirë sot pa energji elektrike, pasi shiu që nuk ka pushuar gjatë gjithë natës me të njejtin intensitet, ka përmbytur edhe nënstacionin elektrik të qytetit. Në Gjirokastër uji ka vërshuar në shumë lagje dhe në shtëpi, si në Dunavat, Gërhot apo “11 Janari”.

Aksi Gramsh-Elbasan i pakalueshëm

Në orët e para të ditës së sotme, reshjet e shumta dhe prurjet e lumit Devoll kanë përmbytur urën e Shushicës. Nga përmbytja, aksi Gramsh – Elbasan është bërë i pakalueshëm, shtuar edhe rrëshqitjet masive të dheut. Probleme të mëdha hasen edhe në rrugën Gramsh – Kodovjat dhe në komunën Sult. Shembja e parë e dheut në Gramsh u regjistruan të premten, menjëherë pas fillimit të reshjeve të dendura, në aksin Gramsh – Elbasan, në afërsi të fshatit Shelcë.

Reshjet e dëborës, probleme në juglindje dhe verilindje

Në juglindje dhe verilindje problem janë bërë reshjet e dëborës. Për këtë arsye, shumë nga akset që të çojnë drejt Korçës apo edhe më tej janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, që po mban nën vëzhgim situatën, janë ngritur grupet e punës me shërbime të përforcuara.

Ndërkohë që raportohet se, për shkak të dëborës, ka probleme në akset rrugore Korçë-Qafë Qarr-Voskopojë-Dardhë dhe në pikën e kalimit kufitar të Goricës, akse këto të kalueshme me zinxhirë.

Aksi Bilisht-Kapshticë dhe aksi rrugor Ersekë-Qafë Qarr janë gjithashtu të kalueshëm me zinxhirë, ashtu sikurse dhe aksi Qafë Thanë-Plloçë, ku ndodhet edhe policia, që nuk lejon kalimin e mjeteve të pa pajisura me zinxhirë.

Probleme të ngjashme ka edhe në zonën verilindore të vendit, edhe pse aty reshjet nuk janë të njëjtit intensitet./Shekulli/

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here