Përfundon numërimi në 8 bashki, fitojnë kandidatët e koalicionit të majtë

0

Përfundon procesi i numërimit në 8 bashki dhe fitues kanë dalë kandidatët e së majtës.  Bashkia e Hasit, Skraparit, Pustecit, Delvinës, Peqinit, Fushë Arrzit, Kolonjës dhe Pukës do të drejtohen nga kryetarë të koalicionit të majtë.

Më konkretisht, Adem Lala në Has ka fituar me 4884 vota ose 52.98%, ndërsa kundërshtari i së djathtës, Elez Maçi arriti të merrte 4245 vota ose 46.05%. Në garë për këtë bashki ishte edhe kandidati i PSD, Gëzim Ukperaj, i cili mori vetëm 0.97% të votave. Në Skrapar, kandidati i ASHE-së Nesim Spahiu, fitoi me diferencë të thellë ndaj kundërshtarit të tij Hajredin Bakjasit, duke marrë 84.43%.

Në Delvinë Rigels Balili i ASHE-së, mori 72.8% të votave, ndërsa kandidati i APPD, Dhurim Alinani mori  27.2% të votave. Edhe Bashkia e Peqinit është fituar nga një kandidati i majtë, Saimir Hasalla, i cili arriti të merrte 9020 vota, ndërsa Albert Kreçi kandidati i APPD mori 4284 vota. Po ashtu edhe bashkia e Fushë Arrzit dhe Pukës është fituar nga kandidatët e ASHE, por me një diferencë të vogël. Në Pukë Gjon Gjonaj arriti të fitonte me një diferencë vetëm me 97 vota, ndërsa në Fushë Arrëz diferenca ishte vetëm me 66. Në Kolonjë, Arben Malo i ASHE-së ka marrë 4997 vota, ndërsa Viktor Duro, kandidat i APPD-së, 4076 vota.

22 qershor 2015 (gazeta-Shqip.com)

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here