Peresidentja Jahjaga: “Ikja nga Kosova nuk është zgjidhje”

0

VUSHTRRI, 6 SHKURT – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga e ka zgjedhur sot Komunën e Vushtrrisë, që cilësohet ndër komunat më të prekura nga fenomeni i migrimit ilegal i kohëve të fundit, që të përcjell disa mesazhe tek ata që po ikin nga vendi i tyre. Kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, e ka njoftuar presidenten për gjendjen në komunë, me theks të veçantë për trendin e largimit të banorëve të kësaj komune dhe migrimin e tyre ilegal. Presidentja Jahjaga ka biseduar edhe me shumë qytetarë të komunës së Vushtrrisë, prej të cilëve është njoftuar me problemet e tyre dhe i ka porositur ata që të mos e lëshojnë vendin, “sepse ikja nga Kosova nuk është zgjidhje”. “Erdha sot në komunën e Vushtrrisë, të bisedoj me secilin qytetar e të dëgjoj të gjitha brengat dhe të gjitha shqetësimet e tyre. Jam jashtëzakonisht e shqetësuar për ikjen e qytetarëve tanë. Ne jemi të vetëdijshëm se Kosova nuk është shteti të cilin e kemi dëshiruar që ta kemi sot, 15 vite pas përfundimit të luftës, por, zgjidhja nuk është tek ikja e qytetarëve tanë, sepse ne nuk kemi qytetarë për të ikur. Ne e dimë më së miri se çfarë është që ta lëshosh vendin, të ikësh prej vendit tend”, është shprehur Jahjaga në Vushtrri. “Procesi i shtetndërtimit nuk është një proces i lehtë, është një barrë e madhe e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve tanë, por, është kjo gjenerata jonë, e cila e ka barrën më të madhe, javën e ardhshme bëhen shtatë vite të pavarësisë së Kosovës, të procesit të shtetndërtimit të shtetit tonë dhe këtë proces duhet ta realizojmë bashkërisht, institucionet dhe qytetarët e vendit tonë”, ka sugjeruar presidentja Jahjaga. ”Kërkojë nga të gjithë qytetarët që të apelojnë te familjarët e tyre, te dashamirësit e tyre, te të gjithë të afërmit e tyre, që zgjidhja nuk është në ikje. Ata nuk duhet ta lëshojnë Kosovën, sepse ata janë qytetarët e Kosovës dhe ne bashkërisht duhet të koncentrohemi në ndërtimin dhe në avancimin e shtetit tonë”, është shprehur ajo.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here