PËR!

0

ASTRIT SALIHU

Gjykata Speciale duhet themeluar. Edhe pse do të kënaqë jo vetëm cinikët tanë, por edhe qarqet që janë kundër pavarësisë së Kosovës. Mu për këtë duhet të votohet për!

Ende si në mjegull më kujtohet njëfarë emisioni i debatit në Radio Televizionin e Serbisë, kur një ekonomist e shtroi një pyetje të cilës serbët, mbase ende janë duke ia kërkuar përgjigjen: Me çka e merituan shqiptarët që të bombardohet Beogradi?!! Kjo habi e serbëve për intervenimin e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës është e lidhur me trajtimin e veçantë që Kosova ka pasur në qarqet ndërkombëtare.

Mos të themi një fare trajtimi special të saj. Sot për Kosovën kemi po ashtu edhe kërkesa tjera të veçanta. Njëra prej tyre ndoshta më e rënda në Kosovën e pasluftës është ajo e themelimit të Gjykatës Speciale.

Themelimi i kësaj gjykate ka nxitur debate të ashpra në opinionin kosovar dhe në qarqet politike të Kosovës. Madje Lëvizja “Vetëvendosje”, doli së fundmi me qëndrimin për organizimin e protestave kundër themelimit të kësaj gjykate. Ky radikalizëm i qëndrimeve kundër kësaj gjykate tregon se ende shumëçka për opinionin kosovar mbetet e paqartë.

Përgjegjësinë për këtë e mbajnë institucionet e Kosovës e sidomos Qeveria e Kosovës. Arsyeja është shumë e thjeshtë: është dashur që qasja e qeverisë të jetë shumë më e përqendruar rreth kësaj kërkese, që të bëhet një analizë e gjithanshme e këtij vendimi politik, në njërën anë, si dhe një trajtim adekuat juridik i ligjit i cili duhet  shtyrë për të themeluar gjykatën.

Krejt kjo duhej përcjellë me kujdes në opinionin kosovar për të shmangur interpretimet e panevojshme të kuturisjeve patriotike kundër themelimit të kësaj gjykate. Sot, është më se e qartë që kjo gjykatë duhet themeluar. Sot, është më se e qartë se çfarëdo zvarritje dhe përpjekje për ta kundërshtuar është e kotë.

Ai vendim tashmë ka marrë pëlqimin në të gjitha instancat relevante vendosëse në BE, por edhe në ato të  SHBA-ve. Të gjitha pyetjet që po shtrohen sot për atë që në vendet e rajonit të përfshira në luftërat e ish-Jugosllavisë nuk ka pasur diçka të ngjashme – vetëm sa dëshmojnë për një jokonsistencë dhe shpërqendrim të plotë nga vetë procesi i cili është shumë i ndjeshëm dhe me pasoja.

Kjo ngase mënyra se si është menaxhuar çështja e themelimit të kësaj gjykate nga ana e qeverisë kosovare nuk lë për të dëshiruar asgjë më mirë.

Gjykata Speciale në pamundësinë e deritashme të menaxhimit efikas të sistemit tonë të drejtësisë për çka përgjegjësinë më të madhe mendojmë e mban EULEX-i, duhet t’u japë fund të gjitha hamendësimeve për atë që ka ndodhur në Kosovë.

Me cilindo variant që të përfundojë kjo gjykatë, nuk është se nuk ia vlen që njëherë e përgjithmonë të mbyllet kjo çështje që edhe përbrenda opinionit kosovar ende rri pezull dhe gjeneron animozitete politike të cilat në çdo fushatë dalin në sipërfaqe.

Edhe përkundër asaj që cinikët në këtë proces shohin njëfarë vetëkënaqësie hakmarrëse për gjetjen e zgjidhjes përfundimtare me “krimin” në vendin tonë.

Megjithatë ne si shoqëri nuk mund të mbajmë barrën dhe peshën e kriminalizimit. Fundja si shoqëri nuk mund të jemi të anatemuar me diçka të tillë. Duhet lënë që pamundësinë e menaxhimit të kaosit të luftës, në të cilën kemi pasur edhe krime, ta nxjerrim në dritë dhe të heqim nga vetja këtë barrë të cilën na ngarkojnë. Asnjë argument për ekuivalencën e krimit me atë të serbëve nuk mund  dhe  nuk  duhet  ta  shtjellojmë.

Krimi është krim. Ai nuk mund të kuantifikohet sepse hyjmë në një rrjedhë aspak të dëshirueshme argumentuese për ndonjë vetëkuptueshmëri të krimit nga pala shqiptare.

Tashmë është e qartë se themelimi i kësaj gjykate është vendim politik. Është më se evidente se themelimi i kësaj gjykate, po ashtu duhet kënaqur kërkesat edhe të qarqeve antikosovare, ose me fjalë të tjera të atyre që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.

Raporti i Dick Marty-t është baza e akuzave për të cilat duhet themeluar gjykata. Ndoshta, jo përkundër kësaj, por mu për këtë duhet vendosur pro themelimit të gjykatës.

Kjo gjykatë do duhej njëherë e përgjithmonë të mbyllë çështjet zvarritëse nëpër të cilat sot po kalojnë shumë nga të akuzuarit edhe nëpër gjyqet tona me panele ndërkombëtare.

Aty, jo vetëm që deri më tani nuk ka pasur ndonjë bazë, por me atë që kemi në informacion as që ka pasur ndonjë akuzë serioze, ose edhe të mbështetur për dënimet që po shqiptohen.

Ndoshta mbetet që në Gjykatën Speciale të dëshmohen për ndonjë nga krimet e  bëra dhe që ata që kanë kryer ato të japin edhe përgjegjësi para drejtësisë.

Ne si shoqëri duhet të ballafaqohemi edhe me këtë sfidë. Ne duhet të ngremë arsyet e ndërtimit të shtetit në një rrafsh më të lartë – për çka edhe ekzistojnë ato në thelbin e tyre. Si sisteme të balancuara të drejtësisë për të gjithë. Nëse gjykata do ta kryejë këtë punë, natyrisht si komplementare me drejtësinë tonë, atëherë mund vetëm të dëshirojmë që ajo  të arrihet. Tjetër rrugëdalje nuk ka.

JNK

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here