Për gruan

0

KIMETE BERISHA

Zoti është mashkull;
I biri i Zotit është mashkull;
Pejgamberi është mashkull;
Profeti është mashkull;
Apostujt janë meshkuj;
Papa është has mashkull;
Juda është mashkull e gjysmë;
Edhe Buda është mashkull;
Edhe engjëlli i vdekjes është mashkull;
E ish dasht që së paku me qenë dy engjëj të vdekjes, njëri engjëll i vdekjes me qenë femër, që kur t’ua merr shpirtin femrave, mos me ua pa atyre cullakun!

Mbretëria e Zotit është mashkullore, çka ke me thënë ti për botën e kësaj toke ku edhe pushteti hyjnor është mashkullor. Pra, superioriteti i meshkujve ndaj femrave është hyjnor, kozmik, qiellor, e kanë dhuratë nga të gjitha religjionet, ama të gjitha religjionet janë mashkullore dhe anti-femërore, duke filluar nga Kisha romake katolike, e duke mos i harruar ortodoksët hebrenj që janë ekstremisht të pagdhendur, e ku sot në Izrael ende vajzat shkojnë në shkollë ndamas meshkujve, e ku gruaja nuk del në rrugë pa e marrë përdore një fëmijë (djalë) të vogël, për t’ia ruajtur asaj moralin nga djemtë e mëdhenj.

E s’po i përmend fare myslimanët, të cilët së paku nuk shtiren francezë (dashnorë të mirë) sikurse që e bënë këtë Kisha romake katolike, vrasësit e qindra mijëra ‘shtrigave të vogla’.

Dashuria duhet të rishkruhet.
Jo veç religjionet, por edhe filozofia, letërsia dhe filmi e ka portretizuar femrën si krijesë inferiore dhe të brishtë.

Cili klerik fetar e cili xhihadist foli e shkroi kundër femrave me zi se Shopenhauer, për shembull!
Dhe, shkruajti keq për femrat me inat, vetëm pse ishte dashnor i keq, i urrente femrat sepse nuk e donin femrat.
Nuk e donin femrat, sepse ishte i pagdhendur, i vrazhdtë, dhe i kompleksuar. Cila femër do ta puthte filozofin i cili me vete vazhdimisht e merrte një ‘cucull, si gyp’, për të pirë ujë pa i prekur buzët me tas.

Mençuria nuk të bën mashkull. Fuqia nuk të bën mashkull.
Nevoja për t’u ndier mashkull e ka një tjetër brengë: do të ndjehet forca, fuqia, pushteti, dominimi..E di këtë ndjenjë, se nja dy-tre herë (kur kam qenë keq dhe jam ndier e pafuqishme) kam dëshiruar të jem mashkull, ushtar bile, që pa ndjenja, si meshkujt, por me forcë dhe me vrazhdësi t’i zgjedhi problemet e mia.

Nuk është lehtë, po është zor për një mashkull që vajzën me buzëkuq me marrë seriozisht.

Edhe më zi se Shopenhauer që propozonte t’u ndalohet grave hyrja në teatër, dhe që femrat të mos dëshmonin në gjyq sepse rrejnë, ishte Fridrih Niçe.
Kur ia përvetësoi dijen Zaratustrës, nuk e la pa ja vjedhur edhe këshillën e tij drejtuar burrave: ‘Je nisur te gruaja? Merre kamzhikun me vete’! E çka dallon kjo thirrje e Niçes nga ata meshkujt e pagdhendur që i njohim ne dhe që e dimë se i rrahin gratë e tyre.
Po, si Shopenhauer, ashtu edhe Niçe ishte një dashnor i mjerë që nuk ishte në gjendje ta bënte për vete asnjë grua.
Një herë u dashurua edhe ai, dhe edhe atëherë kur qe i lumtur me vajzën, i shkruante publikisht vjersha dashurie (me emër e me mbiemër), e kur u zemërua prej saj, i shkruante publikisht vjersha urrejtjeje, e bënte horë vajzën (me emër e me mbiemër) për hakmarrje, siç nuk do ta bënte as mashkulli më i keq dhe më i prapambetur mesjetar.

Mençuria nuk të bën mashkull, as dashnor, as shok me femrat.
E, filozofia është absolutisht e padobishme në jetën e përditshme, filozofia është diçka solemne, që s’i hyn në punë jetës reale që është gjithmonë prozaike dhe banale!

Dashuria duhet të rishkruhet, të rigjetet!

Gogoli nuk ndjente asgjë ndaj femrave; Bodleri jetonte me gjarpërinj; poeti Pol Verleni e rrahte gruan e vet ndërsa vdekja e zuri në një dhomë me një prostitutë; Mopasani ishte narkoman: verën e kalonte në plazh me femra, dimrin e kalonte nëpër shtëpi publike; Molieri ishte i pangopshëm seksualisht; Pushkini iu turr princesësh Volkonska duke menduar se është pastruesja.

E Bajroni? Çka i bëri ai gruas së tij? Një ditë së bashku me gruan e tij shkuan në vizitë te vajza e axhës së tij. Bajroni, në prani të gruas së tij, kërkoi nga vajza e axhës së tij, që t’ia tregojë të gjitha letrat që Bajroni ia kishte shkruar asaj gjatë tre viteve të fundit. Nga leximi i letrave, gruaja e kuptoi se burri i saj Bajroni ndër dashnore tjera e kishte për dashnore edhe vajzën e axhës së tij, të cilën herën e parë e kishte dhunuar. Gruaja i hodhi letrat dhe me idhnim u largua nga dhoma. Bajroni i tha me zë të lartë: ‘Dhe, ti zojë paske menduar se unë vdes nga dashuria për ty’!
Bajroni pra ndaj gruas dhe dashnores ishte i pagdhendur, i vrazhdtë dhe banal siç është secili njeri që nuk di kah pëshurr pula!

Madje edhe Aristoteli s’ka qenë bash normal. Në ‘Politika’, Aristoteli shpjegon se sa deme te mëdha pësuan spartanët, ngaqë u lejuan grave shumë gjëra. Kështu, ato gëzonin trashëgiminë, prikë dhe mjaft liri, çka ndikoi në rënien e Spartës, sipas tij.

Nuk ka njerëz normal. Ka diçka te femra që e nxit arrogancën e meshkujve, dhe anasjelltas, ka diçka te meshkujt që e nxiit nevojën e femrave për siguri dhe mbështetje.
Ndoshta ka njerëz normal, por ata njerëz nuk i gjen në libër, në letërsi, në filozofi dhe në art.
Nëse njerëzit normal nuk i gjen në libër, pse pret t’i gjesh jashtë librit, në jetën e përditshme, ku me asnjë fjalë të bukur dhe me asnjë metaforë nuk mund t’i fshehësh aspektet banale të raporteve me ata që të rrethojnë.

Unë sot jam zgjuar herët, dhe jam fillikat vetëm duke e pirë një gotë ujë në një vend që s’e di si quhet këtu në periferi të Prishtinës. Prehërin e kam të mbuluar me letra gazetash të vitit 2004 dhe me librin e Shopenhauerit mbi gratë. Pasi kalova 10 min. e humbur mbi letra të vjetra, kamarieri m’u afrua dhe më tha: shefi të ofron të pish kafe apo të hash një copë ëmbëlsirë. Ah, po, sot është dita ime, m’u kujtua…Shefi i tij nuk po ma sheh fytyrën, se shpinën e kam të kthyer kah ai…Nuk ja ktheva kafën dhe kur u ndala të mendoj, e dëgjova duke folur me shokun e tij për sëmundjen e zemrës së tij, për ushqimet e dëmshme dhe për sheqerin e kolesterolin në gjak.

Zemrën nuk e plas ushqimi, por dashuria, pasi që del nga zemra.

Vetëm ato gra që e kanë parë mashkullin duke kaluar nëpër procesin e vdekjes dinë të tregojnë për fuqinë mashkullore dhe për burrërinë…
Derisa ‘Gruaja shkon te burri’ gjithmonë do të ketë 8 Mars. E numri tetë simbolizon ‘fatin e keq’, ditën e të vdekurve dhe pafundësinë, rrugën që kurrë nuk përfundon.

Prandaj, ti femër:
Kujdesu për veten; duaje veten; këqyre veten, ruaje mendjen tënde; lufto si e çmendur, si mashkulli më i keq; askush nuk të do kur dukesh keq, as ti veten, prandaj ruaje bukurinë; me lëvoren e secilës pemë që e ha, lyeje fytyrën tënde; mos e hudh pakon e kosit të harxhuar, shqyeje me thikë, dhe nxjerr nga kosi i mtrashur që ka mbetur i ngjitur paketës, lyeje me të fytyrën tënde-mos u plak para kohës, si pema e thartë që çel, piqet dhe bie në të njejtën stinë.

Dhe, mos kërko shpëtim nga mashkulli, sepse edhe ai njejtë si ti, është duke kërkuar shpëtim te ti.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here