Për dy vrasje të kryera në Zvicërr kërkon të vuajë dënimin në Kosovë

0

Vrasja e dyfishtë që shqiptari nga Kosova Shani S., pati bërë në gusht të vitit 2011në Pfäffikon të Cyrihut pati tronditur opinionin zviceran dhe për një kohë të gjatë nuk pati zbritur kryelajmet e medieve. Fakti se Shaniu, përveç bashkëshorten e vet e kishte vrarë edhe shefen e shërbimit social të kësaj komune, e bënte këtë temë edhe më të mprehtë.
Gati katër vite më vonë, i dënuari me burgim të përjetshëm ka shprehur dëshirën që pjesën mbetur të dënimit ta vuajë në Kosovë.
Avokati i tij ka deklaruar të hënën për mediet zvicerane se mandanti i tij do të bëjë një kërkesë zyrtare për një gjë të tillë. Sipas tij, edhe pse jeton që nga viti 1985 në Zvicër, atë nuk e lidh më asgjë me këtë vend. Ai nuk ishte integruar kurrë si duhet ndërsa pas vrasjes, nga ai janë larguar të gjithë (gjashtë) fëmijët.
Nga ana tjetër në Kosovë Shaniu ka edhe pjesëtarë të tjerë të familjes.
Për vrasjen e dyfishtë, të cilësuar si vrasje të rëndë, Gjykata e Lartë e Kantonit të Cyrihut, në nëntor të vitit 2014 ia kishte shqiptuar atij një dënim me burg të përjetshëm. Me këtë vendim ajo e kishte përforcuar vendimin e njëjtë të shkallës së parë, gjegjësisht Gjykatës së Qarkut në Horgen.
Sa i përket vazhdimit të vuajtjes së dënimit në Kosovë për Shaniun ekziston një kornizë ligjore. Bëhet fjalë për marrëveshjen në mes të Zvicrës dhe Kosovës të nënshkruar në maj të vitit 2013, e cila mundëson transferimin e të burgosurve nga njëri vend në tjetrin.
Avokati Thomas Fingerhuth thotë se klienti i tij do ta bëjë një kërkesë për transferim, në adresë të Zyrës Federale të Drejtësisë, ndërsa rreth kësaj do të vendosë kantoni.
Në rast se bëhet një kërkesë e tillë, kjo do të ishte hera e parë në Zvicër që dikush do të shfrytëzonte një mundësi të tillë, transmeton albinfo.ch.
Zyra Federale e Drejtësisë (BJ) konfirmon për mediet e këtushme se deri më tash nuk ka ndodhur asnjë rast i transferimit të të burgosurve për te vazhduar vuajtjen e dënimit në Kosovë. Kanë qenë pesë kërkesa, por të gjitha janë hedhur poshtë nga autoritetet përkatëse kantonale ndërsa një ushtrues i një kërkese të tillë e kishte tërhequr vetë kërkesën.
Sipas BJ-së, përpunimi i një kërkese për transferim është një punë gjegjësisht procedurë e ndërlikuar e cila zgjat rreth një vit. Për një gjë të tillë duhen bërë sqarime të shumta, duhen plotësuar kushte të ndryshme etj. BJ këmbëngul se “nëse në Kosovë ekziston rreziku i lirimit të parakohshëm që do të kishte si pasojë shkurtimin e paligjshëm të masës së dënimit, kërkesa do të hidhet poshtë./albinfo.ch/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here