Paulonia-druri magjik; çdo 3 vjetë arrinë lartësi 18-20 metra, një m3 i saj 500-700 euro

0

Zef Gjonaj nga Mirdita rrëfen për një përcojë interesante të tij. Ai me profesion ishte mësues, por pas vitit 1999 emigroi në Itali, për një jetë më të mirë. Në pamundësi që në Itali ta ushtrojë profesionin e mësuesit ka përfunduar atje si një fermer.

Ai këto ditë ishte në vendlindje në një aktivitet kulturor, ku dhe rrëfeu eksperiencën e tij të rrallë. Na qenka një tip druri shumë i veçantë i ardhur nga Europa rreth viteve 1800 i quhej paulonia. Dhe gjatë përpjekjeve për t`u punësuar, në pozitën e një emigranti, Zefi ka rënë në kontakt me këtë pemë, e ka studiuar dhe më pas e ka kultivuar.

Ai nxjerr nga çanta e tij një copë shkopi sikur ishte një vegël muzikore që i ngjante fyellit, duke sqaruar se në fakt ishtë një lloj fidani paulonia që të habiste me peshën shumë të lehtë. Njëri nga bashkëbiseduesit, me një karrierë rreth 40-vjeçare si specialist i bujqësisë dhe pyjeve e shihte si rastin e parë këtë lloj druri.

Më pas Zefi do të tregonte rreth kësaj lënde drusore shumë të leverdisshme, prej së cilës mund të përfitojnë fermerët tanë, gjithnjë nëse e kanë me zell punën. Madje një këshillë shumë e vlefshme e tij, drejtuar në distancë edhe deputetit Kokëdhima, si flamurtar i idesë për legalizimin e kanabisit: pse të merremi me kultivimin e bimëve të ndalura me ligj, kur janë mundësitë e përfitimit të madh në kultivimin e kësaj kulture e cila sjell shumë leverdi ekonomike.

Ai thotë se kjo është plotësisht e mundur, nëse do kishte dhe një mbështetje nga institucionet, sidomos nga dikasteri i bujqësisë, në interes të fermerëve. Por Zefi thotë se ndihet i zhgënjyer nga ky dikaster pasi një vit më parë është zhvilluar një seminar konkretisht për këtë lloj druri, pa u ftuar vetë fermerët që të njiheshin me të.

Më tej ai do të shpjegoj formën e zhvillimit të paulonias si një fidan druri industrial me shumë leverdi për t’u trajtuar e më pas tregëtuar. Po çfarë është kjo bimë? Një fidan i çertifikuar nga strukturat europiane që përdoret në prodhimin në një kohë shumë të shpejtë të një mase të madhe lënde drusore shumë të kushtueshme dhe shumë të përdorur. Mbillet një herë dhe për rreth 50 vjet kryhet vetëm marrje e lëndës drusore, si dhe mjaltit shumë cilësor që prodhohet nga lulet. Çdo tre vjet ajo arrin një trashësi 30-35 cm dhe lartësi 18-20 m, kështu që në një hektarë sipërfaqe të mbjellë me këtë kulturë arrihet 450 m3 lëndë drusore, nga kjo 200 m3 lëndë e cilësisë së parë me një çmim sot në tregun europian 500-700 euro për m3.

Zefi me shumë dashamirësi fton fermerët që ta kultivojnë këtë lloj druri me leverdi, duke i siguruar se do ia shohin hajrin shumë shpejt. Aq më tepër që nuk kërkohen  shumë investime.

Edhe pse këtë mundësi ia ka dhënë emigracioni, Zefi tejet miqësisht u bën apel bashkëatdhetarëve të tij, atyre që i njeh dhe atyre që nuk i njeh, që mos e braktisin vendin, por të shfrytëzojnë çdo mundësi për të arritur mirëqenie. Dhe për këtë ofron shembullin e vet, “çudirat” që ka bërë si fermer duke kultivuar paulonian.

Zefi

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here