Pas takimit të liderëve, Qeveria thotë se koalicioni i ka punët mirë

0

Pas më shumë se dy orësh ka përfunduar takimi i përfaqësuesve të koalicionit qeverisës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte thirrur në një takim urgjent në ora 16:00 të gjithë krerët e koalicionit, raporton lajmi.net.

Kadri Veseli, Fatmir Limaj e Behgjet Pacoilli ishin në këtë takim, por që asnjëri nga ta nuk është prononcuar për media.

Siç merret vesh, temë e këtij takimi ka qenë taksa prej 100 për qind e vendosur për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës.

Por pas takimit Qeveria e Kosovës ka dalë me një komunikatë.

Sipas një komunikate, platforma e Dialogut do të reflektojë pozicionin unik të institucioneve të vendit për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht e Obligueshme, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Aty thuhet se partnerët e koalicionit janë dakorduar që ditëve në vazhdim t’i intensifikojnë veprimet dhe aktivitetet drejt harmonizimit të vendimmarrjes. 

“Në takimin e sotëm të liderëve të partive të koalicionit qeverisës, u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, për funksionimin e institucioneve, përmbushjen e agjendës qeverisëse dhe legjislative, me theks të posaçëm aprovimin e Buxhetit 2019, pakon e ligjeve përcjellëse, platformën e dialogut dhe çështjen e taksës. 

Partnerët e koalicionit janë dakorduar që ditëve në vazhdim t’i intensifikojnë veprimet dhe aktivitetet drejt harmonizimit të vendimmarrjes për sa u takon temave të sipërpërmendura. 

Gjatë takimit është biseduar kryesisht për aspektet kryesore që ndërlidhen me platformën e dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës. 

Platforma e Dialogut do të reflektojë pozicionin unik të institucioneve të vendit për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht e Obligueshme, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Po ashtu, liderët e koalicionit u zotuan për intensifikimin e hapave dhe bashkërendimin e vendimeve me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe BE-në. 

Është vlerësim i përbashkët se koalicioni është funksional dhe stabil. Do të vazhdohet me përkushtim në arritjen e qëllimeve në përputhje me objektivat programore qeverisëse”, ka shkruar Qeveria.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here