“Partinë e Berishës do ta shkrijmë, Vlora nuk ia fal marrëveshjen e detit”

0

Në Partinë Socialiste ka vend për çdo qytetar që dëshiron të anëtarësohet, për t’u përfshirë në qeverisjen e vendit. Reforma për riorganizimin e saj në rajonin e Jugut është përshkuar nga nderimi i thellë i gjithë partisë për të gjithë militantët që u rritën e u moshuan me flamurin e PS-së.

Kështu u shpreh deputeti socialist, Koço Kokëdhima, sot në mesditë, në një takim në Vlorë, ku një numër i madh qytetarësh u bënë anëtarë të rinj të Partisë Socialiste. Kokëdhima tha se riorganizimi i PS-së në rajonin e Jugut dhe ngritja e grupeve të punës i ka dhënë partisë një frymë të re dhe qytetarëve mundësinë për të marrë përgjigje për problemet e tyre.

“Çdo socialist i gjen selitë dhe të zgjedhurit shumë më lehtë. Ata nuk thonë më dot se nuk marrin përgjigje për problemet e tyre. Institucionet që kemi ngritur janë në shërbim të qytetarëve. Reforma që po zhvillojmë është përshkuar nga nderimi i thellë i gjithë partisë për të gjithë militantët që u rritën e u moshuan me flamurin e PS-së, për ata socialistë të devotshëm që u pushuan nga puna, madje edhe u vranë, por kurrë nuk e tradhtuan PS-në. Edhe një herë dua të vë në dukje nderimin e thellë të partisë për të ashtuquajturit socialistë race. Të gjithë të nevojshëm, asnjë i tepërt. Në PS ka vend për çdo qytetar që dëshiron të anëtarësohet. Selitë e PS-së në rajonin tonë janë të mbushura me aktivistë deri në orët e vona, si në kulmet e fushatave elektorale. Kjo është një lëvizje popullore në të cilën janë përfshirë dhjetëra mijëra vetë”, tha ai.

Deputeti socialist theksoi se PS-ja synon të mbledhë rreth vetes njerëz të shkolluar e të edukuar, duke u lënë hapësirën e vet edhe të rinjve dhe femrave. Kokëdhima u shpreh se janë krijuar një numër i madh organizatash socialiste, në të cilat janë përfshirë të gjitha grupet e interesit.

“Disiplina dhe kultura institucionale nuk e kthejnë partinë në pashallëk. Sot ne hapim dyert e partisë në rajonin tonë. Janë krijuar 103 organizata socialiste tematike, 700 organizata socialiste mbi bazën e QV-ve. Në to ka përfshirje të të gjitha grupeve të interesit, moshës, nivelit arsimor, gjinisë etj. Gratë do të jenë gjysma e partisë. Në organizatat socialiste të fshatrave, gratë do të përbëjnë jo më pak se 30 për qind. PS-ja nuk është pronë e askujt. Ne jemi parti elektorale, jo klasore”, tha ai.

Kokëdhima u shpreh se në PS nuk ka vend për ata që përpiqen ta trajtojnë atë (partinë) si pronë të familjes e të fisit. “PS-ja para së gjithash u përket qytetarëve të vendit. Mandati i grupeve të punës përfundon me certifikimin e fitores së zgjedhjeve të vitit 2017”, tha ai.

Deputeti socialist komentoi edhe largimin e PBDNJ-së së Vangjel Dules nga koalicioni i majtë. Ai tha se mbështetësit e braktisën partinë e Dules, për t’u bërë pjesë e PS-së.

“Gjatë këtyre muajve, ne kemi mirëpritur në PS shumë njerëz që e braktisën partinë e Dules. Ai ka qeverisur në komunat e minoritetit për shumë vite, me mbështetjen e socialistëve. Dulja e zhbëri dhe shkriu partinë duke lënë mbrapa shijen e hidhur të zhgënjimit”, tha ai.

Kokëdhima u ndal edhe në akuzat që ish-kryeministri Berisha bën herë pas here në adresë të tij. Deputeti socialist theksoi se socialistët e rajonit të Jugut dhe sidomos qytetarët e Vlorës nuk do t’ia falin kurrë Berishës përpjekjen për faljen e detit.

“Saliun do ta shkulim më keq se Dulen. Partinë e tij do ta tresim. Në rajonin tonë nuk ka iluzione askush se çfarë përfaqëson ky plak i përdalë. Ne nuk do ta harrojmë kurrë marrëveshjen e detit. Ai u përpoq t’u falte fqinjëve territore të tëra të rajonit të Vlorës. Ai shpif e dezinformon në mënyrë të paprinciptë”, tha Kokëdhima./Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here