Partia e Nexhat Dacit shkrihet në LDK.Ja përse

0
Nexhat Daci ka treguar arsyen e shkrirjes së LDD-së në LDK. Ai ka thënë se ky ishte një hap i nisur nga LDD-ja për t’iu bashkuar shtëpisë së vjetër – LDK-së.
Në një intervistë për emisionin “Rrokum Rroll” Daci ka bërë me dije se LDD-ja po shkrihet në LDK pa asnjë marrëveshje dhe asnjë kusht.

Ai ka treguar se situata e krijuar në Kosovë viteve të fundit ua kishte imponuar shkrirjen në LDK.
Daci ka thënë se nuk do të jetë pjesë e procesit zgjedhor të LDK-së, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që nëse i kërkohet nga elektorati rugovian, të jetë pjesë e strukturave të LDK-së.

Z. Daci është e vërtet se LDD-ja është shkrirë në LDK?
Daci:
Po, është e vërtet. Më 24 të këtij muaji organet e LDD-së kanë debatuar gjatë, nga ajo që shkruan në komunikatën e LDD-së është përmbajtja e vendimit të Kryesisë së strukturave.

Cilat kanë qenë kushtet e juaja për kthimin në LDK. A ka pasur marrëveshje?
Daci:
Ka qenë një grup punues nga LDD-ja, që ka biseduar me individë të caktuar por nuk ka ndonjë marrëveshje, as gojore dhe as të nënshkruar me LDK-në. Situata e krijuar në Kosovë viteve të fundit mendoj se na ka imponuar këtë rrugë, meqë jemi të një fondamenti të filozofisë politike, të njëjtit burim, atëherë nuk ia ka vlejtur që të mbetemi të ndarë, por që të tentojmë që me forca të përbashkëta dhe në një mënyrë të japim një kontribut më substancial për mirëqenien ose për zhvillimet e duhura në Kosovë.

A keni pasur takime me udhëheqjen LDK-së apo me anëtarë të Kryesisë?
Daci:
Unë nuk kam biseduar me askënd. Nuk kam qenë i përfshirë, por ka qenë në vijë me pajtimin tim. Në një mënyrë procesi ka përfunduar me nismën tonë. Nuk ka asnjë lloj kushti dhe asnjë lloj marrëveshje.

Si e ka pritur LDK-ja, sepse ende nuk ka reagim zyrtar?
Daci:
Ky është hap i LDD-së, kurse për LDK-në se di. Është çështje e tyre.

Ky është hap i LDD-së për t’u shkrirë në LDK?
Daci:
Po.

Tash LDK-ja është në një proces zgjedhor. Do të merrni pjesë ju?
Daci:
Unë jam jashtë çdo procesi të mundshëm. Jam munduar që strukturës së LDD-së, me të cilën kemi punuar bashkë për dhjetë vite t’ia jap mendimin tim, se kjo është rruga e udhëtimit të përbashkët në një mënyrë që elektorati i fjetur rugovian që ka qenë i shtëpisë së madhe ta kuptojë se ka filluar procesi i grupimit të fraksioneve të ndryshme. Ky ka qenë i vetmi hap që ka qenë në mendimin tim. Pra ka një kohë të gjatë.

Me kalimin e kohës do të angazhoheni edhe ju në strukturat e LDK-së?
Daci:
LDD-ja në plotëni kalon, por çështja individuale është çështje e secilit individ. Unë nuk kam ndonjë interes në atë kuptim që të jem aktiv, por me shpirt dhe politikisht gjithmonë jam në filozofinë politike të shtëpisë së madhe që ka qenë LDK-ja e Rugovës. Do të jap kontributin tim në qoftë se diku kërkohet. Pra aty ku mund t’i ndihmojë anëtarësisë sonë.

Jemi në prag të zgjedhjeve. Ende nuk dihet kandidaturat për kryetar partie. Si po ju duket fillimi i zgjedhjeve?
Daci:
Nuk jam i interesuar fare që t’i bëjë dikujt pengesa apo avantazhe në këtë proces.

Sa mendoni se do të kthehet elektorati rugoviane që ishte në LDD në qoftë se ju nuk jeni pjesë aktive e strukturave të LDK-së?
Daci:
Unë do të jem pjesë aktive në politikën shtetformuese ose të vërtetës që i duhet qytetarëve të Kosovës, por nuk kam aspirata individuale.

Nëse elektorati kërkon që të ktheheni brenda në strukturat e LDK-së. Duke e ditur simpatinë që e keni pasur në elektoratin e LDK-së edhe pas ndarjes. Qysh do të veproni?
Daci:
Unë do të jem gjithmonë në funksion të vullnetit të elektoratit. Edhe me mërgatën kam pasur një shkencore në Gjermani. I kam premtuar gjithë elektoratit rugovian se do të jem në funksion të kërkesave të qytetarëve të asaj periudhe dhe të kësaj të sotmes. Prandaj, aspirata personale nuk kam, por kërkesat eventuale që mund të jenë të arsyeshme do të diskutohen në kohë të duhur.

Strukturat e LDD-së që shkrihen në LDK , do të marrin pjesë në zgjedhjet e LDK-së?
Daci:
Rekomandimi i Kryesisë së LDD-së ka qenë që e tërë anëtarësia me vullnet të duhur pozitiv t’i bashkëngjitet këtij procesi, por kjo është individuale dhe nuk ka ndonjë presion apo urdhër.

Tani e tutje mund t’ju referohemi z. Daci nga Lidhja Demokratike e Kosovës?
Daci:
Po. Ky është vendim i vullnetshëm.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here