Rreth 600 milionë euro për 60 kilometra autostradë nga buxheti i Kosovës

0

Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Lutfi Zharku ka raportuar sot para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri të Kuvendit të Kosovës. “Objektiv primar i MI-së në sektorin e infrastrukturës rrugore do të jetë integrimi i rrjetit të transportit të Kosovës, në kuadër të rrjetit të transportit të Evropës Juglindore”, ka thënë ministri. Në vijim, ai ka sqaruar se në këtë rrjet të transportit janë të përfshira drejtimi rrugor Prishtinë-Hani i Elezit, i njohur si drejtimi R-6, drejtimi R-7 Morinë- Prishtinë – Merdarë, drejtimi N-9 Prishtinë – Pejë dhe ai N-2 Prishtinë -Mitrovicë. Në këtë rrjet, sipas ministrit, është përfshirë edhe linja hekurudhore 10, Leshak- Hani i Elezit dhe Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” i Prishtinës. Duke folur për projektet, të cilat pritet të realizojë MI-ja, ai ka bërë me dije se “Projekti më madhor aktual i kësaj ministrie është ai i Autostradës Prishtinë- Hani i Elezit, i cili ka filluar në korrik të vitit 2014”. Duke dhënë hollësi rreth këtij projekti, ministri ka njoftuar se kontrata lidhur me të është nënshkruar në mes të MI-së dhe kompanisë “Behtel &Enka” në vlerë prej 599 milion euro e 944 mijë e 263 e 55 cent, në të cilën vlerë është e përfshirë edhe TVSH-ja. Gjatësia e përgjithshme e projektit, siq ka njoftuar Zharku, është 60 km, kurse afati i përfundimit të projektit është 42 muaj. Duke dhënë hollësi rreth projektit, ministri Zharku njoftoi se ai është i ndarë në tri seksione. “Aktualisht punët janë duke u kryer në segmentin e parë të cilat përfshijnë hapjen e trasesë, mbushjen e saj dhe dislokimin e instalimeve të kompanive publike, siç janë KEK-u, Ujësjellësi Rajonal i Prishtinës si dhe rrjeti i Hidrosistemit “Ibër Lepenc”, tha ai. Ministri po ashtu bëri të ditur se deri më tani janë hapur 8.5 km trase të këtij projekti. Në vijim ai ka folur edhe për segmentin e rrugës, R-7 Morinë- Prishtinë – Merdarë, për të cilin ka thënë se MI-ja, në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bankën e Investime Evropiane, do të kryejë studimin e fizibilitetit dhe plotësimin e projektit preliminar për segmentin Besi-Merdare, pas përfundimit të të cilit do të fillohet me realizimin e projektit në gjatësi pre 22 km. Ai po ashtu ka njoftuar edhe për projektet e tjera që janë duke u realizuar, siç është ai i rrugës Prishtinë – Gjilan -Dheu i Bardhë, Prishtinë -Pejë, Prishtinë – Mitrovicë, ndërsa është shprehur i bindur se gjatë këtij viti do të përfundojnë punimet deri në fshatin Stanofc, pjesë e segmentit të rrugës Prishtinë – Mitrovicë. Ministri Zharku ka njoftuar edhe për projektet e reja të ndërtimit të rrugëve regjionale. Me këtë rast, ai ka përmendur zgjerimin e rrugës Prishtinë – Podujevë, rrugën, Komoran – Drenas- Skenderaj, rrugën Deçan- kufiri me Malin e Zi e të tjera.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here