Paratë e kuponave fiskal u kthehen konsumatorëve çdo tre muaj

0

Ministri i Financave Avdullah Hoti, ka nxjerrë Udhëzimin Administrativ për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike dhe të Sistemeve Fiskale.

Me qëllim të stimulimit të mbi 20 mijë bizneseve, të cilat nuk kanë pasur mundësi të pajisen me arka fiskale për shkak të çmimit të ofruar në treg, ato tash me udhëzimin e ri të Ministrisë së Financave do të mund të pajisen me çmime shumë më të lira se sa që ka qenë në të kaluarën.

Megjithatë me këtë udhëzim nuk janë pajtuar përfaqësuesit e shoqatës së operatorëve për pajisje fiskale.

“Kemi përgatitur Udhëzimin për arkat fiskale që në mënyrë fundamentale e ndërron komplet furnizimin me arka fiskale, duke u mundësuar një proces shumë më të lehët automatik të transferimit të të dhënave, duke aplikuar plotësisht nënshtrimin digjital dhe duke heq përfundimisht monopolin që ka ekzistuar deri tash me furnizimin me arka fiskale, ku vetëm një kompani ka mbuluar 70 për qind të tregut dhe ka ofruar lloje të ndryshme të arkave fiskle”, ka thënë Hoti.

Ai po ashtu ka thënë se me këtë vendim janë hequr kompetencat nga ministritë sa i përket lejeve dhe licencave, ngase tash do të themelohet një njësi e veçantë për menaxhimin e arkave fiskale. Sipas ministrit Hoti, kjo është bërë me qëllim që të hiqet përfundimisht politika nga kjo çështje.

“Hiqet kjo punë prej nivelit politik për ta lënë në duar të stafit civil dhe të ekspertëve që merren me këtë çështje”, ka thënë Hoti.

Ai po ashtu ka përmendur lehtësirat që do ti kenë kompanitë të cilat do të aplikojnë për leje dhe licenca , sipas tij garancioni bankar nuk do të jetë ai që ka qenë më herët. Bizneset do të kenë mundësi që garancionin bankar ta ofrojnë përmes kompanive të sigurimeve. Hoti po ashtu ka njoftuar se janë përjashtuar edhe shërbimet publike nga pajisja fiskale.

“I kemi përjashtuar shërbimet publike nga pajisja me arka fiskale në mënyrë që të mundësojmë që ne të mbledhim TVSH-në me rastin e pagesës së shërbimit publik, të themi energji, ngrohje ose ujë, e jo t’i ngarkojmë ata në rastin e lëshimit të faturës përpara se të bëhet pagesa. Dhe gjithashtu i kemi përjashtuar nga pajisja me arka fiskale të gjitha institucionet publike ose private që merren me aktivitete kulturore, sportive”, ka thënë Hoti.

Ministri Hoti tha se shpreson që me këtë udhëzim administrativ do të mundësohet që kontrollet teknike për pajisje të bëhen në 24 muaj, e që sipas tij, për kontroll teknik do të kërkohet vlerë e qarkullimit shumë më e ulët se sa është kërkuar më herët nga bizneset me rastin e operimit në treg.

“Tash ky udhëzim mundëson që shumë lirë dhe shumë shpejt të merren pajiset për licencë dhe pajisjet për arka fiskale. Vlerësimi që ne kemi tregon se prej 7.2 miliard euro sa është qarkullimi total i kompanive në vend, 35 për qind e këtij qarkullimi bëhet nga bizneset që nuk janë të pajisura me arka fiskale dhe kjo është duke na kushtuar shumë në buxhetin e vendit dhe është duke i kushtuar shumë bizneseve që veç janë të pajisura me arka fiskale”, ka thënë Hoti.

Ai po ashtu ka bërë publike edhe dy udhëzime administrative duke treguar se është nxjerr vendimi për themelimin e një grupi këshillëdhënës për trajtimin e ankesave të bizneseve që kanë të bëjnë me Doganën dhe ATK-në. Ministri Hoti ka njoftuar se ka pezulluar vendimin që përkohësisht pezullon zbatimin e udhëzimit administrativ mbi licencimin dhe kushtet për ushtrimin e veprimtarisë së përfaqësuesve me procedurat doganore, deri në një udhëzim tjetër të organeve të trupave qeveritare lidhur me përputhshmërinë e këtij udhëzimi me ligjet në fuqi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here