Paradoks, se jo mahi: Ish-ministri dezertor, Haki Shatri tash shpreh dronë e falimentimit të shtetit!

0

Jusuf Bytyçi


Kush vallë mund ta rrezikojë falimentimin e shtetit, pos atyre që nuk mendojnë, para se të vendosin për rritje qind për qind të pagave, mëditjeve dhe përfitimeve tjera nga buxheti i taksapaguesve të lodhur të Kosovës?!
“Grevat janë të nxitura politikisht, dështon shteti nëse plotësohen të gjitha kërkesat. Rritja e pagave për mësimdhënësit, për shërbyesit civilë dhe kategoritë tjera që po kërcënojnë me greva nuk mund të plotësohen me buxhetin e Shtetit”. Kështu ka thënë dje ish-ministri Haki Shatri, tash këshilltar për Ekonomi dhe Financa në mega kabinetin e kryeministrit Haradinaj. Sipas tij, ekziston edhe një mundësi që kërkesat e gjitha grupeve të realizohen për pak muaj derisa të falimenton Shteti. “S’ka mundësi të realizohen kërkesat që po qarkullojnë tash për tash si kërkesa ndaj Qeverisë. Varianti tjetër është të prishet shteti, ka shprehur shqetësimin e tij ish-ministri dezertor, H. Shatri. Nëse realizohen kërkesat e të gjitha grupeve, shteti falimenton para se të vijë vera, ka shprehur dronë ai. Për këtë gjendje, Shatri ka shprehur dyshimet se “është i nxitur prej dikujt që dëshiron ta prishë shtetin”. Kështu ka thënë ai, në kohën që greva në arsim po hynte në javën e tretë, derisa greva të ngjashme po mbajnë edhe shumë mjekë dhe infermierë të QKUK-së, si dhe kanë paralajmëruar edhe Sindikata të tjera, si ajo Shërbyesve civilë etj. Pos Shatrit, edhe zyrtarë të tjerë të AAK-së së kryeministrit Haradinaj kanë shprehur dyshime për nxitjen dhe orkestrimin e grevave nga politika.
Për gjendjen e krijuar në arsim, shëndetësi dhe në segmente tjerë, që po ashtu përballen me paga jo të dinjitetshme, ndërkohë që janë dyfishuar e trefishuar pagat e qeveritarëve, kanë reaguar dhe po reagojnë në vazhdimësi përfaqësues të subjekteve opozitare, por edhe ekspertë të fushës së ekonomisë, të arsimit etj.
Pagat të jenë në harmoni me kapacitetin buxhetor! 
Qeveria ka bërë veprime, përmes së cilave ka hapur dyert që të gjithë të kërkojnë rritje të pagave, ka thënë të hënën ish-kryeministri Isa Mustafa, i kritikuar jo pak se gjatë mandatit të tij në krye të ekzekutivit të vendit, nuk mori asnjë vendim për rritje pagash! Mustafa ka thënë se “duhet të gjendet zgjidhje e menjëhershme mbi bazë parimore. Të sigurohet që pagat të jenë të njëjta për punë të njëjta dhe pagat të jenë në harmoni me kapacitetin buxhetor”. Ai ka spikatur dëmin që po shaktohet në Kosovë si pasojë e grevave në arsim, shëndetësi e gjetiu. Është dëm i madh kur fëmijët fillojnë të mësohen të humbin mësimin dhe kur pacientët shtrëngohen të durojnë sëmundjet e tyre, pa e ditur se kur do të përfundojnë grevat, ka shkruar ish-kryeministri Isa Mustafa, lider i LDK-së në opozitë. Ai ka shkruar se “Qeveria e tij, i mbeti borxh para së gjithash vetvetes, sepse punuan me dyfish paga më të ulëta sesa tjerët. Por u angazhuam të ndërtojmë rregulla që pagat të mos caktohen me fushatë parazgjedhore dhe me vendime ad-hoc por me Ligj”. Ai ka këshilluar që të punohet me FMN-në për kriteret, të bëhen analiza krahasuese me vendet në regjion dhe sistemi i pagave të përcaktohet me parime”. 
“Deri ditën e martë, ose duhet të fillojë mësimi në shkolla, ose Qeveria e Ramush Haradinajt duhet të japë dorëheqje”, ka thënë deputetja, Hykmete Bajrami, profesoreshë Universitare e Ekonomisë. “Sot arsimi po hyn në javën e tretë të grevës, ju së bashku me 4 zëvendësit, 22 ministrat dhe 80 zëvendësministrat duheni urgjent me u taku me SBASHK-un. Ky takim duhet me zgjatë derisa të arrini marrëveshjen për fillim të mësimit”, ka spikatur zonja Bajrami. Ditë më parë kanë reaguar edhe ekspertë të fushës së ekonomisë, si profesori Muhamet Mustafa, që po ashtu ka paralajmëruar rrezikun e falimentimit financiar të shtetit, nëse vazhdohet me këso rritjesh të pakontrolluara dhe kërkesa të pandalshme.
“I kuptoj grevat, që po ndodhin, por Ligji për Pagat do t’i ndalë ato”, ka thënë kryeminsitri Haradinaj të hënën, kur greva në arsim hyri në javën e tretë. “Grevat janë rezultat i ligjit, të gjithë po kërkojnë pozicion më të mirë në ligj”, tha kreu i ekzekutivit të vendit. Ndoshta ka prognozë të saktë! 
Karshi gjendjes së krijuar në arsim, shëndetësi, administrate, si shërbyes civilë, nga nesër, do të shtronim pyetjen, kush vallë mund ta rrezikojë falimentimin e shtetit, pos atyre që nuk mendojnë, para se të vendosin për rritje qind për qind të pagave, mëditejeve dhe përfitimeve tjera nga buxheti i taksapaguesve të Kosovës!
Ku ishit vallë ju zotëri këshilltar për ekonomi dhe financa, Haki Shatri? Ku ishit më herët ju bashkë me mega stafin rreth kryeministrit Haradinaj, kur shefi juaj rriti pagat vetes dhe juve, hiq më pak se 100 për qind?! Natyrisht ju konvenonin pagat e mëdha, mëditjet, beneficionet?! Ju e tumirët rritjen, pasi donit mega përfitime, as që mendonit për kategoritë tjera, as për rrezikun që po i kanosej shtetit, nga pakujdesia, vendimet she veprimet e papërgjegjshme! Pavarësisht nga kritikat e dikujt, edhe mbrenda koalicionit qeveritar, që thuhej se po e refuzojnë pagën me rritje të tillë, prapë, kishte deklarime nga MF dhe vet Ministri B. Hamzaj se “Kosova ka stabilitet financiar”. Ua rikujtoj juve z. këshilltar H. Shatri, dhëndërr Drenoci i Malishevës, se 11 apo 12 vite më parë kur ishit ministër i Financave në Qeverisjen LDK-AAK, kur president ishte Fatmir Sejdiu, por Qeverinë e udhëhiqte AAK, partia juaj e tashme, në kohën që arsimi po kërkonte rroga pak më të dinjitetshme, ju hezitonit të pranonit qoftë ngritje fare modeste, që juve pak, por LDK-së i kushtoi me humbjen e zgjedhjeve në vjeshtën e vitit 2007!
Për ta vërejtur teposhtëzen financiare të shtetit, nuk duhej të ishim të gjithë ekspertë të financave apo të ekonomisë, pasi dihej sa para ndaheshin nga buxheti, pa kontrollë e matje paraprake, dhe pa e pasur parasysh arkën e lodhët, kaçikun e shtetit! Iks Shoqatat apo biznese edhe të dyshimta, përfitonin mirë, por shumë më mirë përfitonin njerëz rreth kryeministrit Haradinaj. 
Edhe SBASHK-u, ka kërkuar që problemi, kërkesat e tyre mund të kenë zgjidhe me Ligjin për paga, por paraprakisht kërkojnë përcaktimin dinjitoz të koeficientit për mësimdhënës. Këtë gjendje e shkaktuat ju. Pra, një fjalë popullore thotë: ”keni kërkuar, shikojeni tash”!
Kqyruni në pasqyrë, sa nuk është bërë tepër vonë!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here