Pandeli Majko:Evropa nuk është fajtore për dështimet tona

0

Si e shikon Pandeli Majko Kosovën pas 7 vitesh Pavarësi, progresi dhe sfidat që e presin këtë shtet të ri. Eksodi që po ndodh me qytetarët e Kosovës në këtë 7 vjetor, arsyet dhe shkaqet që po i largojnë ata nga atdheu i tyre që e çliruan me luftë e me gjak. Reflektimi i qeverisë, i vetë qytetarëve dhe “dënimi” për ngjyrat që i janë vënë këtë vit simbolit të Pavarësisë së Kosovës, NewBorn.

Majko ka thënë se si Kosova, ashtu edhe Shqipëria dhe i tërë rajoni, është duke kaluar kohë të vështira.

“Kosova po kalon të njëjtat ngërçe që po kalon gjithë pjesa evropiane e atij territori që quhet Ballkan, me disa udhëkryqe të rëndësishme të cilat nuk duhet të na bëjnë të ndihemi fajtor me vetveten. Mendoj se kjo është një ndjesi që është e gjindshme jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri edhe më gjerë. Evropa për shumë arsye po kalon një depresion të vetin, i cili po të dish ta lexosh historinë e Evropës presupozon sejemi në pritje të një mënyre të re të të parit se si Evropa do ta rishikoj veten. Në këtë pikëpamje mendoj se ky përvjetor do ta bëjë Kosovën, apo publikun e saj të vetëdijshëm se e gjithë kjo që ka ndodhur me Kosovën dhe me të gjithë ne, në thelb besoj se është rasti për ta përmendur në mënyrë të veçantë në këtë përvjetor të Pavarësisë; është një histori që i përket sa Kosovës por mbi të gjitha përbën momentin më të rëndësishëm të kombit shqiptar”, ka thënë ai.

Majko ka reaguar edhe ndaj ngjyrosjes së obeliskut NewBorn.

“Ne mund të ndodhemi dhe jemi ndodhur shpesh në udhëkryqe të natyrave të ndryshme por kjo nuk duhet të na bëjë të imitojmë serbët në hedhjen e fajit tek të tjerët….Dëgjova jo pa shqetësim dhe pashë nëpërmjet fotografive se një nga shkronjat e simbolit të Pavarësisë së Kosovës, NewBorn, është lyer me të zezë, duke simbolizuar këtu edhe Evropën. Por Evropa duam apo nuk duam, e pëlqejmë apo nuk e pëlqejmë është ajo e cila ne na ka prodhuar si produkt të vetin. Sigurisht për një pjesë të gjatë të historisë sonë, Shqipërinë më pak dhe Kosovën më shumë, Evropa nuk ka dashur ta konsideroj, por ajo mbetet Evropë, mbetet familja jonë ku ne dëshirojmë të shkojmë. Një “E” e zezë sot në mes të Prishtinës është mirë që të na kujtojë egon për pushtet, etjen për para dhe errësirën që vjen duke menduar thjesht dhe vetëm se fajin e kanë të tjerët dhe nuk ja kemi vetes”, ka thënë ai.

Majko është ndalur edhe te fenomeni i migrimit të qytetarëve të Kosovës, jashtë vendit.

“Kjo ikje duhet parë si një mërzi, mungesë shpresë sigurisht por mendoj se kjo duhet të na bëjë të jemi me reflektues rreth asaj që kemi bërë dhe nuk kemi bërë. Mendoj se përvjetori i shtetit të Kosovës është përvjetor i shtetit të Kosovës por nuk është përvjetor i kombit shqiptar. Do të thotë se ne duhet ta vëmë atë që quajmë shtet më shumë në funksion të interesave kombëtare, shumë e përgjithshme për ta thënë dhe shumë e vështirë për ta realizuar, Edhe këta që duken pa shpresë nga Kosova, nuk po shkojnë në drejtim të paditur, po shkojnë në drejtim të Europës. Është një instinkt një ikje jo thjesht për arsye ekonomike të cilën ne duhet ta ndjekim kështu siç është me po kaq vëmendje”, ka thënë Majko.

Majko ka theksuar se qytetarët e Kosovës nuk duhet t’i gjunjëzohen situatës deri diku dramatike ekonomike.

“Mendoj se janë shumë gjëra që ne sot duhet të na bëjnë të reflektojmë lidhur me këtë ikje, të cilat shprehin një mohim për atë se çka po ndodh aktualisht në Kosovë, të situatës deri diku dramatike ekonomike, por që në asnjë rast nuk duhet të na bëjë të gjunjëzohemi. Do të biem, do të ketë kohë të vështira, do të ketë ditë të vështira. Përvjetori i Pavarësisë nuk është përvjetor i kombit, se përvjetori i kombit është diçka tjetër, ky është përvjetor i njerëzve të cilët kanë ditur të bien dhe të ngrihen, kanë qëndruar atje ku situata ka qenë 1 mijë herë më e vështirë se e sotmja me ushtarin serb përballë dhe ia kanë dalë. Më lejoni që me këtë rast të përshëndes të gjitha familjet e dëshmorëve të kombit në Kosovë dhe në Shqipëri; Ata sot nuk janë por në të tilla raste ata janë me mosqënien e tyre”, ka thënë ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here