Pamjet e profetit Muhamed, Ajsheja, Maria Magdalena dhe Aristoteli

0

DAUT DAUTI

Sot, muslimanët por edhe një pjesë e madhe e jomuslimanëve kanë shprehur mospajtim në lidhje me karikaturat të cilat Muhamedin, profetin e muslimanëve, e paraqesin në mënyrë të denigruar. Sot, poashtu, jemi në dijeni se disa muslimanë kanë shprehur gatishmëri që edhe të vrasin, në mënyrë të padiskriminuar, për këtë qështje. Por, gjatë historisë ka ekzistuar një fazë gjatë së cilës vetë muslimanët e kanë paraqitur pamjen e Muhamedit në vizatime, piktura dhe gravura të ndryshme. Kjo gjë nuk ka qenë e ndaluar dhe ky veprim, si formë artistike, ka nisur menjëherë pas vdejkes së Muhamedit dhe ka vazhduar deri në shekullin XVII.

Në arkivat dhe muzeumet e botës sot ruhen tri lloje të pamjeve të Muhamedit: 1. Muslimane, ku Muhamedi paraqitet në formë ‘reale’; Muslimane, ku Muhamedi paraqitet me trup por pa pamje të fytyrës, dhe 3. Pamjet e autorëve të krishterë ku Muhamedi paraqitet kryesisht në mënyrë denigruese. Të gjitha pamjet kanë mbetur si fakte që dëshmojnë një realitet ekzistues në të kaluarën.

Pamja më e vjetër është ajo e vitit 693 (67 vjet pas vdekjes së Muhamedit) që është e shtypur në monedhën e artë të dinarit i cili, si mjet pagese, ka qenë në qarkullim në territoret islamike të Magrebit (Perëndimit). Kjo monedhë sot ruhet në British Museum por edhe në disa muzeume tjera të Marokos dhe Tunizisë. Në monedhë shihen tri portrete: në mes qëndron profeti, në të djathë Ebu Bekri kurse në të majtë është Ajsheja, gruaja e profetit.

Monedha flet shumë. Në një masë të madhe ajo është kopje e mënyrës së shtypjes së monedhave që bëhej në territoret e Bizantit. Por, nga fakti që aty shihet Ajsheja (me fytyrë ta pambuluar), kjo nuk mund të interpretohet ndryshe pos si pozitë e rëndësishme apo pozitë e barabartë me burrin që kishte gruaja në fazën fillestare të shtrirjes së shpejtë të Islamit dhe zhvillimit të shoqërisë islamike. Kjo gjendje ndryshoi shumë disa shekuj më vonë dhe gruaja gradualisht u zhvendos poshtë hierarkisë së shoqërisë islamike. Një gjë të këtillë e vërtetojnë tri pamje tjera, të bëra gjatë shekullit XV në Persi ku profeti paraqitet duke e vizituar Xhehnetin (Parajsën) dhe Xhehnmemin (Ferrin). Profeti është hipur mbi ‘barak’ që është një lloj kali në trup por që ka fytyrë të një femre të bukur e cila në kokë mbanë kurorën e mbretëreshës.

Pamja e vizitës së Xhehnetit, natyrisht, ka pamje të bukur. Aty profeti fluturon i hipur mbi ‘barak’ dhe i sheh (viziton) femrat e bukura, me fytura të pambuluara por që në trup kanë rroba të bukura. Ato, në një natyrë mrekulluese, mbledhin lule dhe natyrisht, janë shumë të lumtura. Dy pamjet tjera, ato të Xhehnemtit janë të tmerrshme. Profeti këtu shoqërohet edhe nga Xhibrili (GabrielI). Të dënuarit janë gratë të cilat i djeg në zjarr Shejtani (Djalli ose Dreqi). Gratë, në pamjen e parë, derisa digjen mbi zjarr, janë të varura për gjuhe. Janë dënuar për shkak se kanë dalë jashtë shtëpisë pa i pyetur burrat e tyre. Gratë e pamjes së dytë digjen derisa janë të varura për flokë pasi që ato nuk i kanë mbuluar në botën e mëparshme. Pra, digjen për shkak që nuk i kanë mbuluar flokët e jo për shkak të fytyrës.

Nga koha e profetit apo nga shekujt e parë të Islamit e deri në shekullin XVI, siç shihet në këto piktura, pozita e gruas në shoqëri ka ndryshuar shumë në dëm të saj. Në fillim, Ajsheja, siç shënon historia, pos funksioneve tjera të shumta që kishte në shoqërine fillestare islamike, ka komanduar edhe beteja ushtarake. Në shekullin XVI ajo nuk do të lejohej pa fyturë të mbuluar në publik siç shihej në monedhë. Madje, sikur Ajsheja të ishte sot gjallë nuk do t’i lejohej asnjë nga funksionet publike që i kishte ushtruar. Në vendlindjen e saj gjërat kanë shkuar aq keq sa që sot asaj nuk do t’i lejohej as ngasja e automjeteve.

Një denigrim i këtillë i rolit dhe pozitës së gruas në shoqëri është shënuar edhe në krishtenizëm. Në pikturat e shumta, Maria Magdalena shihet shpesh si grua e rëndësishme përkrah Krishtit dhe dishepujve. Një gjë të këtille e vërtetojnë edhe tregimet e Biblës. Me fjalë tjera, gruaja ishte në mesin e burrave dhe e barabartë edhe këtu. Por, me kalimin e kohës dhe me forcimin e Kishës u forcua roli i burrit dhe Maria Magdalena (gruaja) e përjetoi fatin e njetjë që më vonë e kishte Ajsheja. Madje, Maria Magdalena edhe u poshtërua pasi që u shpallë prostitutë edhepse nuk ishte e tillë. Një denigrim i këtillë i shoqërueses së Krishtit ka qenë politikë zyrtare e Kishës deri vonë.

Dijetarët muslimanë humbjen e rëndësisë dhe rolit që kishte gruaja e kanë spjeguar apo arsyetuar duke e fajësuar Aristotelin. Sipas tyre, gruaja filloi ta humbte rëndësinë në shoqëri që nga momenti kur filozofia islamike në gjirin e saj i krijoi hapsirë qëndrore filozofisë së Aristotelit. Parimet aristoteliane në Islam u promovuan nga Averroa (Ibn Rushd) dhe kjo gjë e pasuroi filozofinë në përgjithësi por e zbehu rolin e gruas. Aristoteli kishte mendje të ndritur në spjegimin e fenomeneve shoqërore dhe natyrore por nuk kishte mendim të mirë për gratë pasi që nënshtrimin e tyre ndaj burrave e konsideronte si nevojë natyrore dhe shoqërore. Në shtetin islamik që forcohej dita ditës, burrat merrnin pushtet dhe nuk i donin gratë për partnere në ndarjen e fuqisë dhe benificioneve. Dhe, kështu parimet e Aristotelit ishin të mirëseardhura për burrat dhe kjo gjë pozitën e grave e ktheu në drejtim të epokës paraislamike.

Pas shekullit XVI u shtuan pikturat që paraqitnin profetin Muhamed me fytyrë të mbuluar. Një gjë e këtillë erdhi si rezultat i vendimeve të shkollave fetare dhe juridike islamike të cilat druanin nga imitimi i kulturës së Bizantit dhe e cila gjë, sipas tyre, mund të purfundonte në idolatri. Por, në Evropë u shtuan pamjet denigruese të profetit që kishin filluar që nga shekulli IX. Ato e paraqitnin profetin e muslimanëve duke u dënuar në ferr apo forma tjera të disfavorshme. Kjo vinte si rezultat i shoqërisë së krishterë që kishte frikë nga depërtimi i Islamit në Evropë. Ndër pikturat më të buta është një e shekullit XV ku Muhamedi paraqitet duke predikuar para një mase të vogël njerëzish. Në krahëror i qëndron një pëllumb i bardhë i cili është simbol për profetët e rrejshëm.

Pamja e Muhamedit në Evropë shënon momentet apo situatat politike të kohës përkatëse. Sa më i madh që mendohej se ishte rreziku nga Islami aq më keq paraqitej Muhamedi. Ta zëmë në shekullin XVII kur më nuk ekzistonte Spanja muslimane dhe kur u vërtetua se Perandoria Otomane nuk po e mbërrinte as Vjenën është punuar një figurë e gëdhendur në dru për të paraqitur ‘triumfin e krishtenizmit ndaj Islamit’. Natyrisht, pasi që tema është fetare, figura e punuar është e vendosur në një kishë në Dendermonde të Belgjikës. Muhamedi është i shtrirë kurse mbi shpinë të tij shkelin dy gra të cilat në fakt janë shtylla të një pjese të tavanit të Kishës.

Pra, varësisht nga situata, ka pamje kur Muhamedi paraqitet në pozitë të njejtë edhe me Kishën e atehershme Katolike. Gjatë fazës së Reformacionit, protestantët nuk shihnin dallim në mes Kishës Katolike dhe Islamit. Në këtë frymë në shekullin e XVI është punuar një freskë e cila qëndron në muret e një kishe protestante e cila gjendet në ujdhesën suedeze Gotland. Në këtë freskë, në pjesën e saj qendrore shihet Shën Kristoferi i cili në duar mbanë Krishtin si fëmijë të vogël. Në prapavijë qëndron Papa dhe Muhamedi. Që të gjithë dëshirojnë ta kalojnë një lum të rrëmbyeshëm. Por, Shën Kristoferi dhe Krishti kalojnë ujin pa problem kurse Papa dhe Muhamedi si të ‘pa fe’ që janë, fundosen.

Këto të fundit janë mënyrat të cilat në Evropë dëshmojnë për ndërtimin e imazheve për ‘tjetrin’ gjatë mesjetës. Aspak të shëdetshme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here