Pakënaqësi në Athinë për marrëveshjen, kritika edhe nga vetë partia e Tsipras

0

Kryeministri grek, Aleksis Cipras duhet deri të mërkurën të qetësojë ortekun e pakënaqësisë brenda qeverisë, partisë së tij dhe publikut, pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel, mes tij dhe kreditorëve.

Ai duhet të marrë miratimin në Parlament, për Tatimin e Vlerës së Shtuar dhe reformat në pensione, që deri dje ishin kundërshtuar gjerësisht. Duke patur dhjetëra rebelë brenda Sirizës së tij, ai mund ta drejtojë vëmendjen tek ligjvënësit e opozitës për të kaluar paketën, por duke vënë në pikëpyetje qeverinë dhe siç shkruan “Reuters”, me shumë gjasa, duke ia kaluar drejtimin e vendit, një Kryeministri të përkohshëm.

Ministri i Energjisë, Panajotis Lafazanis dhe drejtuesi i krahut radikal të Sirizës, e cilësoi poshtëruese marrëveshjen, duke thënë se ajo nuk do të votohet, ndoshta me mungesa apo abstenime, por pa braktisur qeverinë.

Ministri i Mbrojtjes, Panos Kamenos, i Partisë Grekët e Pavarur, pjesë e koalicionit qeverisës, kundërshtoi marrëveshjen, duke folur edhe për zgjedhje të parakohshme brenda pak muajsh.

Nuk dihet sesi do të paraqiten reformat në parlament. Kryetarja e tij, Zoe Konstantopulu ishte një nga kritiket më të ashpra të kreditorëve dhe ndoshta mund të rrëzohet, për t’i hapur rrugën miratimit të planit.

Në votimin për të marrë miratimin e Parlamentit, për të negociuar me kreditorët, u rregjistruan 8 abstenime, 7 të munguar dhe dy vota kundër. Mbështetjen Cipras mund ta gjejë tek opozita: Partia Demokracia e Re, To Potami dhe Pasok, janë shprehur pro paktit me kreditorët, megjithëse kanë pranuar se masat janë shumë të dhimbshme, transmeton Tv Klan.

Qindra persona u mblodhën në sheshin Sintagma në Athinë, për të protestuar marrëveshjen e arritur.

Në një intervistë për të përjavshmen britanike “New Statesman”, ish – Ministri grek i Financave, Janis Varoufakis tha se kishte patur një plan pas referendumit, por nuk ishte mbështetur, madje sipas tij, Cipras kishte vendosur të bënte lëshime të tjera.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here