Pak të interesuar për legalizim të armëve në Kosovë, kushtet të pafavorshme

0

Brenda dy javësh që ka nisur fushata për legalizim të armëve janë dorëzuar vetëm 20 armë, pronarët e të cilëve kanë aplikuar për legalizim.

Ministria e Punëve të Brendshme vlerëson se deri më tash, fushata nuk e ka pasur efektin e duhur, raporton KTV.

Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, fushata në ditët e ardhshme do të intensifikohet, në mënyrë që qytetarët të kenë më të qartë procesin e legalizimit.

Arsye tjetër e interesimit të vogël të qytetarëve për të legalizuar armët, po konsiderohet të jetë edhe çmimi për legalizim.

Destan Mustafa, shefi i divizionit për armë dhe municion në MPB ka thënë se në momentin që bëhet kërkesa për legalizim, duhet të tregohet edhe arsyeja e armëmbajtjes.

Ai shtoi se janë të ndara kategoritë të cilat kanë mundësi të legalizohen.

Por qytetarët flasin për kushte të pafavorshme të legalizimit.

Kompani të cilat merren me legalizimin e armëve njoftojnë se nga momenti kur një person mund të marr lejen për legalizim, ai nuk ka të drejtë ta përdorë armën një vit, qoftë edhe për gjueti e rekreacion. Secili qytetar që aplikon për legalizim duhet të paguajë 100 euro, nëse e fiton të drejtën e legalizimit.
Me vendim të ministrit të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, gjatë periudhës së fushatës për legalizim të armëve, është pezulluar zbatimi i nenit 374 i Kodit Penal.

Kodi penal parasheh gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose dënim me burgim deri në 5 vjet për armëmbajtje pa leje.

Dënim 2 deri në 10 vjet burgim, parashihet edhe për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve dhe më shumë se 400 fishekëve.
Fushata e legalizimit ka filluar në muajin dhjetor dhe do të zgjasë 6 muaj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here