Pacolli: Posti i presidentit do të sjellë krizë të re

0
Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka përsëritur qëndrimin e tij që presidenti i Kosovës duhet të zgjedhet nga populli.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Pacolli ka thënë se vazhdon të jetë i pajtimit se sot, më shumë se kurrë, presidenti i vendit duhet të zgjedhet nga populli përndryshe, sipas tij, vendi do të hyjë në krizë presidenciale. “Vetëm një president i zgjedhur nga populli mund t’i jepte fund krizës pa qenë nevoja për t’i përfshirë miqtë tanë të huaj si ndërmjetësues. Njerëzit e pushtetit nuk po respektojnë një rezolutë parlamentare me vlerë kushtetuese dhe po bëhen gati ta fusin vendin në një krizë të re, paralele me atë të ndërlidhur me dy marrëveshjet, gjegjësisht atë të Asociacionit të komunave serbe dhe atë të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Jemi në prag të një krize të re presidenciale, të cilën do ta shkaktojnë pikërisht ata që, sipas një skenari konspirativ, e bënë në rastin tim”, ka thënë Pacolli. Ai ka thënë se nëse opozita, siç pretendon, ka kandidatë të mirë dhe gëzon mbështetje popullore, pse ajo nuk mban qëndrim thelbësor sa i përket postit të presidentit. “Pse nuk janë gati të garojnë ata dhe ta testojnë popullaritetin e tyre?”, ka pyetur Pacolli.
Pacolli në këtë intervistë e ka kritikuar qeverisjen aktuale. Ai ka thënë se kjo Qeveri ka dështuar më së pari në ekonomi. Sipas tij, ka një diferencë të madhe midis premtimeve të fushatës dhe asaj çfarë po bëhet. “Ka një retorikë vetëshkatërruese antievropiane, e cila nuk e kuptoj se kujt i shërben. Por, e di se nuk i shërben Kosovës. Përgatitja e negociatave të Brukselit me Serbinë është e dobët. Ky ekzekutiv ka një fat të madh, megjithatë opozita e kapur në një temë fikse, po e lejon të qeverisë si të dojë. Opozita nuk po merret me çështjet më të rëndësishme, por ka mbetur peng i dy temave me të cilat do ta rrëzojë Qeverinë, tema këto që nuk mbështeten nga miqtë tanë, as nga popullata paqedashëse që paraqet shumicën e popullsisë”, ka thënë Pacolli.
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, është pro mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në situatën aktuale kur është krijuar një ndarje e fortë midis dy palëve. Por, Pacolli nuk mendon se zgjedhjet duhen të bëhen tani, pa përgatitje serioze për kuadrin zgjedhor dhe për administratën zgjedhore. “Pas këtyre përgatitjeve, mendoj se fundi i këtij viti ose fillimi i vitit tjetër do të ishte koha më e mirë”, ka deklaruar Pacolli. Ai ka bërë me dije se në verë do të mbahet Kongresi i Punës së AKR-së, në të cilin do të dalë edhe udhëheqësia e re. Pacolli ka thënë se AKR-ja do të rikthehet fuqishëm në skenën politike.
Pacolli ka treguar se tashmë gjendet jashtë shtetit, ku ka filluar lobimin për njohje të reja për Kosovën.

“Epoka e re”: Z. Pacolli, keni udhëtuar për në Uganda. Pse vendosët të shkonit në këtë shtet? Do të thotë kjo se keni nisur lobimin tuaj privat për njohje të reja?
Pacolli:
Uganda dhe gjithë Afrika janë pjesë të rëndësishme të botës që unë i njoh prej një kohe të gjatë, ku kam bërë shumë miq dhe ku Kosova ka shumë miq. Pata rastin të takohesha ngrohtësisht me presidentin Museveni dhe politikanë të rëndësishëm të këtij vendi që tani ndodhet një muaj larg zgjedhjeve. Prej tyre u ripohua vullneti i Ugandës në nivelin më të lartë për ta përmbyllur edhe një herë procedurën diplomatike të njohjes së Kosovës pas zgjedhjeve. Presidenti më garantoi se do të punojë për një qasje të përbashkët pro Kosovës me disa vende fqinje të Ugandës. Prej Ugandës kam ardhur në Kenia, ku gjithashtu ka një vullnet pozitiv pro njohjes së Kosovës. Por, duhet ende shumë punë, për faktin se që tre vjet e këndej askush nuk është marrë me promovimin e Kosovës në këtë anë të rëndësishme të botës. Nuk më duket i saktë aluzioni juaj, kinse tani kam nisur lobimin privat për njohje. Unë nuk e kam ndërprerë asnjëherë lobimin tim pro Kosovës. Gjithmonë kam lobuar, me forma të ndryshme, në vende apo organizata të ndryshme. Lobimi im, investimi im shpirtëror, fizik dhe financiar, është i përmasave të jashtëzakonshme. Ai mund të krahasohet me atë të një diplomacie të një shteti të madh në burime njerëzore dhe financiare. Brenda pak vitesh kam mundur të takoj një herë apo më shumë herë të gjithë kryetarët e shteteve afrikane. Kjo është diçka e paimagjinueshme edhe për një shtet mesatar. Kemi marrë një numër të konsiderueshëm njohjesh në një terren të vështirë përballë shteteve si Serbia e Rusia që kanë ndikim ekonomik, diplomatik etj. që një kohë të gjatë.

“Epoka e re”: Ju jeni i pajtimit që presidenti të zgjedhet nga populli. Në këtë situatë çfarë është, do të ishit i gatshëm të ishit kandidat për president nëpërmjet votës së Kuvendit?
Pacolli:
Unë jam njeriu i fjalës së mbajtur dhe i marrëveshjeve të respektuara politike dhe njerëzore. Vazhdoj të jem fuqishëm i pajtimit sot, më shumë se kurrë, që presidenti i vendit, i pari i shtëpisë, duhet të zgjedhet nga populli. Pse sot më shumë se kurrë? Sepse po e shikoni se si vendi ynë, shteti ynë i ri, për të cilin janë bërë shumë sakrifica, nuk i ka aftësitë për t’i tretur vetë krizat nëpërmjet institucioneve me autoritet tek të dy krahët politikë. Sot po diskutohet nëse duhet një ndërmjetës i huaj për ta zgjidhur krizën e sotme të rëndë politike. Vetëm një president i zgjedhur nga populli mund t’i jepte fund krizës pa qenë nevoja për t’i përfshirë miqtë tanë të huaj si ndërmjetësues. Mirëpo çfarë po ndodh? Derisa unë i respektoj marrëveshjet, jap dorëheqje për ta shmangur krizën, liderët e tjerë ia kanë kthyer kurrizin fjalës së dhënë. Njerëzit e pushtetit nuk po respektojnë një rezolutë parlamentare me vlerë kushtetuese dhe po bëhen gati ta fusin vendin në një krizë të re, paralele me atë të ndërlidhur me dy marrëveshjet, gjegjësisht atë të Asociacionit të komunave serbe dhe atë të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Jemi në prag të një krize të re presidenciale, të cilën do ta shkaktojnë pikërisht ata që, sipas një skenari konspirativ, e bënë në rastin tim. Gjykata Kushtetuese në mënyrë të paprecedent e ka ngritur stekën e kërcimit të kandidatëve për president nëpërmjet rritjes së kuorumit për dy votimet e para, apo gjoja detyrimit të të gjithë deputetëve për të marrë pjesë në votim. E çfarë ndodh nëse nuk kapërcehet kjo stekë e ngritur qëllimisht pas garës që më zgjodhi mua kushtetutshmërisht? Do të gjendemi shpejt në krizë presidenciale. S’dua ta përdor një shprehje të vrazhdë popullore, se kush ia bën varrin tjetrit, bie vetë brenda. Por, mund të them se jam njeri i Zotit të Madhërishëm dhe ai i sheh të gjitha. Duke u rikthyer tek skenari i mosvotimit të presidentit, doja të shtoj se, nëse respektohet Kushtetuta, Kosova do të shkonte në zgjedhje të reja. A besoni se unë do të pranoja të garoja në rrethana të tilla krize? Kurrë. Ajo që më habit është qëndrimi i opozitës parlamentare. A kanë opinion ata për zgjedhjen e presidentit nga populli? Pse nuk kërkojnë llogari për harxhimin e parave të shtetit për punën e komisionit kushtetues që duhet ta miratonte zgjedhjen popullore të kreut të shtetit. Nëse opozita, siç pretendon, ka kandidatë të mirë dhe gëzon mbështetje popullore, pse nuk mban qëndrim për këtë çështje thelbësore? Pse nuk janë gati të garojnë ata dhe ta testojnë popullaritetin e tyre?

“Epoka e re”: Çfarë të rejash do të ketë në AKR? Pritet fuqizimi i kësaj partie në skenën politike?
Pacolli:
Fuqizimi i AKR-së me gjak të ri, me figura të reja, është tashmë kërkesë e elektoratit. Kërkesa për rikthimin e AKR-së është imponim i skenës politike të Kosovës që tashmë nuk ka ekuilibër. Kësaj skene i mungon një parti liberale. Përballë këtij detyrimi unë do të bëja diçka që AKR-ja me njerëzit e vet të devotshëm të kthehet fuqishëm dhe ta imponojë programin e vet.

“Epoka e re”: A pritet të ketë reforma në AKR dhe çfarë do të sjellin këto reforma?
Pacolli:
AKR-ja si parti liberale ka jo vetëm një program modern, por edhe dokumente moderne të funksionimit të vet. Organet tona drejtuese do të vendosin shumë shpejt për ta thithur këtë fluks të ri brenda radhëve tona sipas procedurave që parashikon statuti i partisë. Do të zhvillojmë një veprimtari politike të stilit të ri, të përqendruar tek interesi i qytetarit, pranë qytetarit. Deri kah fillimi i verës do të kemi edhe një kongres pune, në të cilin do të zgjidhet udhëheqësia e re e AKR-së, pastaj do të kuptohen kuadrot e reja.

“Epoka e re”: A ka ndryshuar qëndrimi juaj për qeverisjen aktuale?
Pacolli:
Ju i keni ndjekur qëndrimet e mia të vazhdueshme kritike ndaj kësaj qeverisje, pasi ia lashë asaj një periudhë fillestare në të cilën e inkurajova vazhdimisht. Sot kjo qeveri, që në letër ka konsensus të madh popullor, ka dështuar më së pari në ekonomi. Ka një diferencë të madhe midis premtimeve të fushatës dhe asaj çfarë po bëhet. Ka një retorikë vetëshkatërruese antievropiane, e cila nuk e kuptoj se kujt i shërben. E di se vetëm Kosovës jo. Përgatitja e negociatave të Brukselit me Serbinë është dobët. Ky ekzekutiv ka një fat të madh. Megjithatë, opozita e kapur në një temë fikse, po e lejon të qeverisë si të dojë. Opozita nuk po merret me çështjet më të rëndësishme, por ka mbetur peng i dy temave me të cilat do ta rrëzojë Qeverinë, tema këto që nuk mbështeten nga miqtë tanë, as nga popullata paqedashëse që paraqet shumicën e popullsisë.

“Epoka e re”: Z. Pacolli, a mendoni se duhet të shkojë vendi në zgjedhje të parakohshme?
Pacolli:
Në situatën aktuale, kur është krijuar një ndarje e fortë midis dy pjesëve të popullatës, sigurisht se po. Por, nuk mendoj se zgjedhjet duhen të bëhen tani, pa përgatitje serioze për kuadrin zgjedhor, për administratën zgjedhore etj. Pas këtyre përgatitjeve, mendoj se fundi i këtij viti ose fillimi i vitit tjetër do të ishte koha më e mirë. Në kushte të tilla, të konfliktualitetit të lartë, në këtë rrugë pa krye, Kosova nuk mund të vazhdojë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here