Pacolli kundër përkujtimit të Kushtetutës si përkujtohen te vdekurit, kërkon disa ndryshime në të

0

Në kuadër të shënimit të përvjetorit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Behxhet Pacolli ka shfaqur krenarinë që ka qenë njëri ndër nënshkruesit e saj. Ai nuk ështën pajtuar fort me mënyrën se si po i qaset shoqëria jonë Kushtetutës. “E kuptoj përkujtimin, por s’jam dakord deri në fund me frymën që po i jepet këtij përkujtimi, si ndaj dikujt të vdekur që nderohet çdo vit”, ka thënë ai, duke insistuar se ka ardhur koha për disa ndryshime në Kushtetutë.
Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Pacollit në Facebook:

“Sot në Kosovë po përkujtohet 7 vjetori i miratimit të Kushtetutës së vendit. Miratimi i Kushtetutës 7 vjet më parë është ndoshta ngjarja më e rëndësishme në jetën e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë. Jam i nderuar që kam qenë firmatar i saj! E sot kam megjithatë një vërejtje sesi po i qasemi Kushtetutës, 7 vjet më pas. E kuptoj përkujtimin, por s’jam dakord deri në fund me frymën që po i jepet këtij përkujtimi, si ndaj dikujt të vdekur që nderohet çdo vit.
Unë kam një përfytyrim tjetër, të pranuar gjerësisht për dokumentin themeltar të shtetit: unë e shoh atë si kontratë të politikës me qytetarin. Kushtetuta është kontratë, është dokument i gjallë që shndërrohet në bazë të vullnetit të qytetarit. Përkujtimi i sotëm nuk ja jep këtë vlerë. Ndaj i shoh të tepërta përkujtimet, dhe i shoh si të dobishme debatet dhe vendimet rreth formës që duhet të marrë kjo kontratë, tash 7 vjet pasi ajo është testuar në praktikë për funksionimin e vet.
E po duket se ka ardhur koha për ndryshimin e pjesshëm të kësaj kushtetute. Qytetarët përshembull e kanë bërë të qartë se s’duan ta tolerojnë më zgjedhjen e diskutueshme të presidentit nga parlamenti me pazaret që ja cënojnë autoritetin të parit të vendit. Ka një marrëveshje të përfaqësuesve të qytetarëve, gjegjësisht ka një rezolutë të Kuvendit për ta ndryshuar këtë pjesë të kushtetutës. Marrëveshja duhet të respektohet se ka kaluar shumë kohë prej miratimit të saj dhe janë verifikuar shumë probleme në praktikë.
Nëse në mënyrë të vazhdueshme e përshtasim kushtetutën me ndryshimet në terren; nëse debatojmë rreth saj përditë; nëse e bëjmë pjesë të jetës sonë shtetërore në çdo hap- ky është nderimi më i madh që i bëjmë kushtetutës e cila duhet përkujtuar dhe respektuar çdo ditë dhe jo thjesht në përvjetorin e saj.”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here